A është shkarkuar John Bolton?

#NËRADAR


Gjerësisht gjatë ditës së premte, në media të ndryshme në Tiranë ka qarkulluar një lajm mbi shkarkimin e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të Presidentit të SHBA-ve John Bolton. Por përtej lajmit, i cili kalohet vetëm me dy rreshta, mediat i kushtojnë rëndësi figurës së Bolton, duke e lidhur atë me “planin për ndarjen e Kosovës”

Syri.net

Presidenti i SHBA-së Donald Trump besohet se ka larguar këshilltarin e tij të sigurisë, John Bolton. Lexo të plotë

Por si është e vërteta? Po, “Washington Post” një nga gazetat më prestigjioze dhe me një histori të lavdishme në kërkim të së vërtetës në SHBA, ka publikuar një artikull me titull “Bye Bye Bolton?”.

Washington Post

Bye Bye Bolton? Lexo të plotë

E para që të bie në sy dhe që është e dukshme është ? në fund të titullit, çka automatikisht tregon se John Bolton nuk është larguar, por ngrihet një pyetje nëse ai do largohet.

E dyta. Shkrimi është publikuar në seksionin “Post Everything”, një seksion i dedikuar i “Washington Post” për komente. “Një shtëpi e përditshme për mendime të mprehta dhe komente të mençura nga kontribuuesit e jashtëm, çdo të hënë deri të premten, pasdite”, – evidenton Redaksia e WP, në seksionin “PostEverything”.

E treta. Shkrimi në fjalë është në kategorinë: “Perspective”, e cila sipas WP kategorizohet si “Diskutimi i temave të lajmeve me një pikëpamje, duke përfshirë tregimet nga individët në lidhje me përvojat e tyre”.

Dhe e katërta, që është më e rëndësishmja, autori i shkrimit Daniel W. Drezner Profesor i Politikës Ndërkombëtare në Fletcher School of Law and Diplomacy në Tufts University, në artikullin e tij analizon rrethana të kaluara të ndjekura nga Presidenti Donald Trump me zyrtarë të tjerë të shkarkuar më parë prej tij dhe hedh spekulimin, siç e cilëson vet, që Bolton do të ketë të njëjtin fat “My speculation would be that Bolton will be sticking around for the next few months at least. He is not going to quit”.

Përfundimi i REAL STORY

John Bolton vijon të jetë ende në detyrë dhe momentalisht është në Mbretërinë e Bashkuar, duke përgatitur vizitën e radhës së Presidentit Donald Trump. A mund të largohet ai? Duke njohur Presidentin Trump dhe natyrën e tij, padyshim që po, por shkrimi i risjellë në mediat shqiptare, rezulton të jetë FAKE NEWS.



Skip to toolbar