Kryetari socialist i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit për Bashkinë e Prrenjasit, Nuri Belba ka nisur një kallëzim penal për ish kryetaren Miranda Rira, për shpërdorim detyre.
Sipas shkresës ish kryetarja e ardhur nga radhët e LSI, Miranda Rira akuzohet se ka abuzuar me tenderin e ndërtimit të një fushe sporti në Prrenjas.
Në datë 23 janar 2019 u zhvillua procedura e prokurimit e hapur për ndërtimin e fushës së re të sportit me fond limit 82, 544, 578 lekë, që u fitua nga një bashkim operatorësh.
Gjatë fushatës elektorale të 30 qershorit, Nuri Belba u premtoi qytetarëve se do të ndiqte këtë çështje penalisht sapo të merrte çelësat e bashkisë, pasi ishte abuzuar me fondet. Duket se Belba e ka mbajtur fjalën e tij dhe më 10 shtator 2019 ka nisur një kallëzim penal në Prokurorinë e Prrenjasit kundër ish kryetares Rira.