Për të dytën herë këtë muaj, administrata e Presidentit Biden anashkalon Kongresin duke miratuar shitje emergjence armësh për Izraelin, ndërsa Izraeli vazhdon me luftën kundër Hamasit në Gazë mes kritikave të shtuara ndërkombëtare.
Departamenti i Shtetit tha të premten se Sekretari i Shtetit Antony Blinken ka njoftuar Kongresin se ka marrë një vendim të dytë emergjence për 147.5 milionë dollarë shitje paisjesh ushtarake që nevojiten për të futur në funksionim predhat 155 mm që Izraeli pati blerë më herët.
“Për shkak të urgjencës së nevojave të mbrojtjes së Izraelit, sekretari njoftoi Kongresin se ka ushtruar autoritetin e deleguar për të vendosur se ekziston një emergjencë, për shkak të së cilës është i nevojshëm miratimi i menjëhershëm i transferimit (të paisjeve). Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për sigurinë e Izraelit, dhe është jetike për interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara që Izraeli të jetë në gjendje të mbrohet nga rreziqet që i kanosen”, tha Departamenti i Shtetit.
Vendimi i emergjencës do të thotë se shitja e armatimit do të anashkalojë shqyrtimin që bëhet nga Kongresi për shitjet e armatimeve vendeve të tjera. Vendime të tilla janë të rralla, por jo të paprecedenta, kur administratat shohin një nevojë urgjente për dërgim armësh për të cilat nuk mund të pritet për miratimin e ligjvënësve.
Sekretari Blinken mori një vendim të ngjashëm në 9 dhjetor, duke miratuar shitje për Izraelin të 14 mijë predhave për tanket, me vlerë mbi 106 milionë dollarë.
Të dyja vendimet u morën pasi kërkesa e Presidentit Joe Biden për një paketë ndihme prej gati 106 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin dhe nevoja të tjera të sigurisë kombëtare mbetet e bllokuar në Kongres, e përfshirë në një debat mbi politikën e emigracionit dhe sigurinë kufitare të Shteteve të Bashkuara. Disa ligjvënës demokratë kanë thënë se ndihma e propozuar amerikane prej 14.3 miliardë dollarësh për vendin aleat në Lindjen e Mesme duhet të kushtëzohet me hapa konkretë nga qeveria e Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të reduktuar viktimat civile në Gazë gjatë luftimeve me Hamasin.
Departamenti i Shtetit u përpoq të kundërshtonte kritikat e mundshme për shitjen e armatimit për arsye të të drejtave të njeriut duke thënë se ishte në kontakt të vazhdueshëm me Izraelin për të theksuar rëndësinë e minimizimit të viktimave në radhët e civilëve, të cilat janë rritur që kur Izraeli filloi kundërpërgjigjen ndaj sulmeve të Hamasit në Izrael më 7 tetor.
“Vazhdojmë t’i theksojmë me forcë qeverisë së Izraelit se ata jo vetëm që duhet të respektojnë ligjin ndërkombëtar humanitar, por gjithashtu të ndërmarrin çdo hap të mundshëm për të parandaluar dëmtimin e civilëve”, thuhet në deklaratë.
“Hamasi fshihet pas civilëve dhe është ngulitur në radhët e popullatës civile, por kjo nuk e pakëson përgjegjësinë dhe detyrimin strategjik të Izraelit për të bërë dallimin mes civilëve dhe terroristëve të Hamasit ndërsa kryen operacionet e tij ushtarake”, tha Departamenti i Shtetit. “Kjo lloj fushate mund të fitohet vetëm duke mbrojtur civilët”.
Anashkalimi i Kongresit me vendimet urgjente për shitjet e armëve është një hap i pazakontë që në të kaluarën ka hasur në rezistencë nga ligjvënësit, të cilët normalisht kanë një periudhë kohore për të shqyrtuar transferimet e propozuara të armëve dhe, në disa raste, për t’i bllokuar ato.
Në maj 2019, Sekretari i atëhershëm i Shtetit, Mike Pompeo, mori një vendim urgjent për një shitje armësh prej 8.1 miliardë dollarësh për Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jordaninë, pasi u bë e qartë se administrata e ish-Presidentit Trump do të vështirësohej të tejkalonte shqetësimet e ligjvënësve për luftën e udhëhequr nga sauditët dhe Emiratet e Bashkuara Arabe në Jemen.
Zoti Pompeo u kritikua ashpër për vendimin, për të cilin disa besonin se mund të kishte shkelur ligjin, pasi shumë nga armët e përfshira nuk ishin prodhuar ende dhe nuk mund të dorëzoheshin me urgjencë. Por, një hetim i brendshëm konkludoi se ai nuk pati bërë ndonjë shkelje.
Të paktën katër administrata amerikane e kanë ushtruar këtë lloj autoriteti që nga viti 1979. Administrata e ish-Presidentit George H.W. Bush e përdori këtë autoritet gjatë Luftës së Gjirit për të dërguar me shpejtësi armatim në Arabinë Saudite.