Afera Partizani, SPAK shtyn me 3 muaj hetimet për Sali Berishën

AKTUALITET


SPAK ka marrë edhe 3 muaj kohë, deri në tetor, për të zgjatur afatet e hetimit për ish kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij Jamabër Malltezi në hetim për korrupsion në aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani që më pas u pasua me ndërtimin e 19 kullave.


Ndërkohë gjyqtarja Irena Gjoka ka vendosur sot që Berisha dhe Malltezi duhet të paguajnë nëse duan të marrin fashikujt që SPAK ka përpiluar në kuadër të hetimeve gjatë këtyre 2 muajve të fundit.

“Në 19 korrik do të marrim aktet. Gjyqtarja vendosi që aktet duhet të merren me pagesë. Ne na takojnë këto akte. Ata nuk e kanë problem të bëjnë fotokopje e të zgjidhet në fund detyrimi financiar. Duhet të jenë 12 fashikuj që janë përgatitur për këto dy muaj”, tha avokati Genc Gjokutaj pasi doli nga GJKKO.

Ndërkohë në Gjykatën e Lartë është rrëzuar sot një tjetër kërkesë e Berishës për përjashtimin e trupës së gjyqtarëve Ilir Panda, Sokol Binaj, Sandër Simoni, nga gjykimi i çështjes penale nr. 61007- 00370-00-2024, që i përket rekursit kundër vendimit nr. 85, datë 17.04.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”.



Skip to toolbar