Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj zbuloi pas mbledhjes së qeverisë se është rritur shuma që do të financohet për rindërtimin përgjatë vitit 2022.
Kështu, sipas zv.kryeministrit Ahmetaj, i gjithë fondi i rindërtimit për këtë vit kalon nga 28 miliardë lekë në 35 miliardë lekë.
“Sot kaluan një grup vendimesh për rindërtimin. Llogaria e rindërtimit, pra i gjithë fondi i rindërtimit për këtë vit, kalon nga 28 miliardë lekë në 35 miliardë lekë. Avancimi është bërë për të përshpejtuar proceset e rindërtimit.
Dua të ritheksoj që programi i rindërtimit për këtë vit ka 35 miliardë për të përshpejtuar rikthimin e familjeve nëpër shtëpi. Këtë fundvit do të kemi një numër të konsiderueshëm familjesh që do të rikthehen në shtëpitë e tyre gjithandej”, tha zv.kryeministri Ahmetaj.