Ahmetaj për rindërtimin: Ja kur mbaron projekti në Laç

EKONOMI


Ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, tha në një intervistë për News24, se procesi i rindërtimit ka qenë puna më e rëndësishme e jetës së tij në këto 31 vite punë në politikë.

Gjatë intervistës, ministri ndau disa përjetime, kur iu dorëzon çelësat e shtëpive familjarëve, teksa tha se “Para disa ditësh pashë një burrë që në emocion e sipër u përlot duke hyrë në shtëpi. Duke parë gjithë këtë emocion, gjithë këtë dhimbje dhe pastaj gjithë këtë gëzim, kjo është puna më e rëndësishme e jetës sime që kam bërë në këto 31 vite”.

Më tej, ministri Ahmetaj theksoi se brenda muajit gusht të vitit 2021 do të jenë rindërtuar 500 apartamentet në Laç, të financuara nga qeveria turke, puna e të cilëve ka nisur pak ditë më parë.

“Falënderoj turqit, sepse e mbajtën fjalën. Aty është bërë një punë e madhe, mbi 2 mijë pilotë janë futur për të drejtuar bazamentin. Aty do të ndërtohen 524 apartamente, një qendër komerciale, 400 parkime dhe mbi 80 dyqane. Besoj se deri në mars do të kemi 160 apartamente të mbyllura dhe në gusht do të kemi të përfunduar komplet sajtin. Sot pasdite do të jemi me kryeministrin në Kavajë, ku kanë nisur ndërtimet e reja, ashtu si edhe në Golem, Thumanë, Fushë Krujë, Manzë.

Për sajtin që ndërtohet nga qeveria turke, dua të them se nesër vjen dhe menaxheri i Emirateve të Bashkuara, ku fillon seleksionimi prej tyre për ndërtimin e 2 mijë apartamenteve në Durrës. Shumë shpejt do të shohim kolona mbi tokë edhe në Shijak.

Programi i shkollave, janë 158 shkolla për rindërtim ose rikonstruksion. Shkollat janë spektakolare. Janë sfida të bukura inxhinierike dhe nuk janë thjesht shkolla, por janë qendra komunitare. Kaq shkolla nuk janë ndërtuar në 30 vite, ndërkohë që po bëhen për 1 vit. Kemi dhe programin e donatorëve nga BE me 150 milionë euro, ku 40 janë për trashëgiminë kulturore dhe 75 të terë janë të ndarë për shkolla e gjëra të tjera”, u shpreh ministri.



Skip to toolbar