“Air Albania” kalon me sukses në UEFA, kuqezinjtë “ngelin në klasë” me francezët

KOMBËTARE


Kuqezinjtë e kombëtares shqiptare kanë ngelur në klasë në sfidën e parë në shtëpinë e re “Air Albania Stadium”, ndonëse ishte e fundit në Grupin H, për kualifikueset e “Euro 2020”. Francezët ia kanë prishur festën e stadiumit të ri shqiptarëve, duke fituar me rezultatin e pastër 2-0 ndaj Shqipërisë, e cila nuk kishte ndonjë pretendim të madh në këtë ndeshje, veç arritjes së rekordit për pikët në grup.

Me këtë humbje, Shqipëria mbetet në kuotën e 13 pikëve, duke e mbyllur kualifikimin e saj në vendin e katër të grupit H. Franca mbajti vendin e parë në grup me këtë fitore, në kuotën e 25 pikëve, e ndjekur nga Turqia me 23 pikë dhe në vend të tretë Islanda me 19 pikë. Në vendin e pestë u rendit Andorra dhe në të fundit Moldavia.

Që në minutat e para të ndeshjes kuqezinjtë nuk e kanë nisur mbarë ndeshjen, pasi festa e tyre ka zgjatur vetëm 8 minuta. Corentin Tolisso ka shfrytëzuar mjaft mirë një asist të dhënë nga Antoine Griezmann, duke çuar topin në rrjetë.

Kombëtarja shqiptare u duk sikur nuk do dorëzohej lehtë! Manaj dhe Hysaj kanë pasur dy raste të mira për të shënuar gol, por fatkeqësisht aksioni i bukur i kuqezinjve nuk është finalizuar me një gol.

Në minutën e 32-të, të besuarit e Edi Rejës kanë pësuar golin e dytë. Pas Corentin Tolisso në minutën e 8-të, është Griezman ai që të shtangur tifozët kuqezinjtë nga një aksion model. “Gjelat” përfitojnë nga një keqpozicionin i mbrojtjes kuqezi dhe arrijnë t’i çajnë pikërisht në zemër, duke dyfishuar shifrat.

Griezmann kishte 667 minuta që nuk realizonte për përfaqësuesen franceze dhe është zgjuar pikërisht në kryeqytetin shqiptar, duke i shënuar golin e dytë Shqipërisë.

Reja bëri dy zëvendësime në pushimin mes pjesëve, ku në fushën e lojës u futën Memusahj dhe Roshi, të cilët zëvendësuan Qosen dhe Lenjanin. Në pjesën e dytë, Shqipëria u duk se do të ishte më luftarake, me disa sulme të njëpasnjëshme, por që nuk sollën ndryshim. Loja vazhdoi me aksione nga të dyja palët deri në fund, por që rastet më të mira i pati Franca, ku shtylla e ndaloi të trefishonte rezultatin, pas një gabimi të kuqezinjve në rreshtimin në mbrojtje, që nxori zbuluar Geroud. Sulmuesi francez, vetëm për vetëm me portierin, tentoi të kapte trekëndëshin e portës, por shtylla e ndaloi. Kjo ndeshje e parë në stadiumin e ri u parapri nga një spektakël, me këngëtarë shqiptarë. Ndeshja u ndoq edhe nga Presidenti i UEFA, Ceferin, i cili dha Ok për stadiumin “Air Albania” dhe e vlerësoi si nga më të këndshmit në Ballkan.

Ndeshjet e tjera në grup, ajo Mes Moldavisë dhe Islandës u mbyll me rezultatin 1-2 në favor të miqve, ndërsa Andorra-Turqi përfundoi me rezultatin 0-2. Franca dhe Turqia janë dy ekipet që do të vazhdojnë garën e tyre në Euro 2020.



Skip to toolbar