Princi Andrew ka mbrojtur miqësinë e tij të mëparshme me Jeffrey Epstein, duke thënë se asnjëherë ai nuk ka dyshuar për ndonjë sjellje kriminale të mikut të tij.
Financieri Epstein, 66 vjeç, i dha fund jetës së tij në një qeli burgu këtë muaj ndërsa priste gjyqin për akuzat për abuzime seksuale.
Por akuza janë ngritur edhe ndaj princit britanik Andrew, i cili akuzohet nga Virginia Roberts e cila thotë se ka pasur të paktën 3 marrëdhënie intime me të, gjatë kohës kur ishte vetëm 17 vjeç. Në një deklaratë, Duka i Jorkut, tha se dëshironte të sqaronte faktet rreth miqësisë së tij me financierin amerikan.
“Unë kam qëndruar në disa rezidenca të tij. Në asnjë fazë gjatë kohës së kufizuar që kam kaluar me të nuk kam parë, dëshmuar apo dyshuar për ndonjë sjellje të llojit që më pas çoi në arrestimin dhe dënimin e tij”, tha Princi Andrew.
Duka – i cili tha se u takua për herë të parë me Epsteinin në 1999 – shtoi se ai kishte “simpati të jashtëzakonshme” për të gjithë ata që preken nga sjellja e Epsteinit.
“Vetëvrasja e tij ka lënë shumë pyetje pa përgjigje dhe unë e pranoj dhe simpatizoj të gjithë ata që janë prekur prej kësaj dhe presin përgjigje”, tha ai.
Princi Andrew theksoi se ai kurrë gjatë gjithë viteve të miqësisë së tij me Jeffrey Epstein nuk dyshoi në sjelljen e tij për abuzime pedofilie. Ai gjithashtu e cilësoi si një gabim të madh të tij, vazhdimin e takimeve me të, pas lirimit të tij nga burgu.