“PD nuk i njeh këto zgjedhje. Kryebashkiakët do të qëndrojnë në detyrë deri në zhvillimin e zgjedhjeve të tjera të ligjshme”. Kështu është shprehur të hënën ish deputetja e PD-së, Albana Vokshi në një intervistë për News 24. E pyetur se cilat do të jenë hapat në vijim të PD-së, pa zgjedhjeve të 30 qershorit, Vojshi tha se “ne do luftojmë përballë ndërkombëtarëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Do vazhdojmë të bëjmë atë që kemi bërë deri më sot, do vazhdojmë të denoncojmë Ramën”.
“PD e ka të qartë qëndrimin e saj, qysh me vendimin e bojkotit të zgjedhjeve. Këto ishin referendum i PD dhe doli se socialistët braktisën Edi Ramën. Kujtoj se kemi një dekret presidenti që ka zhdekretuar datën 30 qershor dhe ka dekretuar 13 tetorin. Gjithsesi për PD është e parëndësishme data e zgjedhjeve lokale, pasi PD ka nisur një betejë e cila nuk është një betejë vetëm e opozitës, por është një kauzë kombëtare, për zgjedhje të lira e të ndershme, një kauzë të cilës i jemi përkushtuar e të vendosur për ta çuar deri në fund. Pa shkuar para drejtësisë ata që janë kapur në një krim elektoral në zgjedhjet e fundit, sikurse është vërtetuar, nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme. Pra, PD do të vijojë betejën për zgjedhje të lira e të ndershme”, tha Vokshi.
Siç duket PD ende nuk ka një plan të qartë se cilat do të jenë hapat që do të ndërmarrë pas zhvillimit të zgjedhjeve të 30 qershorit, por vazhdon me të njejtën retorikë. Atë të bojkotit dhe të akuzave.