Albi Xhunga: Shanset e Lulëzim Bashës

Më të fundit


Pas përjashtimit të Sali Berishës dhe të mbështetësve të tij nga Partia Demokratike, tani gjendemi në një realitet të ri opozitar me shumë të panjohura. Ç’do të ndodhë me Berishën dhe mbështetësit e tij? Do të vazhdojnë të insistojnë të marrin partinë me protesta të dhunshme? Do të ndjekin rrugën gjyqësore? Apo do ta lenë me kaq dhe do të krijojnë një forcë të re politike përpara zgjedhjeve lokale, për të treguar se elektorati i djathtë është me ta? 

Çdo të ndodhë me Lulëzim Bashën tani që partia u përça? Do të jetë ai në lartësinë e duhur për të dalë nga kjo krizë më i fortë moralisht e politikisht? PD-ja e Bashës do të jetë, siç thonë përkrahësit e Berishës, një parti me zyra e me vulë, por pa elektorat? Apo Basha do të dijë të bëjë një opozitë të fortë, ndonëse pa molotovë e pa protesta të dhunshme, por me vendosmëri dhe me ide, duke u bërë kështu një alternativë reale qeverisëse?

Përgjigjet e të gjitha këtyre pyetjeve do të na i japin zgjedhjet e ardhshme lokale. Aty do të duket se cila është opozita e vërtetë në Shqipëri dhe debati i sotëm do të jetë përfundimisht i mbyllur. Deri atëherë do të ketë vetëm shumë fjalë e shumë tymnajë që fshehin të vërtetën.

Berishën e mundi Berishizmi

Megjithëse Lulëzim Basha kishte gjithë të drejtën e Botës të mos i jepte betejë kundërshtarit, pasi është zgjedhur me një anëtar një votë vetëm pak muaj më parë, çka edhe mëtuesit e fronit të PD-së së sotme nuk e kontestuan e nuk e kontestojnë, e megjithëse vota që jepet për një mandat është normalisht e parevokueshme para përfundimit të këtij mandati, megjithë ndryshimin eventual të situatave (përndryshe SHBA-të do të duhej të hynin në zgjedhje të parakohshme tani që kuotat e presidentit Biden janë diku te 40 përqind), nuk mund të anashkalohet fakti se në PD gara dhe konkurimi mungojnë. Në kuptimin e nxjerrjes së kundërshtarit nga loja pa garë, Sali Berishën sot e mundi berishizmi. Mungesën e garës nuk e solli Lulëzim Basha në PD. Ai nuk erdhi në një parti me traditë konkurimi dhe e ç’bëri atë. Këtë mungesë gare Lulëzim Basha e gjeti në mesin e berishistëve. Pra nëse Berishës nuk i jepet sot mundësia për betejë (garë), kjo është ajo çka ai vetë ka mbjellë në atë parti dhe sot po i kthehet kundër.

Mundësia e një poli të ri opozitar

Nëse Berisha e ka realisht mbështetjen që pretendon (çka në fakt nuk e treguan dy protestat ‘’kombëtare’’ të thirrura prej tij), nuk ka pse kacavirret në muret e godinës së PD-së, por formon një grup të ri parlamentar me deputetët që e përkrahin, formon një parti të re dhe u tregon vendin krerëve aktualë të PD-së. Kjo megjithatë nuk është ndërmarrje aq e lehtë. Partia e re do të hyjë në një garë elektorale pa asnjë resurs nga shteti shqiptar, pa zyra dhe me struktura që do të duhet të ngrihen nga zero. Që të mund të mbijetojë në zgjedhje, për shkak të ligjit zgjedhor që favorizon forcat e mëdha dhe koalicionet, ndoshta do t’i duhet të bëjë aleancë me partinë e familjes presidenciale. Kjo do të ishte lindja e një poli të ri opozitar, por edhe qartësisht lindja e një poli anti-amerikan në Shqipëri. Ky nuk është fundi i Botës. Forca politike anti-amerikane ka kudo dhe ka vende ku ato janë mjaft të votuara. Në demokraci të gjithëve duhet t’iu jepet një shans. Le ta provojnë fatin e tyre edhe aleatët e vjetër me hall të përbashkët. Ky variant bëhet i parealizueshëm vetëm nëse SPAK vendos të zgjohet nga gjumi letargjik dhe i lë këto parti pa lider e pa flamur.

Lulëzim Basha nuk ësht një politikan humbës

Akuza më e përdorur ndaj Lulëzim Bashës është ajo e një humbësi serial. Por nëse i bëjmë një retrospektive historisë politike të z. Basha, nuk rezulton që ai personalisht të jetë një politikan humbës. Në vitin 2005 kandidati i ri i ardhur nga studimet në Hollandë dhe pas një përvoje në institucionet ndërkombëtare, mposhti Arben Ahmetajn në Tiranë.

Kur shkoi drejtues politik në Elbasan e balancoi situatën, e cila më parë ishte qartazi në favor të së majtës. Në zgjedhjet lokale të vitit 2011 arriti të shkonte në 10 vota diferencë me Edi Ramën, kur dihet që prej shumë kohësh kryeqyteti voton majtas.

Humbjet e zgjedhjeve në 2017 dhe 2021 janë humbje të berishizmit, të cilin Lulëzim Basha nuk kishte forcë ta largonte nga partia pa ndihmën amerikane. Në këto dy palë zgjedhje humbi tendenca për ta kthyer Shqipërinë pas, duke ç’bërë reformën në drejtësi. Humbi logjika politike; ‘’Ose Shqipëria është e jona, ose e djegim’’, humbi politika e përplasjes së hapur me SHBA-të.

Politika me protesta me molotovë, me djegie mandatesh, me braktisje zgjedhjes dhe me tentativa për të mos lejuar që të zhvillohen zgjedhje, nuk është politika e Lulëzim Bashës, është politika e berishizmit që dominonte partinë demokratike. Përgjatë këtyre qëndrimeve opozitare, një kostum që dukshëm i rrinte shumë i gjerë politikanit të buzëqeshur që ka qenë gjithmonë më i butë e më i edukuar se ç’duhet e që as fjalorin nuk e ka prishur kurrë në publik, i vetmi faj i Lulëzim Bashës është që nuk e shprehu në kohë kundërshtinë e tij. Por a mund ta bënte? Përgjigjia është thjesht jo. PD-ja ishte një parti berishiste dhe një kundërvënie nga lideri i ri do ta flakte këtë të fundit jashtë politikës.

Vetëm tani që Sali Berisha u godit nga amerikanët, Lulëzim Basha kishte shansin real që të merrte kontrollin e partisë duke flakur jashtë Berishën dhe berishizmin. Goditja amerikane i uli në minimum kreditet e liderit historik në PD, duke i lënë pas vetëm grupin e zhurmshëm por të vogël të fanatikëve, çka e treguan dhe dy protestat ‘’kombëtare’’ të thirrura prej tij me pjesmarrje prej vetëm disa qindra njerëzish.

Të kërkosh idealizëm politik nga Lulëzim Basha për tetë vitet e aksionit opozitar, nuk është realiste. Vetëm tani që më në fund ka kontrollin e partisë mund të pritet që opozita e z. Basha të jetë një opozitë e vërtetë, e ndershme dhe konstruktive, ku debati të mos bëhet përmes molotovëve, por përmes ideve dhe ofertës së alternativës opozitare.

E ardhmja e Lulëzim Bashës

Marrë parasysh faktin se Partia Socialiste po qeveris vendin me vetëm 48 përqind të totalit të votave dhe realitetin e një pjese të konsiderueshme të elektoratit që nuk shkon të votojë, sepse ndihet i neveritur nga kjo klasë politike dhe i papërfaqësuar, atëherë hapësirat që ka përpara PD-ja e re janë të konsiderueshme dhe nëse shfrytëzohen si duhet mund ta përmbysë realitetin politik. Në zgjedhjet e vitit të kaluar PS-ja bëri një ligj zgjedhor ‘’sur mesure’’ me bekim ndërkombëtar, çka praktikisht i jepte fitoren në tavolinë.  Përveç kësaj opozita e drejtuar formalisht nga Lulëzim Basha dhe Monika Kryemadhi, por realisht nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, kishte si ofertë politike anti-amerikanizmin dhe ç’bërjen e reformës në drejtësi dhe duke ardhur nga një aksion opozitar që në qendër nuk kishte një alternativë qeverisje, por teorinë se Shqipëria ose është e jona, ose e djegim (duke e tentuar realisht këtë përmes sabotimit të proceseve demokratike dhe protestave të dhunshme me molotovë). Kjo i largoi asaj çdo votë gri nga elektorati i parreshtuar.

Lulëzim Basha i ka të gjitha mundësitë të reformojë Partinë Demokratike dhe të nisë një epokë të re në politikën shqiptare. Atë elektorat që humb nga fanatikët e ish liderit historik, mund ta disafishojë në grigjën e elektoratit gri, që sipas shifrave rezulton ‘’partia’’ më e madhe në Shqipëri.  Gjithçka varet nga vullneti dhe sinqeriteti i frymës së re opozitare të çliruar tashmë nga hijet e së shkuarës. Në rast se PD-ja e Lulëzim Bashës do të dijë të bëjë një opozitë në interes të shqiptarëve, duke mos iu shmangur asnjë emri oligarku që vjedh paratë e shqiptarëve dhe asnjë emri televizioni që ka përfituar nga paraja publike në forma të dyshimta. Duke i shkuar deri në fund komisionit parlamentar që po heton çështjen e inceneratorëve dhe duke e detyruar kështu drejtësinë e re që më në fund të mos merret me cironka, por të shkojë te peshkaqenët, Lulëzim Basha bëhet i pëlqyeshëm edhe përtej gardhit partiak, kusht ky i domosdoshëm për të përmbysur këtë maxhorancë që posedon të gjitha pushtetet në Shqipëri. Nëse me presionin e opozitës dhe fakteve të mbledhura prej saj në komisionin parlamentar drejtësia e re fillon të godasë lart, atëherë përmbysja e maxhorancës që sot duket thuajse e pamundur, bëhet një lojë fëmijësh. Kjo sjellje opozitare është e vetmja formë efikase në një luftë me dy fronte, që ka nga njëra anë supermaxhorancën dhe nga ana tjetër opozitën e dy ish presidentëve që do të kërkojnë të rifaktorizohen.

Nëse favorizimi i një fryme të re në PD i dha Lulëzim Bashës paraprakisht përkrahjen amerikane, të bërit opozitë të ndershme dhe konstruktive, jo vetëm ia forcon këtë përkrahje, por i jep atij edhe përkrahje nga kancelaritë europiane, aq të nevojshme për një forcë politike në rrugën drejt pushtetit.

Rruga e Lulëzim Bashës drejt pushtetit mund të duket e vështirë në këtë realitet politik, por në vendet në tranzicion realitetet politike ndryshojnë shpejt. Historia na tregon se në Shqipëri maxhorancat nuk janë mundur nga opozitat, por kanë rënë vetë nga lodhja nga pushteti, ose e kanë dorëzuar atë në shkëmbim të evitimit të përndjekjes penale, siç bëri psh ish kryeministri, Fatos Nano. Përkrahja e hapur për Lulëzim Bashën tregon se së paku amerikanët janë lodhr me këtë maxhorancë, ndaj kryeministrit mund t’i ‘’sugjerohet’’ të nisë fazën e tretë të jetës pak më shpejt se sa ai e kishte parashikuar, jashtë politikës, duke e falenderuar për kontributin e dhënë deri tani, mbi të gjitha për përkrahjen e reformës në drejtësi dhe duke e garantuar se askush nuk do t’ia prishë qetësinë duke i trokitur në vilën e Surrelit.

Përmbysja e status-quo-së nga Lulëzim Basha kërkon sforco të konsiderueshme, kërkon ndarje nga e shkuara, kërkon ndarje nga oligarkia që përfiton në mënyrë të padrejtë nga fondet publike, kërkon moral politik dhe kërkon vendosmëri. Nëse i arrin këto, kryeministri i ardhshëm do të quhet Lulëzim Basha dhe për këtë nuk do t’i duhet domosdoshmërisht të presë edhe tre vjet për zgjedhjet e rradhës.



Skip to toolbar