Xhunga: Teatër me Teatrin (Një histori jo edhe aq konspirative)

Më të fundit


Nga Albi Xhunga

Teatri Kombëtar u shemb. Bashkë me të u shemb edhe një pjesë e historisë sonë. Histori jo edhe aq e lavdishme, por gjithsesi histori. Ne nuk do të kemi më mundësi të shohim skenën ku luajtën aktorët tanë të mëdhenj. Pas vitesh debate, diskutime, rezistencë e akuza teatri u shemb.

Teatri është ndoshta treguesi më i rëndësishëm i qytetërimit. Elementi kulturor më brilant që na vjen nga lashtësia është pikërisht teatri. Çfarë do të ishte kultura e lashtë greke pa teatrin? Si do të dukej kjo kulturë pa veprat e Sofokliut, Eskilit, Euripidit? Çfarë do të kujtonim nga mesjeta e errët (përveç skllavërisë) pa Shekspirin?  Franca ka pasur pena që kanë tronditur njerëzimin si Viktor Hygo, ka pasur pena që kanë mahnitur breza si Emil Zola, por kur flasim për frengjishten, gjuhën e elegancës e të salloneve, i referohemi asaj si gjuha e Molierit pikërisht për të ngritur në pidestal magjinë e penës dhe finesën e oratorisë të shkrira në një pjesë teatrale.

Prishja e Teatrit ishte një sulm barbar ndaj historisë, ndaj identitetit tonë. Nevoja për një teatër të ri e modern mund të plotësohej fare mirë duke ruajtur ekzistuesin si muze dhe duke ndërtuar të riun diku tjetër. Një zgjidhje e tillë do t’i kishte lënë të gjitha palët të kënaqura dhe debati do të ishte sot i mbyllur. Prishja me patjetër duket edhe më absurde kur, ndoshta nga presioni i akuzave për korrupsion apo i mungesës së interesit të firmës, bashkia u tërhoq nga kullat që do të ndërtoheshin bashkë me teatrin e ri.  Pra interesat e aluduara korruptive bien me një teatër të ri pa kulla e pa privat të përfshirë, e megjithatë ai teatër duhej të prishej me patjetër. Që ky të ishte një obsesion i Ramës e i Veliajt, një çfaqe e arrogancës së tyre thjesht nuk ngjit.

Përse tani? Data 17 maj një rastësi?

Që pushteti të përfitonte maksimalisht nga pamundësia e protestave për shkak të karantinës do ta kishte prishur teatrin në mes të masave e të panikut të shkaktuar nga covid-19. Por jo. U prish tani kur pothuajse të gjitha masat janë hequr dhe paniku ka rënë. Nuk ishin aq të zgjuar sa të përfitonin maksimalisht nga situata, apo kështu iu interesonte?

Çfarë i nxitoi kaq shumë sa të mos respektonin thirrjet e Europës për dialog? Çfarë i bëri të mos prisnin një vendim eventual të Gjykatës Kushtetuese kur ajo të formohej?

Teatri u prish më 17 maj 2020, tre vjet pas firmosjes së marrëveshjes Rama-Basha. Rastësi? Ndoshta. Por për të shmangur keqkuptime të tilla mund të prishej një ditë më shpejt, një ditë më vonë.

Një rinovim i marrëveshjes së tre viteve më parë?

Përfshirja e opozitës

Opozita deri më tani ka mbajtur një distancë korrekte nga çështja e teatrit. E kishte përkrahur Aleancën për Teatrin, ishte shprehur kundra prishjes,  por kishte mbajtur atë distancë që do të mbante një forcë politike perëndimore, e cila çështje të tilla i mbron në mënyrë ligjore e institucionale dhe jo duke dalë në rrugë. Në botën ku duam të shkojmë në rrugë protestojnë sindikatat, shoqëria civile, grupet e ndryshme të interesit, po kurrë një parti politike, kurrë një opozitë.

Mirëpo opozita zgjodhi të zbresë në fushëbetejë. Me një gjuhë edhe më luftarake se kur dilte në protestë të mbronte demokracinë dje po organizohet të mbrojë teatrin sot. Teatri është për opozitën më i rëndësishëm se demokracia? Çështja e teatrit është më e rëndësishme se ato çështje që e bënë të dilte nga Kuvendi dhe të braktiste zgjedhjet lokale? E vështirë për t’u besuar. E megjithatë kreu i saj Basha deklaronte pas vendimit të Këshillit Bashkiak se nëse vija e kuqe (kupto teatri) shkelej opozita do të sulmonte Surrelin dhe vilat e oligarkëve. 

Sot (18 maj) opozita ka thirrur një protestë  në orën 16:30. Pyetjes së gazetarëve se si do të mbajë një protestë kur ai vetë ka mbrojtur masat e distancimit fizik për shkak të pandemisë Basha iu përgjigj se opozita do të protestojë duke ruajtur masat higjienike. Në fillim kishim protesta të dhunshme revolucionare, pastaj (me argumentet e ‘’pakundërshtueshëm’’ të Matthew Palmer) patëm një protestë familjare e tani mesa duket do të kemi edhe një protestë higjienike.

Dhuna policore, ose amplifikimi artificial i situatës

Duke qenë se prishja u bë natën, aktivistët, qoftë të shoqërisë civile qoftë të opozitës, nuk ishin të shumtë në numër dhe më kryesorja, nuk ishin të dhunshëm në protestën kundra prishjes. Mirëpo u pa një dhunë policore e pajustifikuar dhe  në disproporcion të plotë me rezistencën e aktivistëve. Skenat ku një polici reagonte dhunshëm ndaj protestuesish kryesisht paqësorë na bën të mendojmë se dikush ishte i interesuar që situata të përshkallëzohej. Po t’i shtojmë kësaj dhunën ekstreme (që nuk e kemi parë as në arrestime kriminelësh) ndaj një gazetari të njohur, kupa mbushet. Pamjet e disa policëve që shtrinë në tokë Alfred Lelën, i vunë gjurin në kokë duke e ngjeshur me fytyrë në asfalt dhe tërheqja e tij zvarrë në prani të kamerave e në prezencë të turmës  është sjellja e një policie leshkosh që nuk është e denjë për atë uniformë. Plagët e gazetarit do të shërohen, por këto pamje dhune do të jenë një njollë e zezë që do të rrijë gjatë në fytyrën e këtij pushteti.

Reforma zgjedhore, thembra e Akilit

Siç thamë më sipër asgjë nuk e pengonte pushtetin ta prishte teatrin para ose pas një muaji. Asgjë nuk e pengonte opozitën të merrte pjesë më shpejt në protestat për mbrojtjen e teatrit (çka nuk do të ishte politikisht korrekte, por gjithsesi do ta forconte çështjen). Por nëse këto ndodhin pikërisht sot, na lind e drejta të mendojmë se këtu diçka po fshihet. Zhurma e krijuar tenton të sfumojë një çështje më të rëndësishme për të cilën politika nuk e ka për gjë të bëjë një fli me ndjeshmëri publike. Asgjë e rëndësishme përveç reformës zgjedhore nuk është sot në aktualitet dhe kjo reformë është sot e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund pushtetit të pakufishëm të kryetarëve të partive. Një reformim i sistemit dhe një hapje e listave do t’iu hiqte atyre burimin më të madh të pushtetit. Pas bllokut të opozitës parlamentare për të mos lejuar një make-up të sistemit pa prekur thelbin e tij dhe pas presionit ndërkombëtar për një reformë cilësore, kryetarëve-mbretër nuk u mbetet gjë tjetër përveçse të krijojnë një tymnajë deri sa kjo situatë të kalojë.

I ftuar në Real Story dhe i pyetur nga moderatori se çfarë mendoja (kur në pamjet live Lulëzim Basha po shkonte pranë ambienteve të teatrit dhe bëri aty deklaratat luftarake) u përgjigja se për mua këto ishin shashka që i hidhen publikut për të hequr vëmendjen nga reforma zgjedhore. Nëse atë mbrëmje aludimi se një teatër po luhej për teatrin dhe me teatrin e bënte këtë një teori konspirative, deklarata e Bashës mbrëmë se opozita do të tërhiqej nga këshilli për reformën zgjedhore na jep provën që mungonte.

Asgjë nuk e lidh reformën zgjedhore me teatrin e prishur. Ajo reformë nuk i shërben pushtetit, i shërben demokracisë, i shërben shqiptarëve. Një hapje e sistemit do të sillte domosdoshmërisht edhe demokratizimin e partive. Këto parti nuk do të ishin më pronë e kryetarëve. Një hapje e listave do t’i jepte çdo deputeti forcën që ai meriton, duke ulur ndjeshëm varësinë e tij nga kryetari. Do t’i jepte skenës politike deputetë me personalitet dhe do të shmangte mbushjen e kuvendit me lolo kryetarësh.

Por këta kryetarë do të bënin gjithçka për të mbajtur pushtetin që iu jep lista e mbyllur. Ata kanë treguar se nuk ngurrojnë të bëjnë marrëveshje okulte kur është në lojë pushteti i tyre personal. Marrëveshja e 17 majit 2017 e provon këtë. Ndërsa mungesa e opozitës reale në tryezën e këshillit për reformën zgjedhore është prova që mungonte se po luhet një teatër për teatrin e me teatrin. Realstory.al



Skip to toolbar