Albin Kurti: Nuk kam ndryshuar qëndrim për “Ballkanin e Hapur”

KOSOVA


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka folur lidhur me qëndrimin e tij ndaj nismës ‘Ballkani i Hapur’

Kurti ka thënë se nuk mund ta mbështes një iniciativë të tillë, e cila sipas tij, nuk ka as platformë, as kontratë themelore, as strategji as plan veprimi.

“Nuk kam qëndrim tjetër. Ballkani i Hapur, me sa e di unë as website nuk ka. Pra, është një iniciativë që nuk ka as platformë, as kontratë themelore, nuk ka as strategji, as plan veprimi”, ka thënë ai.

Shefi i Qeverisë ka deklaruar se ‘Ballkani i Hapur’ nuk është sipas rregullave të Bashkimit Evropian dhe nuk ka financim nga BE-ja.

“Nuk është sipas rregullave të Bashkimit Evropian, nuk e ka financimin e Bashkimit Evropian dhe unë nuk mund ta mbështes një iniciativë të tillë”, ka thënë Kurti në një intervistë në Rubikon.

Kujtojmë se në kuadër të nismës ‘Ballkani i Hapur’, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë arritur një sërë marrëveshjesh, që thuhet se kanë për qëllim përmirësimin e bashkëpunimit rajonal.

Marrëveshjet, mes tjerash, përfshijnë lëvizjen e qytetarëve të tyre me letërnjoftime, bashkëpunim në lehtësimin e importit dhe eksportit të mallrave, si dhe një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për qasje të lirë në tregun e punës.

Tre nismëtarët e “Ballkanit të Hapur”, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, e kanë ideuar këtë koncept në vitin 2019 me qëllim të, siç është thënë, krijimit të një zone të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në Ballkanin Perëndimor.



Skip to toolbar