Aleatët kanë shpresë te ndërkombëtarët, Duka: Në vjeshtë nis dialogu qeveri-opozitë

AKTUALITET


Aleatët e Lulzim Bashës kanë shpresë se zgjidhja e krizës do të vijë nga ndërkombëtarët të cilët do të nxisin dialogun mes qeverisë dhe opozitës. Agron Duka, kreu i PAA-së mendon se në vjeshtë do të nisë dialogu mes palëve nën ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve të cilët sipas tij e kanë kuptuar se përgjegjës për këtë situatë është maxhoranca.

 “Pavarësisht distancës që ndan palët dhe pavarësisht pushtetin që ka akumuluar mazhoranca, fati i kësaj krize është i shkruar. Akumulimi ciklik i problemeve, të nisura me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, e pruri situatën në këtë ngërç total nga i cili do të dalim përfundimisht muajt në vijim. Dialogu do të fillojë, dhe do të jenë përsëri ndërkombëtarët që do ta nxisin atë. Pas qëndrimeve të ashpra ndaj opozitës, e cila nuk u shpërblye për daljen nga institucionet, partnerët ndërkombëtar kanë vendosur në shënjestër ata që janë shkaktarët e krizës, mazhorancën. Vendimi i DASH-it në raport me një përfaqësues të lartë politik të PS-së, ishte një sinjal i qartë politik për mazhorancën dhe për drejtësinë shqiptare”, u shpreh Duka për gazetën Sot.

Kreu i PAA tha se vjeshta do të sjellë një fillim të ri të marrëdhënieve mes qeverisë dhe opozitës. “Duke ndëshkuar ata që kanë kryer krim elektoral, do të krijohen kushtet për dialog dhe ndryshimet rrënjësore në ligjin zgjedhor që do të pamundësojnë kriza si kjo e sotmja. Pas gushtit dhe pasi të jenë nxjerrë mësimet e duhura nga të dyja palët, do të kemi një fillim të ri të marrëdhënieve pozitë-opozitë”, u shpreh Duka. Kreu i PAA foli edhe për vendimin e tij për të marrë pjesë në zgjedhjet e 13 tetorit, të dekretuar nga presidenti Meta. Sipas Dukës, ky është i vetmi akt kushtetues që lidhet me zgjedhjet, duke shtuar se pas dorëzimit të kërkesës, KQZ duhet të vendoset në lëvizje.

Pavarësisht deklaratës së Dukës deri tani palët ndodhet në pozicione ekstreme që nuk lënë hapësira për dialog. Megjithëse Rama është shprehur i gatshëm për të dialoguar ai ka vënë kushte të prera duke refuzuar  të heqë dorë nga posti i kryeministrit si dhe të negociojë për zgjedhje të parakohshme. Pikërisht këto janë edhe dy kërkesat parësore të Bashës. Ai thotë se s’ka zgjedhje me Ramën kryeministër dhe pa një qeveri tranzitore. Madje vetë kryeministri ka thënë se deri tani ata nuk kanë pasur asnjë urë komunikimi mes tyre as me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, ndërsa këta të fundit e kanë bërë të qartë se zgjidhja e krizës duhet të vijë nga institucionet shqiptare. Ndoshta deri në vjeshtë do të rrjedhin shumë ujëra që mund të përmbysin këto qëndrime duke sjellë edhe zgjidhjen e krizës në vend.



Skip to toolbar