Ambasadori i ri gjerman Peter Zingraf ka nisur ditën e martë zyrtarisht detyrën e tij në Shqipëri, duke zëvendësuar ambasadoren Susanne Schütz, të cilës i përfundoi mandati në vendin tonë. Ardhja e tij ka detyruar edhe presidentin Meta të braktis pushimet në Prevall dhe në ngjitjen e majave të larta si sfidë të re që i ka vendosur vetes.
Zingraf u takua me Presidenti Meta, të cili i dorëzoi Letrat Kredenciale dhe u shpreh mjaft i lumtur që fillon detyrën si Ambasador i Gjermanisë në Shqipëri. Në faqen zyrtare të Ambasadës Gjermane, Zingraf shprehet se do të vijojë mbështetjen e reformave të rëndësishme në Shqipëri dhe integrimin e saj duke shprehur qëndrimin e përsëritur të kancerales Merkel, e cila vetëm një ditë më parë tha se “europa është e bashkuar kur Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e saj.” (lexo këtu)
“Marrëdhëniet gjermano-shqiptare janë të ngushta dhe të larmishme. Pres me padurim të njoh njerëz nga fusha të shumta të jetës dhe së bashku të gjejmë mënyra për të thelluar shkëmbimin tonë si dhe mbështetur kursin e reformave në Shqipëri.”- citon Zingraf
Gjatë takimit, presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen 30-vjeçare të Gjermanisë për zhvillimin e Shqipërisë dhe integrimin e saj në strukturat euro-atlantike.
“Shqipëria do vijojë të mbështetet me besim dhe bashkëpunim gjithnjë e më të ngushtë tek Gjermania mike dhe partnere strategjike. Ne mirëpresim angazhimin e sinqertë dhe vendimtar të Bundestagut për të ndihmuar Shqipërinë në rrugën drejt çeljes së negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian dhe për përparimin e vendit tonë drejt standardeve demokratike evropiane.” – tha Meta
Ambasadori i ri gjerman Zingraf do të mbështesë Reformën në Drejtësi dhe vënien sa më shpejt në zbatim e saj në mënyrë që të ecet përpara me integrimin e vendit. Presidenti Meta ka qenë shpesh herë sulmues ndaj kësaj reforme, ku nuk ka kursyer as akuzat ndaj ndërkombëtarëve. Le të shpresojmë që ambasador i ri gjerman të mos bëhet pjesë e sulmeve të Metës, i cili duket se e ka kthyer në një hobi të tij kohët e fundit.