Ambasadori në Paris: Çfarë ndodhi pas incidentit me himnin

AKTUALITET


Ambasadori shqiptar në Francë Dritan Tola ka dhënë një intervistë në “Radio France”, ku ka shpjeguar rrethanat dhe reagimet ndaj incidentit të ngatërrimit të himnit tonë kombëtar gjatë ndeshjes Francë-Shqipëri.

Sipas ambasadorit ajo që ndodhi para ndeshjes në Stade de France, është një gabim protokollar që mund të ndodhe dhe nuk prek marrëdhëniet dypaleshë. “Përgëzoj ekipet për ndeshjen, francezët dhe shqiptarët për futbollin që luajtën. Incidenti me himnin është për të ardhur keq, por reagimi i autoriteteve franceze dhe qindra telefonatat e marra nga ambasada nga njerëz të thjeshtë, francezë dhe shqiptarë, janë një mbështetje që e bëjnë këtë incident një ngjarje relative dhe që nuk lë gjurmë”.

Ambasadori konfirmoi që autoritetet më të larta franceze kanë kërkuar ndjesë pranë Federatës Shqiptare të futbollit dhe qeverisë shqiptare. Një mesazh i tillë u nis nga Presidenti Macron për kryeministrin Rama. Po ashtu, ai me nota ironike tha “Të shpresojmë që ndeshjen e ardhshme që Franca ka me Andorrën të mos luhet himni i Shqipërisë”.

Dritan Tola konfirmoi se ndeshja e kthimit në Tiranë në nëntor do të jetë një festë, gjatë së cilës do inaugurohet edhe stadiumi i ri kombëtar i Shqipërisë. “Padyshim që himni francez do të luhet para ndeshjes”, tha Tola.



Skip to toolbar