Zhdukja e biznesmenit turk nga jahti, dy pistat e hetimit

AKTUALITET


Zhdukja e biznesmenit turk, Sevgin Yavuz, vazhdon të jetë e mbuluar me mister. Jahti i 31-vjeçarit u gjet të shtunën 12 milje larg portit të Shëngjinit dhe të parët që e pikasën ishin disa peshkatarë. Për disa orë ata kanë qenë duke peshkuar dhe kanë parë që mjeti luksoz nuk ka lëvizur nga vendi. Ata janë afruar dhe kanë parë se në jaht nuk kishte njeri edhe pse mjeti lundrues ishte me motorë ndezur.

Menjëherë kanë njoftuar kapitanerinë e portit të Shëngjinit, e cila ka bërë ankorimin e jahtit. Ndërsa prej ditës së shtunë kanë nisur kontaktet me autoritetet turke. Informacion është kërkuar edhe nga Mali i Zi, pasi pikërisht nga Porti i Tivarit ishte nisur Sevgin Yavuz me jahtin e tij.


Prokuroria dhe policia e kanë të pamundur të japin një pistë konkrete për këtë rast. Paraprakisht dyshohet se mund të kemi të bëjmë më një aksident ku biznesmeni mund të jetë futur në det për tu larë dhe mjeti lundrues të jetë larguar nga ai.

Dyshimet e para të hetuesve është se kemi të bëjmë me një ngjarje aksidentale por itinerari i përshkruar nga biznesmeni ka shtuar edhe pistën e një eliminimi nga grupe kriminale të përfshira në një trafik droge. Ndalur tek anija luksoze e regjistruar me flamurin turk me të dhënat ATIKA BEY dhe targë YM 9896 do t’i kthehet familjarëve të Yavuz, të cilët janë nisur tashmë drejt Shqipërisë.

Por hetuesit janë duke këqyrur jahtin për të zbuluar nëse 31 vjeçari ka qenë vetëm gjatë largimit nga Porti i Tivarit. Ndërsa nga Turqia priten të dhëna mbi aktivitetin e biznesmenit atje dhe nëse ka pasur konflikte të hapura me njeri.




Skip to toolbar