Edhe Turqia është treguar zemërgjerë dhe solidare me Shqipërinë pas fatkeqësisë së tërmetit që e goditi të martën e 26 nëntorit. Presidenti turk Regep Tayp Erdogan ka marrë përsipër të ndërtojë 500 njësi banimi në Shqipërinë e përkulur nga kjo fatkeqësi. Ambasadori i shteti turk, Murat Ahmet Yörük, tha se kanë ardhur në vendin tonë ekipet që do të bëjnë të gjitha studimet dhe në bashkëpunim me qeverinë të ndajnë vendet dhe qytetet ku do të ndërtohen këto godina të reja për gjithë të prekurit nga tërmeti i fuqishëm që la pas dhjetëra viktima nën rrënoja.
“Që nga momenti i parë ne filluam të bashkërendojmë përpjekjet me qeverinë shqiptare. Ekipe nga Turqia erdhën brenda 12 orësh, agjencitë e fatkeqësive erdhën për operacionet e kërkim-shpëtimit, ministria e Shëndetësisë dërgoi 8 ekipe mjekësore. Gjysmëhëna turke ka filluar të bëjë fushatë në Turqi për të ndihmuar gjithë ata njerëz vëllezër dhe motra në nevojë. Presidenti ynë, që nga dje njoftoi se Turqia do të ofrojë 500 njësi banimi në zonat e prekura nga tërmeti. Që sot në mëngjes ekipet tona të ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Urban kanë mbërritur në Tiranë. dhe sot patëm një takim të rëndësishëm nën patronazhin e ministrit të Kulturës për të bashkërenduar projektet për strehimet e reja. Modeli i punës i agjencisë sonë të strehimit publik nuk punon duke i prishur një nga një shtëpitë në vende të ndryshme sepse unë fola me kryetarin e ekipit, dhe më thanë që ka nevojë që qeveria tu tregojë zonat në qytetet se ku ju mendoni se duhet t’i bëjmë. Por ata nuk përdorin modelin e transformimit të qytetit apo rrugëve. Misioni i tyre është të ndërtojnë shtëpitë e reja”, tha ambasadori turk.
Duke u treguar falënderues ndaj ndihmës së madhe të Turqisë për të cilën tha se e ka falënderuar personalisht presidentin Erdogan, kryeministri Edi Rama tha se përvoja e Turqisë që është goditur nga tërmete të mëdha, do ta ndihmojë Shqipërinë të rindërtohet.