Një ditë e ngjeshur plot me takime kjo e martë për kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha. Pasi zhvilloi një takim me kryetarin e PE-së David Sassoli dhe më pas me delegacionin e Kongresit të Autoriteteve Lokale në Komisionin Euuropian, lideri i PD-së po pret ambasadoren e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim.
Diplomatja është pritur në hyrje të selisë nga vet Basha, ndërsa ky është takimi i parë prezantues mes tyre. Basha ishte thuajse i fundit qe takoi Yuri Kim, nderkohe qe beri pershtypje mungesa e tij ne pritjen e saj pak dite me pare.
Pas takimit Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës shpërndau për mediat informacione mbi takimin. “Gjatë takimit të saj sot me Kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, Ambasadorja Kim nxiti të gjitha palët të qëndrojnë në tryezë dhe të përfundojnë një kod zgjedhor. Ambasadorja gjithashtu konfirmoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për institucionet dhe praktikat demokratike në Shqipëri.” – thuhet në njoftimin e Ambasadës.
Ndërkaq, Lulzim Basha pas takimit u shfaq optimist dhe tha se të gjitha takimet e sotme po bëhen për t’i dhënë shqiptarëve një rrugë shprese dhe zhvillimi. Ai paralajmëroi se dita nuk ka mbaruar dhe se do të ketë plot zhvillime dhe lajme duke mos bërë të qartë se çfarë do të bëhet konkretisht.
“Dita e zhvillimeve politike sot dhe atyre që do të vijnë do të jetë plot me lajme, me prioritete, me zhvillime. Për një gjë ju siguroj, se gjithçka që po bëhet po bëhet për t’i shërbyer një qëllimi që shkon përtej Partisë Demokratike dhe opozitës, qëllimi për t’u dhënë shqiptarëve një rrugë shprese dhe dalje nga kriza. Kështu që në këtë kuptim ndjehem i inkurajuar nga takimet sot dhe do të vazhdoj t’ju mbaj të informuar.” – u shpreh Basha.
Ndërkaq me anë të një postimi në Facebook, Lulzim Basha është shprehur se e ka garantuar ambasadoren Kim për angazhimin e plotë dhe serioz të PD në zbatimin e reformave dhe zgjidhjen e krizës politike.
“Kënaqësi e veçantë të mirëpres Znj. Yuri Kim, Ambasadoren e SHBA, aleatit dhe partnerit tonë strategjik. E urova Ambasadoren Kim për detyrën e re dhe e sigurova atë për bashkëpunim të plotë të opozitës në përmbushjen e të gjithë angazhimeve të vendit tonë me SHBA. Ndava me të pikëpamjet për zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe e garantova për angazhimin e plotë dhe serioz të PD në zbatimin e reformave dhe zgjidhjen e krizës politike. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të jenë në krah të popullit shqiptar ashtu siç kanë bërë gjatë gjithë historisë së marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve tona.” – shkruan Basha në Facebook.