Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim ka vizituar mëngjesin e së hënës Presidencën, ku i ka dorëzuar Kreut të Shtetit, Ilir Meta letrat kredenciale, duke nisur zyrtarisht kështu dhe misionin e saj diplomatik si përfaqësuesja më e lartë e SHBA në Tiranë.
Pas takimit, kreu i shtetit, Ilir Meta postoi një video të takimit. “I kënaqur të prisja dhe të pranoja Letrat Kredenciale të Ambasadores së re të SHBA, znj.Yuri Kim. SHBA një partner strategjik, i pazëvendësueshëm për Shqipërinë. Së bashku të përballojmë me sukses sfidat që ka vendi”, shkruajti Meta.
Pas takimit me Presidentin, ambasadorja Kim pritet të mbajë rreth mesditës një konferencë për shtyp në selinë e ambasadës. Yuri Kim është anëtare në stafin e lartë të Shërbimit të Huaj dhe ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore. Ajo ka shërbyer si Këshilltare Politike në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Bagdad dhe në Ankara. Ka qenë gjithashtu Asistente Speciale e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit dhe anëtare e delegacionit të Shteteve të Bashkuara në bisedimet gjashtë palëshe për t’i dhënë fund programit bërthamor të Koresë së Veriut etj. Kim është gruaja e parë koreano-amerikane që përfaqëson SHBA në postin e një ambasadori, është gjithashtu personi i parë nga territori amerikan i Guamit që shërben në një post të tillë.
Gjatë prezantimit të saj para Komisionit të Jashtëm të Senatit në muajin nëntor, Kim deklaroi se do të inkurajonte Shqipërinë të zbatonte plotësisht reformat në sistemin e drejtësisë, përfshirë dhe krijimin e strukturave të posaçme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kim është shprehur gjithashtu se do të nxisë eksportet dhe investimet amerikane në Shqipëri.