Një eklips total diellor ka mbuluar me errësirë për 2:36 minuta pjesën jugore të kontinentit të Amerikës Latine. Qindra mijëra njerëz shkuan në rajonin verior Coquimbo të Kilit, pranë shkretëtirës së Ataçamës, e cila është e mbushur me disa nga teleskopët më të fuqishëm të planetit, për të ndjekur eklipsin e rrallë diellor, të martën pasdite. Turmat e njerëzve u mblodhën në qytetin La Higuera, rreth 2400 metra mbi nivelin e detit, pranë Observatorit La Silla.
“Unë nuk besoj se ka një vend tjetër më të mirë se ky në botë, për të parë një eklips diellor”, është shprehur për mediat lokale një turiste australiane, që kishte shkuar posaçërisht për të parë këtë fenoment të rrallë të sistemit tonë diellor.
Eklipset krijohen nga vendosja në një vij të drejtë e Diellit, Hënës dhe Tokës, duke i lejuar Hënës (satelitit të Tokës), që të krijojë hije mbi planetin tonë. Zona ku ndodhet observatori i La Silla, ka motë të thatë, ajër të pastër dhe ndriçim të ulët të dritës diellore, duke e bërë një vend të shkëlqyer për të shijuar spektaklin e eklipsit.
Eklipsi nisi në orën 13:01 me orën lokale të Kilit mbi Oqeanin Paqësor dhe krijoi një brez errësire prej 150 kilometrash. Një eklips i till diellor ndodh shumë rrallë pranë vendeve ku ka të instaluar teleskop për studimin e galaktikës tonë yjore, ndaj për banorët e Kilit, ajo është përjetuar si ditë feste.
“Sot është një ditë shumë e rëndësishme dhe ne kemi pritur shumë për këtë ditë”, u shpreh Presidenti i Kilit Sebastian Pinera. “Vendi jonë është kryeqyteti i botës në askeptin e astronomisë.
Ne jemi sytë dhe shqisat e njerëzimit, duke qenë se kemi mundësi të shohim, vëzhgojmë dhe studiojmë yjet dhe universin”, është shprehur presidenti kilian.
Në qytete të tjera të Kilit, njerëzit hipën mbi çatitë e shtëpive për të parë eklipsin, ndërsa në vende të caktuar u mbyllën shkollat, me qëllim që fëmijët të kishin mundësi të shihnin spektaklin që dhuroi eklipsi. Eklipsi është fotografuar nga vende dhe kënde të ndryshme, duke fiksuar në foto dhe pamje këtë spektakël të rrallë.