Amnistia për gratë dhe fëmijët. Përfitojnë dhe burrat

AKTUALITET


28 gra të burgosura do të lënë qelitë, ndërsa nga amnistia përfitojnë ulje dënimi edhe 28 gra të tjera të dënuara dhe 2 të mitur, ndërsa përfituesit më të mëdhenj duket se janë burrat e burgosur.

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj tha se duke u bazuar në kriteret ligjore është miratuar drafti për amnistinë nga i cili përfitojnë vetëm të burgosurit për vepra të lehta penale. Pavarësisht se mund të plotësojnë kriteret, ata që kanë kryer vepra të rënda ku përfshihet vrasja, nuk përfitojnë nga amnistia. Sipas ministres nga ky draft përfitojnë 28 gra që u falet dënimi, pra dalin nga qelitë, 28 të tjera përfitojnë ulje me 1/3 e dënimit, 4 të dënuar të mitur (që janë gjithsej në burg), 2 prej të cilëve lënë qelitë dhe dy të tjerë përfitojnë ulje dënimi me 1/3; burrat që janë me dënim të formës së prerë deri në 2 vjet burg, që kanë marrë vendimin para 30 shtatorit 2019, ose që i kanë mbetur 2 vite burg ose më pak si dhe burrat mbi 60 vjeç.

“Miratohet drafti për amnistinë. Qëndrimi dhe angazhimi i qeverisë ka qenë që kjo amnisti t’i dedikohej kategorive të veçanta. Nga kjo amnisti në bazë të gjitha kritereve, nga 56 gra që vuajnë dënimin fitojnë lirimin gjysma e tyre, ndërsa gjysma tjetër përfitojnë uljen e dënimit me 1/3. Nga kjo amnisti përfitojnë edhe një numër i konsiderueshëm burrash. Një kategori tjetër përfituese janë burrat mbi 60 vjeç. Një pjesë tjetër, të dënuar për vepra penale të rënda ose shumë të rënda nuk mund të përfitojnë. Shpresojmë që Kuvendi të jetë dakord me propozimin e qeverisë”, tha Gjonaj.

Ajo uroi që Kuvendi ta miratojë pa ndryshime draftin e qeverisë ndërkohë që pritet që ky draft të miratohet në Janar pasi Kuvendi i mbylli punimet për vitin 2019.



Skip to toolbar