Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj u shpreh në “Real Story” se është duke u përgatitur drafti për amnistinë, ku pritet të përfitojnë disa kategori të dënuarisht. Gjonaj u shpreh fillimisht se drafti u shty për shkak të zgjedhjeve të 30 qershorit, ndërsa tani është duke u diskutuar me institucionet e tjera përgjegjëse.
“Presidenti nuk ka rol në amnisti, por ka rol në falje me propozim të Ministrisë së Drejtësisë. Amnistia bëhet me ligj, vjen nga qeveria dhe i drejtohet parlamentit. Ministria e Drejtësisë në këtë process nuk është vetëm, sepse konsultohemi me të gjithë aktorët. Ne kemi disa kohë që po punojmë për një draft dhe një projekt. Ai u shty për shkak të zgjedhjeve të 30 qershorit. Jemi në diskutime në këtë moment me Prokurorinë e Përgjithshme për kategoritë që do të përfitojnë”, tha Gjonaj.
Ajo u shpreh se dy kategoritë që pritet të përfitojnë më shumë janë gratë dhe të miturit. “Unë planifikoj që në këtë projekt të propozojmë të ketë një amnisti me kritere më lehtësuese për gratë dhe të miturit. Janë disa vepra penale që nuk amnistohen. Ne jemi mundur të parashikojmë kritere lehtësuese për gratë”, u shpreh Etilda Gjonaj.
Në fund ajo shtoi se edhe për të moshuarit do të ketë përfitime, ndërsa drafti do të duhet të kalohet nga Qeveria dhe më pas në Kuvend. “Drafti që jemi duke përgatitur parashikon diçka edhe për të moshuarit. Unë do ta propozoj që të kalojë me vendim në Qeveri, më pas është fjala e fundit e Kuvendit”, tha ministrja./Realstory.al/