Lirimi i Dokles, Gjonaj kallëzon gjyqtaren. KLD e Metës heshti herën e parë

AKTUALITET


Lirimi i Endrit Dokles nga gjyqtarja Enkelejda Hoxha ka sjellë reagimin e ashpër të Ministrisë së Drejtësisë, duke kërkuar shkarkimin e kësaj gjyqtareje nga KLGJ dhe ndjekje penale nga prokuroria, ndërkohë që ministrja Etilda Gjonaj ka denoncuar dhe faktin se e njëjta gjyqtare është denoncuar për lirimin e Genc Tafilit, por KLD, që ishte nën drejtimin e Presidentit Meta, ka heshtur ndaj këtij fakti.

Reagimin e saj, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj e ka bërë gjatë një deklarate për mediat, duke dënuar lirimin nga burgu të të dënuarit me burgim të përjetshëm Endrit Dokle dhe duke e cilësuar vendimin si një kambanë alarmi për drejtësinë.


“Lirimi i të dënuarve me burgim të përjetshëm është një kambanë alarmi për procesin ku ndodhet drejtësia. Ndihem e keqardhur për këtë vendim edhe pse shqetësimin e kam shprehur institucionalisht, duke kërkuar verifikim të menjëhershëm. Shqetësimi ynë për gjyqtaren Enkeleda Hoxha është përçuar në 8 Janar 2018 pas lirimit të Genc Tafilit. I jam drejtuar Inspektoratit të Këshillit duke ndeshur në heshtje dhe papërgjegjshmëri”, deklaroi Gjonaj, duke iu referuar ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në kohën kur ministrja ishte anëtare dhe KLD drejtohej nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Po ashtu, ajo vuri në dukje se menjëherë pas lirimit të kreut të Bandës së Durrësit, Indrit Dokle, rival i Lul Berishës, është kryer një verifikim i vendimit të gjyqtares dhe fakteve publike. “Nisur nga analiza e detajuar rezulton se gjyqtarja ka marrë vendim në kundërshtim të hapur me kriteret e lirimit me kusht dhe Kodit Penal. Edhe pse Ministria e Drejtësisë nuk ka kompetenca në sistemin e drejtësisë, ndjejmë detyrimin për t’i adresuar aktorëve të tjerë për të vepruar në interes të qytetarëve. Në datën 15 janar i jam drejtuar KLGJ për pezullimin e saj dhe marrjen e masave për shkarkimin e saj nga detyra e gjyqtarit. I kam kërkuar prokurorisë ndjekjen penale të gjyqtares për parandalimin e veprimeve të tilla. I jam drejtuar KPK dhe OMN për ndjekjen e rastit”, theksoi ministrja Gjonaj.

Po ashtu, ajo deklaroi se për lirimin e Dokles janë ndërmarrë dhe të gjitha hapat që ka në kompetencë Ministria e Drejtësisë, duke shkarkuar kështu dhe drejtorin e shërbimit të provës në Krujë. “Ndër vite ndaj kësaj gjyqtareje ndaj të cilës rëndojë denoncime për shkelje të ligjit dhe korrupsion. Janë marrë të gjitha masat, është pezulluar drejtori i shërbimit të provës Krujë dhe është depozituar ndjekje penale ndaj tij. Vendime të tilla të dhëna nga një individ i caktuar apo të tjerë që e kanë të qartë që nuk do e kalojnë vettingun duhen marrë masa për të kthyer besimin e qytetarëve tek drejtësia. Kuvendi do shqyrtojë me urgjencë masa ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve KÇK”, tha Gjonaj.




Skip to toolbar