Anëtari i KQZ “provokon” opozitën për 13 tetorin: 4 ditë afat për t’u regjistruar

POLITIKË


Anëtari i KQZ-së, Bledar Skënderi ka deklaruar se me datë 13 tetor nuk ka zgjedhje dhe se për këtë institucion është zyrtarisht ditë pushimi, duke provokuar se edhe ato parti që mund të jenë dakord me këtë datë nuk janë regjistruar sipas Kodit Zgjedhor dhe vetëm 4 ditë u kanë mbetur afat për të bërë kërkesë. Skënderi ka deklaruar se nëse 13 tetori do të ishte një datë normale zgjedhjesh, puna duhet të kishte gjashtë muaj më parë, gjë e cila nuk ka ndodhur, pasi 30 qershori është “kapitull” i mbyllur për KQZ-në, ndërsa sipas Kodit Zgjedhor subjektet politike duhet të regjistrohen për zgjedhje 70 ditë përpara, afat i cili mbaron më 4 gusht.

“Juridikisht, subjektet politike do të duhet të regjistrohen për zgjedhje 70 ditë përpara dhe propozimi i anëtarëve të ZAZ duhet të dorëzohen sipas ligjit 90 ditë para, por deri më tani asnjë subjekt politik nuk ka paraqitur në KQZ asnjë propozim për regjistrim, ndonëse kanë mbetur katër ditë nga përfundimi i afatit”, sqaron Skënderi në një intervistë për Report Tv.

Përfaqësuesi i KQZ, theksoi se veprimet e presidentit, ose më saktë dekretet e tij mbi anulimin e 30 qershorit e aq më tepër caktimin e 13 tetorit, janë akte të pavlefshme që nuk sjellin pasoja. Mbi të gjitha, Skënderi tha se një palë zgjedhje të reja do ishin një kosto shumë e madhe për shqiptarët. “Në Shqipëri zgjedhjet u kushtojnë 800 milionë lekë të reja”, përfundoi ai.

KQZ sapo i mbaroi certifikimin e zgjedhjeve, ndërsa aleatët e Bashës kanë deklaruar se këto ditë mblidhen për të vendosur nëse do të hyjnë zgjedhjet e 30 qershorit.



Skip to toolbar