Apeli i Posaçëm lë në burg Oltion Bistrin, ish-shefin e Forcave Operacionale

AKTUALITET


Apeli i Posaçëm i GJKKO ka lënë në fuqi vendimin “arrest me burg” për ish-shefin e Forcave Operacionale Oltion Bistri.

Ai u vu në pranga në kuadër të operacionit  “Metamorfoza”, ndërsa kërkesa e tij për masë më të butë sigurie u hodh poshtë.


Oltion Bistri u arrestua në korrik të vitit të kaluar në kuadër të operacionit ‘Metamorfoza’.

Në pranga ranë edhe drejtuesi i prokurorisë së Kukësit Xhevahir Lita, biznesmeni Pëllumb Gjoka si dhe shtetasit Esmar Bilali, Ardit Hasanbenga dhe Edmond Preka, të akuzuar për një sërë veprash penale.

Ai akuzohet për nxjerrje të sekretit hetimor dhe shpërdorim detyre. Arrestimi erdhi me urdhër të SPAK pas zbërthimit të mesazheve në aplikacionet Sky ECC dhe Encrochat.

Sipas Prokurorisë, Bistri u çonte informacione personave të caktuar në lidhje me operacionet që zhvillonte Policia e Shtetit.

Vendimi i gjykatës:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Saida Dollani, sot më 05.04.2024, ora 10:30, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 15 akti, datë 28.03.2024 regjistrimi, lidhur me rishqyrtimin e ankimit të personit nën hetim Oltion Bistri., ndaj vendimit nr. 97, datë 29.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (në lëndë të masave të sigurimit personal), dhe vendosi:

– Miratimin e vendimit nr. 97, datë 29.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për sa ka disponuar për vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 94, datë 23.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përkundrejt të hetuarit ankues Oltion Bistri.




Skip to toolbar