Aplikimi për ID, edhe në njësitë ku nuk jeni banor

AKTUALITET


Shtetasit shqiptarë, të cilëve u skadon karta e identitetit këtë vit, mund të aplikojnë në çdo njësi administrative, pavarësisht se ku banojnë. Konfirmimi është dhënë nga zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda, gjatë një inspektimi të zhvilluar në zyrat e aplikimit të Njësisë 5 në Tiranë.

Ajo përsëriti apelin për rinovimin e dokumenteve biometrike për të gjithë shtetasit që janë pajisur në vitin 2009, pasi afati i vlefshmërisë është 10 vjet. Voda shoqërohej nga Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile Bledar Doracaj, dhe pas inspektimit foli për masat e marra për të lehtësimin e aplikimit për shtetasit shqiptarë.


“Një risi të cilën unë do të doja që qytetarët të kishin dijeni, është dhe fakti që për të ri-aplikuar për karta identiteti, jo domosdoshmërisht duhet të aplikojnë në njësinë administrative ku ata banojnë. Pra nëse flasim për ri-aplikim të kartave të identitetit, mundet që ata të aplikojnë edhe në një njësi tjetër. Dëshiroj të them që për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve tashmë zyrat e aplikimit do të jenë të hapura edhe ditën e shtunë. Pra qytetarët, të cilët janë të ngarkuar me punë, punojnë gjatë gjithë javës, apo për shkak të pushimeve lëvizin, mundet që ditën e shtunë të vijnë edhe të aplikojnë”, tha Voda.




Skip to toolbar