Basha në fushatë: Heqim taksën në Rrugën e Kombit, sa të vijmë në pushtet

AKTUALITET


Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka nisur të ndryshojë strategji, ku krahas akuzave drejtuar qeverisë, ka nisur të bëjë premtime elektorale dhe gjithnjë e më shumë flet për kohën kur PD të vijë në pushtet dhe ai të jetë kryeministër.

Basha ka qenë të martën në Kukës ku ka premtuar heqjen e taksës në rrugën e Kombit, vendim që ai premton ta marrë javën e parë që PD të vijë në pushtet.


“I shpreh kuksianëve mirënjohjen time për refuzimin që i bënë Ramës më 30 qershor. Dua të rikonfirmoj vendosmërinë tonë për të hequr traun e rrugës së Kombit në javën tonë të parë të ardhjes në pushtet.

Duhet t’i japim fund emigracionit e kurbetit që po e tret Kukësin. Punësimi i  shqiptarëve, mirëqenia e  shqiptarëve janë objektivi dhe prioriteti më madhor i PD dhe i imi personalisht”, është shprehur Basha në Kukës, një fjalim ky që i ngjason premtimeve elektorale.

Kujtojmë se Basha ka qenë ministër i Transporteve në kohën kur është ndërtuar rruga e Kombit dhe prokuroria hapi hetim pas publikimit të raportit të KLSH sipas të cilit janë vjedhur 230 milionë euro në ndërtimin e rrugës përmes faturave fiktive, me rritje të kostove vetëm në letër. Por Basha nuk iu përgjigj asnjëherë thirrjeve të prokurorisë për të dëshmuar duke çuar raporte se ishte i sëmurë dhe çështja u mbyll për tejkalim të afateve.

Ndërsa tani, Basha bën premtime për heqjen e taksës dhe gjatë daljeve të fundit për mediat, ka shtuar premtimet elektorale. Pjesë e këtyre premtimeve është hetimi i Ramës dhe i gjithë ministrave që kanë firmosur për konçensionet, si dhe zhbërja e tyre.

Në një dalje për mediat të martën, ish deputetja e PD, Oriola Pampuri premtoi rritjen e pensioneve minimale deri në 250 dollarë kur PD të vijë në pushtet. “Lufta kundër varfërisë, rritja e pensioneve minimale në 250 dollarë, janë prioritete në planin e Partisë Demokratike për rimëkëmbjen e ekonomisë. Por që ky plan të realizohet, vendit i duhen zgjedhje të lira e të ndershme”, tha Pampuri.

Premtime këto që tregojnë se PD po bëhet gati për zgjedhje të parakohshme, megjithëse kjo sipas maxhorancës nuk ka gjasa të ndodhë. Rama e ka mohuar në mënyrë kategorikë mundësinë për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme në vend, duke e bërë të qartë se zgjedhjet do të mbahen në 2021.




Skip to toolbar