Kombëtarja shqiptare e futbollit do të luajë në shtëpinë e re në muajin nëntor. A2 raporton se dy ndeshjet e fundit kualifikuese të Euro 2020, më 14 nëntor ndaj Andorrës dhe tre ditë më vonë përballë Francës do të zhvillohen në Arenën Kombëtare. Punimet kanë hyrë në fazën finale dhe tashmë në impiantin më të madh dhe më modern në vend ka nisur shtrimi i tapetit.
Stadiumi ka ende edhe disa pjesë për të përfunduar, nga kompletimi i tribunave me stola e deri te mobilimi i brendshëm. Këto janë elementët e fundit, për të kompletuar Arenën Kombëtare, e cila pret të certifikohet nga inspektorët e UEFA-s deri në 10-ditëshin e parë të nëntorit, për të pritur më pas ndeshjet ndërkombëtare të Shqipërisë.
Më herët edhe Kryeministri Rama kishte lajmëruar se ndeshjen e kthimit francezët do e luajnë në Arenën Kombëtare, por sipas parashikimeve, ai do të nisë përurimin me ndeshjen zyrtare ndaj Andorrës.