“Argita Malltezi non grata, s’mund të drejtojë Rithemelimin”, Minxhozi: Berisha e Basha pengojnë bashkimin e PD-së, duhet një i tretë

AKTUALITET


Analisti Skënder Minxhozi thekson se Argita Malltezi nuk mund të zëvendësojë të atin në krye të Rithemelimit. Në intervistën për “Newsline”, Minxhozi theksoi se vendimi i SHBA-ve për të futur të gjithë familjen Berisha në listën non grata është bërë për të shmangur një lëvizje të tillë.

“Zonja Malltezi ka të drejtën e saj të aspirojë për diçka. Problemi është se ajo është e përfshirë në listën e personave non grata sepse vetë vendimi amerikan ka qenë i tillë që ka synuar të evitojë një stafetë politike të vetë familjes. Kjo krijon rrethanë të pafavorshme për zonjën Malltezi.“, u shpreh analisti.

Duke komentuar thirrjen për bashkim të PD-së të bërë nga Ervin Salianji, analisti theksoi se kjo nuk mund të ndodhë për sa kohë në skenën politike është Sali Berisha dhe Lulzim Basha, për të cilët theksoi se janë dy faktorët kryesorë që kanë dëmtuar partinë. Ai thotë se duhet një i tretë për të ‘shëruar’ partinë.

“Dy krerët politikë që ka PD dhe Rithemelimi janë faktorët themelorë që pengojnë çdo lloj bashkimi. Basha thotë se ne nuk bashkohemi me non gratat, Berisha thotë me këdo bashkohem por jo me Lul Bravën. Këta janë dy linjat që ndjekin ata. Kjo në fund të shprehjes së Salianjit dhe të të tjerëve, nxjerr automatikisht që problemi i PD-së së sotme janë këta dy persona. Nëse PD kërkon bashkim dhe nuk e arrin atë, dhe demokratët e kërkojnë bashkimin, i bie që duhen hequr nga rruga personat që pengojnë bashkimin. Dy politikanët që janë shkaktarët kryesorë të kësaj problematike rreth 11 vjeçare që kur doli në opozitë, prandaj thirrjet e Salianjit janë si fraza që i mungon një pjesë. Fjalitë me dy tre pjesë janë thjesht pa kuptim. Këta kërkojnë të gjithë bashkim por nuk e shikojnë drejt edhe në sy problemin dhe të përpiqen që këta persona t’i heqin nga rruga, të gjejnë një zgjidhje duke hapur partinë, dhe të gjejnë një të tretë që do të ishte shpëtimi i PD. Jo bashkimi nën këta të dy politikanë.”, shtoi Minxhozi./abcnews.al



Skip to toolbar