Armando Broja do të jetë i gatshëm për Fulhem në transfertën e ‘Old Trafford”.
Sulmuesi i kombëtares shqiptare ka lënë pas gjendjen gripale teksa është stërvitur me skuadrën londineze në prag të duelit kundër Manchester United.
Broja shihet mjaft i përqendruar në seancën e zhvilluar me shokët e ekipit në fushë, duke dhënë garanci për trajnerin Marko Silva në një takim mjaft delikat të kampionatit.
22-vjeçari nuk ishte i gatshëm për Fulhem në duelin e fundit të Premier League, në atë humbje kundër Aston Vijës për shkak të gjendjes gripale.
Ndërkaq, Broja i cili u huazua te bardhezinjtë në merkaton e janarit nga Chelsea u aktivizua si zëvendësues në dy përballje deri më tani, atë ndaj Bërnli dhe Bërnemuth. Me Brojën në dispozicion, Fulhem kërkon të lë pas formën e dobët dhe t’i largohet në këtë mënyrë edhe zonës së fundit të renditjes.
Fulhem koleksionon vetëm një fitore në 5 takimet e fundit, ndërsa transferta është një makth për ta. Në sezonin 2023-2024, skuadra e Silvas ka regjistruar një ecuri negative me 4 barazime dhe 7 humbje.