Armëpushim kur të plotësohen kushtet. SHBA mbështet rezolutën e modifikuar, Gaza në prag të krizës së urisë

BOTA


Këshilli i Sigurimit të OKB-së i afrohet më shumë votimit të një rezolute për ndihmat humanitare në Gaza, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kanë bllokuar përpjekjet e mëhershme, janë shprehur të gatshme të mbështesin draftin e fundit.

Votimi, që është shtyrë disa herë gjatë javës e që pritet të zhvillohet të premten, mbeti pezull për shkak të shqetësimeve që Uashingtoni kishte shprehur lidhur me draftin e propozuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Drafti origjinal kërkonte ndërprerje të qëndrueshme të armiqësive, por pas ndryshimeve të kërkuara nga SHBA, versioni final kërkon krijimin e kushteve për ndaljen e luftimeve.

Projekt-propozimi i fundit bën thirrje për hapa urgjentë për të lejuar menjëherë qasjen humanitare të sigurt dhe pa pengesa. Meinie Nicolai, Drejtor i Përgjithshëm i “Mjekë Pa Kufij”, shprehet: “Luftimet duhet të ndalen para se të adresojmë nevojat reale në Gaza; nuk duhet të vriten më njerëz”.

OKB thotë se gati 80% e popullsisë në Gaza vlerësohet të jenë në gjendje emergjence apo katastrofe. Sean Casey i OBSH thekson: “Siç mund të shihni, pacientët janë në dysheme. Po vuajnë shumë. Kjo është një situatë e papranueshme”.

Sakaq, programi ushqimor botëror paralajmëroi se Gaza rrezikon të zhytet në një krizë urie brenda disa muajve nëse konflikti nuk merr fund.

Ndërsa në Egjipt vijojnë përpjekjet për të mundësuar një armëpushim, Hamasi tha se grupi palestinez kishte refuzuar mundësinë e lirimit të pengjeve të tjera izraelite, derisa Tel Avivi të pranojë t’i japë fund luftës.



Skip to toolbar