Arti në zi, ndahet nga jeta regjisori Gjergj Xhuvani

AKTUALITET


Regjisori i njohur shqiptar, Gjergj Xhuvani, është ndarë këtë të mërkurë nga jeta. Në moshën 56-vjeçare, Xhuvani ka mbyllur sytë në një spital në Romë, pas një ataku kardiak. Skenaristi i shumë filmave dhe shfaqeve teatrale, bashkëshorti i aktores Luiza Xhuvani, lindi në vitin 1963 në Tiranë. Ai do të diplomohej në vitin 1986 në Akademinë e Arteve në Tiranë në degën e Arteve Dramatike.

Prej përfundimit të studimeve deri në vitin 1990, Gjergj Xhuvani punon si asistent regjisor. Në vitin 1991 ai do të realizonte filmin e tij të parë, i titulluar “Bardhë e zi”. Kjo është një humbje e madhe për skenën shqiptare, familjen e tij dhe miqtë me të cilët Gjergj Xhuvani ka ndarë jetën private dhe atë artistike.

Xhuvani ka qenë regjisor i disa filamve si “Në kërkim të kujt”, “Lindje, perëndim, lindje”, “I dashur armik”, “Parullat”, “Funeral Business”, “Dashuria e fundit”, “Një ditë nga një jetë”, “E diela e fundit”, etj. Gjatë karrierës së tij artistike, Gjergj Xhuvani ka qenë edhe producent, skenarist dhe aktor i disa filamve dhe shfaqeve artistike.

Presidenti i Republikës i ka shprehur menjëherë ngushëllimet familjes për ndarjen nga jeta të Gjergj Xhuvanit. “Ikja kaq e parakohshme e këtij regjisori të shquar, skenaristi e producenti të spikatur, i cili shkëlqeu përmes punës së palodhur krijuese dhe modestisë fisnike, është një humbje e madhe për artin dhe kinematografinë shqiptare, që Ai i dha një dimension të shquar edhe ndërkombëtar. I shpreh familjes, miqve e bashkëpunëtorëve të tij ngushëllimet më të thella e të sinqerta për humbjen e të dashurit të tyre! Gjergj Xhuvani na la pas një trashëgimi të jashtëzakonshme artistike, që nderohet me respekt nga të gjithë e do të mbahet mend gjithmonë”, shprehet Meta në mesazhin e tij.



Skip to toolbar