Kanë kaluar dhjetë vjet dhe si paradoks, të njëjtat skena që pamë në Tiranë atë 21 janar, i pamë në një tjetër janar, në Washington. Kemi shkuar ne prapa, këtu në Amerikë. Por mendoj se Tirana ka ecur para, megjithëse jo aq sa njerëzit do të donin.
Unë mbërrita herët në dhjetor, kur kishte përmbytje në Shkodër, por për shkak se familja ime ishte në Arlington, kur erdha në Amerikë para Krishtlindjeve, qëndrova për dy javë. Pra erdha shumë pak ditë para ngjarjes.
Ishte diçka e re për mua. Kisha marrë informacione nga ambasadori Withers, nga Tom Countrymen e të tjerë zyrtarë të lartë amerikanë dhe biseda me analistë në Uashington. E di që ishte një periudhë e tensionuar edhe për shkak të zgjedhjeve lokale që po afronin, por isha akoma duke mësuar detyrën time si ambasador në Tiranë.
Duke iu kthyer kohës, gjëra e parë që vura re, ishte se të gjithë flisnin për të, dhe e kuptova disi përse ishte aq temë e përfolur. Meqë isha i ri, ajo që nuk kuptova ishte roli që Meta kishte, në mbështetjen që i dha Sali Berishës për të formuar qeverinë. Dhe sesa kritike ishte për mazhorancën, ajo që kishte bërë LSI në 2009, dhe sesi Meta mezi kishte marrë mandatin, i shtrydhur mes PD-së dhe PS-së. Por sot e kuptoj kompleksitetin politik që ishte pas asaj historie në dukje, me akuza korrupsioni dhe mitmarrje.
Sipas përvojës time të mëparshme, e kuptova se ka një dimension politik të kësaj çështjeje. Tani e kam më të qartë, por atëherë m’u duk më shumë si lëvizje shahu dhe u mundova të kuptoj mozaikun, por nuk arrita të kem pamjen e plotë të gjësë.
Një nga gjërat që dua të sqaroj është se, përvjetori i 21 janarit është moment i vështirë për Shqipërinë dhe për mua, por në atë kohë kur gjithçka u shemb, është e rëndësishme të kujtojmë se pati një ngritje të frikshme tensioni.
Në dhjetë ditët para protestës dhe në ditët pas, deri në protestën homazh të 28 janarit. Pra, ishte një periudhë tre javore e tensionuar. Dhe që të kuptosh 21 janarin, duhet të kuptosh të gjithë atë periudhë. Unë ndieva se tensionet po rriteshin shumë, dhe unë që ende po njihja Shqipërinë, megjithëse në përvojën time kisha provuar situata edhe më të dhunshme, e kisha të vështirë të kuptoja pikën kyçe.
Unë isha i ri në detyrë, po kështu edhe ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, si dhe ambasadori i OSBE-së Volfart, nuk kishte shumë në këtë detyrë. Tani mendoj: A mund të ishte kjo një rastësi, apo disa faktorë politikë e përdorën këtë rrethanë?
Specifikisht atë mëngjes të premteje, ne si ambasadë kishim një visitor të rëndësishëm nga Departamenti i Thesarit, por më kujtohet se ndërsa po dilnim nga Banka e Shqipërisë që drejtohej nga Fullani, nën një qiell me plot re dhe të ftohtë,i thashë atij se çfarë mendonte se po ndodhte. Ai m’u përgjigj: “Miku im, shqiptarët duan dramën, flasin shumë, por në fund të gjithë tërhiqen mbrapsht”. Ndërsa hyja në makinë, u ndjeva i inkurajuar, sepse Fullani kishte përvojë dhe unë e dija që megjithë tensionin, ICITAP po merreshin me policinë dhe siguria e ambasadës ishte e mirë. Kishim dërguar staf që të ndiqte protestën. Dhe, duke besuar Fullanin, mendova që mund të kishte ndonjë përplasje e ndonjë arrestim, por jo aq shumë. Atë javë isha takuar me Berishën dhe me Edi Ramën.
Berisha ishte i shqetësuar, por duke qenë Berisha, më tha se Rama ishte gabim. Por u duk se e kuptoi mesazhin se SHBA-të ishin pro protestave demokratike në princip, dhe më kujtohet shumë qartë se tha që duke respektuar protestën, qeveria nuk do të toleronte dhunën. Unë shpresova që mesazhi ishte përcjellë i qartë.
Dhuna ndodhi për 4-5 orë. Si rishtar që isha, shihja TV të ndryshme. ABCNews kishte kamera në vend tjetër, Top Channel të jepte këndvështrim tjetër, dhe tjetër gjë shihje në Tv Klan. Situata ishte shumë konfuze. Imazhet në kokën time janë fillimisht dhuna dhe agresiviteti i protestuesve, ose sidomos disa prej tyre. Policia po mundohej të ruante rreshtimin. U përpoqa të flas me Ramën, por situata precipitoi dhe brenda orës së parë, u duk qartë se policia po e humbte kontrollin. Kishte shumë protestues. Situata precipitoi shumë shpejt.
Duke ditur gjërat që dimë sot, kam thënë gjithmonë se ajo ishte një lloj tjetër demonstrate. Nuk e di kush i drejtonte, por disa protestues kishin synim të bënin sa më shumë rrëmujë e probleme që të mundeshin. Nuk po them se cila ishte taktika, hyrja apo jo në zyrën e Kryeministrit, por ishte e qartë se ishte më shumë se një protestë paqësore. Qëllimi ishte të provokonin një reagim dhe kundërpërgjigjje nga Policia.
Policia pastaj iku. Çfarë kuptuam më vonë, ishte se Garda e Republikës ishte një organ tjetër nga Policia. Për dy orë kishte kaos nëpër rrugë. Në atë moment shumica e demonstruesve ishin shpërndarë, sepse kishte gra e studentë. Por kishin mbetur ndoshta vetëm ca qindra, të gjithë burra, dhe duke hedhur gjëra mbi policinë. Në momentin që po binte errësira, sepse ishte janar… nuk e kujtoj saktësisht momentin, por besoj ishte ora 4, ose 4 e gjysëm, kur protesta ishte zbehur, një makinë e bardhë po shtyhej nga protestuesit brenda oborrit të Kryeministrisë. Në ato momente po mendoja: “po sikur aty të ketë një bombë?”.
Dera u thye. Unë isha në telefon në atë moment duke folur me ministrin e Brendshëm të kohës, Luli Basha, si dhe me Kryeministrin. Nuk e mbaj mend nëse fola me Edi Ramën, por sigurisht që fola me njerëz që ishin afër tij. Inkurajova të gjithë të mbanin hapin dhe u duk se gjërat po qetësoheshin. Dhe pastaj mendova: “Tani do zgjasë dhe pak natën, policia do ndalojë ca vetë…”, por me shpresën që gjithçka të qetësohej. Dhe pikërisht në këtë moment, dëgjova krismat.
Pyetjet e para ishin nga erdhën krismat, kush qëlloi kë, por isha i shokuar, pasi në atë kohë specifike të protestës, nuk kishte ndonjë kërcënim eminent, sigurisht jo ndaj Kryeministrisë. Autoritetet dukshëm e kishin vënë situatën nën kontroll. Tani thashë, do jetë një ditë fatkeqe.
Të gjihë do ta kujtonin shijen e keqe të 21 janarit.
Të dyja palët u përpoqën të ndikonin situatën dhe në rastin e SHBA-ve, mendoj që për shkak se në fund të mandatit të tij, ambasadori i mëparshëm Withers, kishte raporte të vështira me Kryeministrin Berisha, dhe raport të mirë me Edi Ramën, kishte një perceptim se ai ishte më afër socialistëve. Megjithëse e kundërta ishte e vërtetë, ai ishte perceptimi, edhe në Departamentin e Shtetit, para se të mbërrija unë. Unë u përpoqa të jepja mesazhin se, unë e dija që kishte një perceptim të tillë. Shumë vetë, edhe kur besojnë një gënjeshtër, ajo fillon e duket e vërtetë. Kështu unë mendova se gjithçka kishte ndodhur para ardhjes time në 2 dhjetor 2010; duhet të forcoja besueshmërinë e Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar e çtensionuar situatën. Unë duhet të arrij që njerëzit të shohin tek unë, dikë që nuk bëhet palë. Sigurisht, ne punojmë me qeveritë, dhe kështu duhet të mbajmë një marrëdhënie të afërt me të, sigurisht dhe me opozitën…
Java pas 21 janarit ishte shumë e tensionuar për mua, pasi nuk ishim të sigurt nëse dhuna nuk do të shtrihej edhe në ditët më pas. Java pasuese dhe 28 janari, dhe mundësia që njerëz të tjerë mund të vriteshin. Pata shumë takime me kryeministrin Berisha dhe kryebashkiakun Rama. Asnjë nga palët nuk tërhiqej. Rama më premtoi se protesta homazh do ishte paqësore. I kujtova se nuk kishte qenë e tillë, megjithë premtimet, ajo e 21 janarit, por më tha: “Kjo do jetë ndryshe!”.
Berisha ishte shumë i axhituar dhe më tha se do të organizonte një kundërmiting. Unë i thashë se ishte ide e tmerrshme, por ai nuk tërhiqej. Unë fola dhe me njerëz të tjerë. Phil Gordon, ndihmëssekretari i shtetit dhe Elliot Engel, ishin disa prej njerëzve me të cilët fola. Ata e morën në telefon, që ai të tërhiqej. Më në fund,Berisha ra dakort. Debby Jones, zëvendësambasadorja ime më kishte thënë se Berisha nuk do ta bënte kurrë këtë. Se ai nuk do tërhiqej, sepse do turpërohej në publik. Unë nuk e besoja këtë. Si pasojë e këtyre thirrjeve të përbashkëta ndaj kësaj ideje të keqe, ai u tërhoq dhe kur më pyetën në një konferencë shtypi unë u përgjgja.
Mund të kisha thënë thjesht: “Ne mirëpresim këtë vendim të Kryeministrit”. Por mendova sesa kishte vuajtur Berisha per të marrë këtë vendim dhe e quajta një sjellje si prej burri shteti, që na dëgjoi dhe u tërhoq. Jo nuk e kërkoi ai, ishte reagim spontan imi.
Dhjetë vjet më vonë, a i qëndroj asaj thënieje? Disa njerëz e pëlqyen atë që thashë, Berisha dhe mbështetësit e pëlqyen. Na ndihmoi ne në ambasadë të kishim për pak muaj, një bashkëpunim të mirë me qeverinë. Për fat të keq, nuk zgjati shumë. Nëse do ta kisha thënë ndryshe? Ndoshta po. Por kishte një arsye, përse e thashë në atë kohë. Ndoshta nuk ishte perifrazimi më i mirë, por i qëndroj asaj që thashë atë ditë.
Unë kujtoj se kishte disa zëra se pas 21 janarit, 28 janari do të ishte më keq. Se do kishte më shumë protestues. Kryeministri kishte anulluar antimitingun, por ai vazhdonte të ishte shumë i axhituar. Emocionet ishin të larta, sidomos pas vdekjes së protestuesve. Edhe jeta e Edi Ramës ishte në rrezik dhe mua më kujtohet se folëm me të, edhe për këtë.
Më kujtohet se Berisha i axhituar, ma bëri të qartë mua dhe Tom Countrymen, se nëse do kishte një përpjekje të dytë (nga Edi Rama), reagimi i autoriteteve do ishte edhe më i ashpër se në 21 janar. E di që Berisha në intervistë në “Real Story” para dy vjetësh, ka thënë që do ta vriste Edi Ramën, por unë mbaj mend atë që thashë. I thashë se ajo që ndodhi në 21 janar ishte dite e dhimbshme për ata që humbën jetën, ditë e shëmtuar për Shqipërinë, dhe se tani të gjithë duhet të ftohnin gjakrat. “Përfshirë dhe ju zoti Kryeministër”, i thashë atij direkt.
Nuk i thashë Ramës tekstualisht çfarë më tha Berisha, por sigurisht e perifrazova pa i ndryshuar kuptimin. “Ju e dini më mirë se unë, se nëse gjërat dalin sërish jashtë kontrollit, situata do të jetë edhe më e keqe se në 21 janar.”
Unë e kuptova menjëherë që ideja se kishte patur përpjekje për puç shteti, ishte totalisht pa sens. Ishte e qartë se për shkak të specifikave të Sali Berishës, të gjithë ata të cilëve iu përmendën emrat, kishin një raport të keq me të. Kjo nuk ndihmoi në qetësimin e situatës, sepse një nga njerëzit që ai shpalli puçist, ishte Prokurorja e Përgjithshme. Ne besonim tek ajo, që ajo të kryente hetimet e çështjes. Ajo që më frustronte më shumë mua me Sali Berishën, ishte se në privat ai thoshte se megjithëse nuk ishte i lumtur, nuk do të pengonte hetimet, por në publik doli dhe tha se kryeprokurorja ishte pjesë e puçit. Dhe kjo, ishte pengesë e hetimit. Dhe unë ia thashë atij këtë.
Në atë kohë, ndjeva se kontributi më i madh që SHBA mund të bënte, ishte të ulnim tensionet. Dhe s’do të ndihmonte të akuzonim njërën apo tjetrën palë, por të kishim hetim të besueshëm, jo vetëm për atë që kishte bërë Garda, por edhe për organizuesit e protestës dhe çfarë ngjau pas saj. Departamenti i Shtetit mbështeti idenë e ambasadës, që FBI të përfshihej në hetime. Edhe Berisha, edhe Rama. Ne sollëm disa prokurorë. Një prej tyre sot është republikan, kongresmen nga Nju Jorku, John Katko. Ai mbajti një qëndrim kundër Trump. (Katko votoi për shkarkimin e dytë të Donald Trump, pas kryengritjes së 6 janarit në Capitol Hill, si një nga 10 kongresmenët që theu radhët e partisë. /shën.i.red)
Me një çështje të tillë, e ke një ide se ku duhet të shkosh, por ka limite, kohe, dëshmitarësh, ekspertize. Nuk ishte hetim i mirëfillrë amerikan, por ndihmë për Prokuroren e Përgjithshme. Ajo ishte një vajzë e mirë, por edhe ajo kishte anësitë e saj. E di se dikush e thirri me epitete të caktuara, e di që disa e kërcënuan, por shumë e inkurajuan në punën e saj për hetimin e çështjes. Pra me pak fjalë, nuk do të kishte një hetim perfekt. Në fund, mendoj që arriti qëllimin. Ishte një mision faktmbledhës. Disa fakte të rëndësishme dolën dhe prokurorja adresoi disa pjesë. Kishte përgjegjësi të shumta, jo vetëm nga njëra anë. Por mendoj se ia arriti qëllimit.
Shumë shqiptarë, e vlerësuan përfshirjen e FBI-së, si ndihmë për hetimin, dhe nuk e panë si shenjë ndërhyrjeje, por si ndihmë e sinqertë e Shteteve të Bashkuara. Dhe as Sali Berisha e as Edi Rama, nuk kishin mundësi t’i kundërviheshin kësaj gjëje.
Por pas bërjes së hetimit, ishte koha të ecnim përpara dhe përpara ishin zgjedhjet.
Mendoj se të gjithë aktorët politikë donin të dilnin nga ajo situatë ku ishin futur, pasi e kuptuan pas 21 janarit, se nuk mund t’i mbanin njerëzit dhe partitë e tyre në atë gjendje. Zoti Rama donte të bojkotonte zgjedhjet, dhe ne ia bëmë të qartë se nuk mund ta bënte këtë. Kështu, si duhet t’i lëviznim gjërat? Ai hetim i mbështetur nga SHBA, i ndihmoi të gjithë që t’i iknin 21 janarit dhe të shkonin drejt 8 majit.
Shumë nga të akuzuarit për puçin, ishin emra të rinj për mua. Me kalimin e kohës, takova Bazen, Ballën dhe mikun tim Andi Bushati dhe zotin “Fiks Fare”, Filip Çakulin, që më dha rrotën e Fiksit, meqë kisha quajtur Berishën burrë shteti. Mediat liberale më kritikuan atë kohë, ndërsa socialistët lobuan deri në Uashington kundër meje, me qarqe politike, intelektualë dhe kontakte në Departamentin e Shtetit. Më pas, m’u vu Berisha nga pas. Ai m’u vu fort.
Nuk mendoj që më prishën karrierën, por le të themi se, unë duhet të ikja në verën e 2013. Zëvendësuesi im Donald Lu, u vonua për shkak të politikës në Amerikë. Unë ndenja një vit e gjysëm më shumë, dhe Berisha mezi priste që unë të ikja. Njerëzit më thonë se dikur tmerri i tij ishte Mariza Lino, por tani jeni ju. Më kujtohet se çova një notë diplomatike për Donald Lu, në qershor 2013. Duhet t’ia jepja Ministrit të Jashtëm Aldo Bumçi, por ai ishte në fushatë në Lezhë, kështu që ia dhashë zëvendësministres Edit Harxhi. Ajo më tha: “Oh zoti Ambasador, na vjen shumë keq që po ikni”. Brenda 24 orëve, falë Edit Harxhit dhe Ilda Zhulalit, e cila më duket sot punon për Presidentin e Republikës, doli te gazeta Panorama dhe e gjithë media, me titujt bombastikë: “Arvizu shkarkohet! Arvizun e thërrasin në Uashington!”, pra bënë lojëra me mua. Në atë moment, kuptova gjithçka. Tunda kokën, dhe më erdhi shumë keq.
Andi Bushati, siç thonë shumë veta, është vetëm një bllokmen. Por e thoja si reagim emocional dhe si i tillë nuk është shumë ndihmues. Mediokër? Ndoshta ashtu i dukem dikujt. Por me gjithë ato që ndodhën në katër vitet e mia atje, që të theksosh vetëm atë deklaratë time për Berishën, kur janë ngjarje të tjera, si zgjedhjet e 8 majit, armët kimike dhe kontributin e ambasadës në këto ngjarje… Pra ka kaq shumë gjëra të mira e të këqija, dhe ju zoti Lapsi ndaleni tek ajo deklaratë, që sipas jush e quajta Berishën burrë shteti? Mendoj që kjo ishte shumë e ulët dhe mediokre.
Berisha dhe Rama e përdorën 21 janarin, secili për qëllimet e veta, por dyshoj se ndonjëri prej tyre i arriti. Por ata janë liderë politikë dhe u duhet të përshtaten me rrethanat. iu desh të dyve, të përshtasin taktikat dhe strategjitë e tyre, sipas ngjarjeve që ndodhën.
Shqipëria ka përjetuar momente të errëta në historinë e saj, dje dhe atë moderne. Shumë veta më kanë thënë se 21 janari është një ditë, që çdo shqiptar, 10 vjeç e sipër, do ta kujtojësi një ditë të zezë. Dhjetë vjet, duket kohë e gjatë, por në fakt nuk është. Me shkakton një ndjenjë të keqe kur kujtoj çfarë ndodhi dhjetë vjet më parë. Ndihem keq për të vrarët dhe familjet e tyre, të afërmit e tyre nuk do të kthehen kurrë më. Të lë një shije të keqe në gojë, dhe mësimi që duhet nxjerrë është se nuk mund ta lëmë të na ndodhë më kurrë sërish.
