Albi Xhunga: Mutacionet e Covid-19 alarmojnë Europën. Po Shqipëria ?

AKTUALITET


Alarm në Europë. Mutacionet e reja të Covid-19 (anglez, brazilian, sud-afrikan, etj) mund të hedhin në erë planet e ekspertëve. Varianti anglez është shfaqur në disa vende të Europës. Belgjika ka ndaluar çdo udhëtim jo esencial, masë që i shtohet atyre aktuale. Franca po mendon një karantinë të tretë në shkurt, ndërkohë që edhe masat aktuale janë mjaft të forta (ndalim qarkullimi nga ora 18:00 e mbrëmjes deri në 06:00 të mëngjesit, etj). Disa spitale në Francë kanë shfaqur vështirësi për shkak të numrit në rritje të të infektuarve. Anglia, vendi ku u shfaq varianti i ri i virusit u rifut në karantinë totale, së paku deri në fillim të marsit. Ky variant i ri shkaktoi vështirësi serioze në sistemin spitalor anglez, ndërsa fatalitetet në 21 janar ishin mbi 1400 në 24 orë. Gjermania forcon masat deri më 14 shkurt. Historia e suksesit në menaxhimin e valës së parë duket tashmë e largët. Gjermania sot paraqet shifra më të larta se fqinjët e saj. Shumë vende në Europë po marrin masa të ngjashme. Po fillojnë kontrollet e kufijve të brendshëm mes shumë vendeve të BE-së. Ursula von der Leyen deklaroi të enjten (21 janar) se të gjitha udhëtimet jo esenciale ndërmjet vendeve të BE-së duhet të evitohen fort, për shkak të shqetësimit që sjellin variantet e reja të virusit. Komisioni Europian, pas video-konferencës së 21 janarit, e vlerësoi gjendjen sanitare të unionit të rëndë.

Variantet e reja të virusit janë më ngjitëse, por mund të jenë më vdekjeprurëse, mund të vënë në dyshim efikasitetin e vaksinave dhe mund të kontaminojnë edhe ata që e kanë kaluar njëherë covid-19. Kryeministri britanik, Boris Jonson, deklaroi se varianti anglez është jo vetëm më ngjitës, por mund të jetë edhe më vdekjeprurës. 


Dy studime të Pfizer sigurojnë se për variantin anglez vaksina mbetet efikase. Ndërsa një ekip i Jesse Bloom në Seattle në SHBA, thoshte se një mutacion prezent në variantet angleze e braziliane (por jo në atë britanik) ulte efektin e antitrupave. Megjithatë duke parë shqetësimet që shkaktoi deklarata e parë, Jesse Bloom do të deklaronte në faqen e tij në Twiter se këto vaksina me efikasitet spektakolar do ta ruajnë efikasitetin për muaj të tërë. 

Një studim sud-afrikan i datës 19 janar, i cili studioi kampionët e gjakut të 44 pacientëve që e kishin kaluar sëmundjen në valën e parë. Rezultati ishte se gjysma e kampionëve nuk e njohën variantin e ri të virusit. Kërkuesit vunë në dukje se gjysma e kampionëve që e njohën virusin ishin të atyre pacientëve të cilët kishin kaluar një formë të rëndë të sëmundjes. 

Një studim i dytë e konfirmon të parin. Rezultati është i qartë. Për të përballuar variantin e ri të virusit, kampionët e gjakut duhet të kishin 6 deri në 200 herë më shumë antitrupa.  Sipas Alex Sigal, koordinator i studimit të Afrika Health Research Institute (Durban)   ‘’Kjo sugjeron se mutacionet e variantit të ri bëjnë të pavlefshme një pjesë të madhe të antitrupave që kanë akumuluar pacientët që e kanë kaluar sëmundjen.’’ 

Lajmi i keq është se tashmë edhe ky variant sud-afrikan është prezent në Europë.

Po Shqipëria ?

Informacionet e mësipërme nuk janë opinion. Janë përmbledhje e informacioneve të nxjerra nga raportimet e mediave shumë serioze në Europë, si Le monde, Francë 5, RTL Info, etj. Si edhe nga raportimet e autoriteteve europiane, përfshirë Komisionin Europian. Të gjitha lehtësisht të verifikueshme.

Duke parë këto informacione, duke marrë parasysh ngritjen e nivelit të alarmit, duke marrë parasysh faktin se masat po shtrëngohen në të gjithë kontinentin, mund të vihet re lehtësisht se autoritetet shqiptare janë ose të paazhornuara, ose shumë neglizhentë në raport me situatën. 

Nëse BE-ja, e cila në ndryshim nga ne, i ka të siguruara vaksinat për të gjithë popullatën e saj për muajt e ardhshëm, e megjithatë është kaq e shqetësuar, a duhet edhe Shqipëria të vlerësojë situatën e të marrë masa sa nuk është vonë ?

Se cilat mund të jenë masat efikase, kjo është punë e ekspertëve. Por duke parë se debati për pasojat eventuale të varianteve të reja të virusit mungon, të krijohet përshtypja se situata po nënvlerësohet. Kjo nesër mund të rezultojë fatale.

Ministrja Manastriliu foli gjatë mbledhjes së Komitetit Teknik të Ekspertëve më 16 janar për shtim të rasteve të të prekurve dhe shtim të shtrimeve në spital, por e konsideroi gjendjen nën kontroll. Sipas saj rritjet e rasteve dhe të shtrimeve janë të qëndrueshme. Ajo tha se si pasojë e variantit të ri anglez, fluturimet me Mbretërinë e Bashkuar do të jenë të pezulluara deri më datën 1 shkurt. Këtu natyrshëm lind pyetja: A mjafton kjo masë ndërkohë që ky variant anglez është tashmë e provuar që është prezent në disa vende të Europës?

Ekspertja Silvia Bino tha se ne kemi gjurmuar raste për të cilat kemi pasur indikacion epidemiologjik, por nuk na kanë rezultuar me këtë lloj varianti. ISSH është në gjendje të identifikojë variantet e reja të virusit, megjithëse nuk kryen sekuencat gjenetike, por me anë të PCR, nëpërmjet një metodologjie tjetër, e cila është aktualisht në dispozicion të ISSH-së (cila është kjo metodologji tjetër ???). 

Kur vende të zhvilluara, si SHBA-të, Gjermania e Franca njohin vështirësi në observimin e varianteve të reja të virusit, a duhet të besojmë se Shqipëria i posedon mjetet për t’i identifikuar këto variante? Nëse po, përse nuk thuhet cilat janë këto mjete? Sqarimi i ekspertes Bino është së paku i turbullt. 

Masat shumë ortodokse të aplikuara aktualisht në Shqipëri ndoshta justifikohen nga shifrat. Por nëse ekspertë të nivelit ndërkombëtar ngrenë alarmin për komplikimet që mund të sjellin variantet e reja të virusit, së paku ky debat duhet të hapet edhe në Shqipëri. Masat shtrënguese nuk priten mirë askund dhe Shqipëria nuk mund të bëjë përjashtim. Vende si Suedia, Britania e Madhe, apo Hollanda, të cilat në valën e parë ishin skeptike ndaj kufizimeve dhe për këtë paguan një çmim të lartë, sot i kanë ashpërsuar masat edhe më shumë se të tjerët. Pra filozofia e neglizhencës është provuar se është e dështuar dhe se ka pasoja të rënda. Këto janë gjithsesi shtete me kapacitete ku e ku më të mëdha se një vend i vogël e i varfër i Ballkanit. Çfarë ndodh nëse një skenar i keq prek Shqipërinë? 

Dikush të shkojë e ta zgjojë ministren Manastriliu. Fatmirësisht jemi ende në kohë. Nesër mund të jetë shumë vonë. 




Skip to toolbar