Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj kërkoi nga deputetët në sallën e kuvendit të mbështesin forcimin e dispozitave ligjore për dënimin e personave që mbajnë armë pa leje. Ai tha se në Shqipëri futen armë kontrabandë ashtu sikurse futen cigare kontrabandë dhe kjo zgjidhet vetëm duke forcuar ligjet.
“Duhet ta keni të qartë se Shqipëria është një vend që nuk ka kufizime për prodhimin e armëve. Sot Shqipëria prodhon fishekzjarre, që shtruat pyetjen nga hynë. Sigurisht prodhohen në mënyrë të paligjshme, janë prodhuar për eksport, por janë prodhuar këtu. Sa i përket kufirit, ne nuk mund ta bllokojmë kufirin tani, se nuk është më me tela me gjemba por është i gjelbër. Ashtu siç futen kontrabandë cigaret, mund të futen edhe armë.
Ne do të forcojmë kriteret për mbajtjen e armëve edhe në mënyrë të ligjshme. Të forcojmë dënimin penal ndaj atyre që posedojmë në mënyrë të paligjshme armë. Sa më shumë ta ngushtojmë këtë hapësirë aq më shumë i kemi kursyer jetën qytetarëve tanë. Ju ftoj të reflektoni në këtë drejtim. Sa më pak armë të ketë Shqipëria është më mirë”, tha Lleshaj.
Deklarata u bë në seancën e së enjtes ku po diskutohen disa ndryshime të propozuara nga qeveria për forcimin e Kodit Penal.