“Të mendohen mirë”, Lleshaj: Gjyqtarët do kenë telashe si kriminelët

Ligji “Anti-KÇK” është një paketë e tërë ndryshimesh ligjore, që synon të veprojë deri në funksionimin e plotë të SPAK dhe BKH. Ligji parashikon që të ketë ndërhyrje edhe për prokurorët dhe gjyqtarët. Duke iu referuar rasteve kur gjyqtarë të caktuar kanë liruar persona me precendtë kriminal, Ministri Lleshaj tha se nëpërmjet ligjit të ri, Policia do i drejtohet KLP apo KLGJ për të kërkuar marrjen e një vendimi ndaj tyre.

“Ka parashikime që kur gjyqtarët apo prokurorët vërehen në shkelje të rënda, Policia i drejtohet KLP dhe KLGJ dhe ato marrin një vendim për pezullim ose jo. Nëse gjyqtari pezullohet, ai do të ketë telashe ligjore, si krimineli.”, tha ndër të tjera Lleshaj.

Ministri theksoi gjithashtu, se ligji që pritet të miratohet në 2 dhjetor, mund të zbatohet deri në vitin 2022, kur parashikohet që organet e reja të drejtësisë të jenë funksionale plotësisht.

“Nëse do kishte ecura çdo gjë sipas parashikimit fillestar të Reformës në Drejtësi, nuk do ishin të nevojshëm këto hapa sot. Pra ka një ngërç. Pati një bllokim të reformës. Viti 2019 ishte viti anti-reformë në Shqipëri. Vonesa e ngritjes së institucioneve të drejtësisë ka krijuar këtë boshllëk. Ky nuk është mekanizëm mbrojtës. Në momentin që fillon punë BKH dhe SPAK, nevoja e këtij ligji bie. Ky ligj e përfundon vlefshmërinë e tij kur rolin e merr SPAK. Ligji mund të shkojë deri në vitin 2022”, tha Ministri. /Realstory.al/

“Janë trajnuar ushtarë dhe policë”, Lleshaj tregon sa pjesëtar do ketë “Fauda”

Ministri Sandër Lleshaj, konfirmoi se “Fauda” është gati dhe pret vetëm miratimin e ligjit. Në studion e “Real Story”, Ministri Lleshaj u shpreh se focat që do të bëhen pjesë e “Fauda” kanë gati një vit që trajnohen. Ai zbuloi se ata janë ish-pjesëtar të ushtrisë por dhe policë të trajnuar. “Që ligji të zbatohet do dhe instrumenta. Një nga instrumentat është dhe Forca e Ligjit, që ka një strukturë. Ka kohë që punohet për “Fauda”, është gati një vit. Është një pjesë që janë rekrutuarn nga ushtria por edhe nga forcat e policisë. Këto do të kenë detyrë të ekzekutojnë vendimet. Janë përzgjedhur nga policia e shtetit. Është një numër i mjaftueshëm për të kryer detyrën, jo shumë i madh. Është në kufijtë e treshifrorit”, tha Lleshaj.

Një nga pikat e debatit lidhur me këtë ligj është dhe procedura e përgjimit. Ministri Lleshaj konfirmoi në “Real Story”, se me hyrjen në fuqi të këtij ligji, do të përdoret nga policia edhe pajisja IMSI-Catcher, e cila përdoret për lokalizimin e banditëve. “Veç faktit që u ngushtojmë fushën e veprimit banditëve, duam të zgjerojmë kompetencat e policisë. Në fushën e përgjigjimit, ka disa mangësi. Ky ligj synon që t`i jap disa atribute, jo përgjime, por në përcaktimin e vendodhjes etj. Për këto, aktualisht duhet vendim prokurorie, ndërsa mund të duhet një vendim i çastit për të parandaluar ndonjë ngjarje”.

“Policia jonë i ka duart e lidhura në përgjime. Policia jonë e ka vështirë të gjejë se i kujt është ky numër ose ku ndodhet personi, të gjendet me celular. IMSI-Catcher, është një pajisje policore e rëndomtë që me ligjin e ri do përdoret. Lokalizimi të përcakton ku ndodhesh, dhe nuk përcakton se çfarë ka brenda telefoni. Atributi i policisë për të përcaktuar ia ka lejuar policisë në emër të sigurisë”, tha Lleshaj.

Ndërkohë, Ministri Sandër Lleshaj u shpreh se ligji është konsultuar me partnerët ndërkombëtar të vendit tonë. Ai tha se partnerët kanë shprehur mbështetjen dhe së shpejti do e bëjnë publikisht. “Ligji është konsultuar me partnerët ndërkombëtar të vendit tonë. Kemi mbështetjen e tyre dhe së shpejti do e kemi mbështetjen e tyre publikisht. Ne nuk jemi të dalë nga binarët për të bërë një gjë pa konsulutuar me partnerët tanë. Është konsultuar shumë madje”, shtoi ministri. /Realstory.al/

“Do deklarojnë pasurinë si politikanët”, Lleshaj: Do shkatërrojmë bizneset kriminale

Ligji që synon të ashpërsojë goditjen kundër krimit të organizuar nxiti debate të ashpra në studion e “Real Story”. Gazetarja Klodiana Lala u shpreh se ligji cënon lirinë dhe të drejtat e njeriut, ndërsa policia merr kompetenca që nuk i takojnë. Megjithatë, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj u shpreh se ligji ka target të kufizuar, kryesisht krimin e organizuar, personat e dënuar për trafik droge apo terrorizëm. Sipas Ministrit, ligji ka garanci se do të zbatohet, ndryshe nga ligji Anti-Mafia që nuk u zbatua kurrë, sipas ministrit.

“Subjektet e këtij ligji janë personat që kanë kryer një vepër penale. Pra që janë dënuar për një kategori të caktuar veprash penale, krimi organizuar, droga apo terrorizmi. Ndaj këtyre personave ka dorë më të lirë policia për tu marrë me ta. Ky ligj ka karakter administrativ. Ligji anti-mafia nuk është zbatuar asnjë ditë. Ky ligj ka garanci për t`u zbatuar. Do shkatërrojmë bizneset kriminale. Krimi organizuar edhe pse është i fshehtë, por ka një gjë që është e dukshme, pasuria e tyre. Ne do shkatërrojmë këtë model të biznesit të tyre. këtë do bëjmë, do t`i japim fuqi policisë që të sekuestrojë në çast bizneset e kriminelëve”, tha Lleshaj.

Si kontrollohet një person që ka 12 mijë euro të ardhura dhe ka makinë 120 mijë euro? Kësaj pyetje të drejtuesit të emisionit “Real Story”, Sokol Balla, ministri Lleshaj iu përgjigj se ky është synimi i ligjit për personat e dënuar për vepra të rënda penale. Sipas tij, për shkak të mungesës së një ligji për deklarimin e pasurisë për qytetarët e thjeshtë, ky ligj i detyron personat e dënuar të deklarojnë se si e kanë bërë pasurinë, të cilën duhet ta provojnë në gjykatë.

“Ne na mungon detyrimi i qytetarëve për të deklaruar pasurinë. Ky ligj, thotë, për një të dënuar që ka dalë nga burgu: t`i që ke këtë makinë luksoze, shko në gjykatë, provoje që është makina jote dhe hajde merre. Pra gjithë cikli mbyllet në gjykatë. Nëse policia e ka gabim, do e dëmshpërblejë. E ka të shkruar ligji. Ne po i vendosim kriminelët në situatë siç kemi vendosur politikanët dhe gjyqtarët, pra të deklarojnë të ardhurat e tyre. Nëse ka mos përputhje të mbajnë përgjegjësi”, tha Lleshaj./Realstory.al/

Ligji “Anti-KÇK”, Lleshaj: Vullnet politik për të goditur krimin

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj foli në studion e “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, ku tregoi arsyet pse u pa e nevojshme për të krijuar një ligj special kundër krimit të organizuar. Ministri argumentoi se së pari, se nisma është politike, një vullnet politik që synon t`i japë goditje krimit.  “Do them që kjo nismë ligjore është nismë politike. Nëse flasim për përdorim politik po, pasi është nismë politike, vullnet politik për t’i dhënë goditje krimit e korrupsionit në nivel të panjohur më parë. Lidhet me situatën në të cilën ndodhet vendi sot. Ndodhet në një situatë, që karakterizohet nga Reforma në Drejtësi, dhe tashmë kjo reformë po afrohet drejt fazave finale të saj”, tha Lleshaj.

Sipas tij, në kushtet kur Reforma në Drejtësi është ende pa u zbatuar plotësisht, është krijuar një vakum për goditjen e krimit të organizuar. Sipas tij, shkak është bërë Vettingu, që ka larguar nga sistemi i drejtësisë shumë gjyqtarë e prokurorë, por njëkohësisht, shumë të tjerë nuk po punojnë me efektivitet kundër krimit, për shkak se presin Vettingun. Për këtë arsye, sipas Ministrit Lleshaj janë krijuar shumë probleme për zbatimin e ligjit kundër  personave që kanë precedentë penal.

“Ka një demotivim, ose motivim për keq, të atyre që parashikohet të mos e kalojnë Vettingun. Këta po krijojnë kosto, përmes vendimeve skandaloze, që po japin, duke bërë që persona me rekorde kriminale të mos dënohen, të dënohen pak, ose të lirohen në sallë e gjyqit. Kriminelët të dalin dhe të bëjnë sërish krime. Kemi një trup të caktuar gjyqtarësh e prokurorësh, që po bëjnë të kundërtën e asaj që duhet. Për të mbuluar edhe boshllëkun e SPAK, BKH, ne kërkojmë të adresojmë dhe zgjidhim këtë problem. Ka dy qasje, e para të dekurajojë krimin, kokat e krimit që kanë komoditetin për të bërë më shumë krime, dhe të fuqizojë instrumentet e luftës ndaj tyre”, deklaroi ministri./Realstory.al/

Ligji “Anti-KÇK”, Sandër Lleshaj flet sonte në Real Story për “Fauda” shqiptare

Kryeministri Edi Rama prezantoi të hënën, siç kishte lajmëruar, paketën speciale që ai e quan “Anti-KÇK”. Ky draft ligjor parashikon ngritjen e një strukture të posaçme brenda Policisë së Shtetit, e cila do të ketë kompetenca hetuese për krimin e organizuar, me synim goditjen e strukturave kriminale. Struktura e re do të jetë në varësi të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ndërsa ajo do të ketë njësi në të 12 drejtoritë vendore të policisë. Struktura e policisë kriminale do të kërkojë informacion për parandalimin e krimit të organizuar, terrorizmit dhe krimeve të tjera të rënda për të gjithë personat fizikë dhe juridikë.

Madje, në ligj është parashikuar  që personat juridikë që ofrojnë mjete, shërbime të komunikimeve elektronike dhe kompanitë e telefonisë celulare janë të detyruar t’i japin Policisë së Shtetit, me kërkesë të saj çdo informacion të nevojshëm për të përmbushur detyrat funksionale për parandalimin deri në goditjen e organizatave dhe grupeve të strukturuara kriminale. Deri më sot, këto të dhëna disponoheshin vetëm nga prokuroria, por tashmë mund t’i sigurojë edhe policia. Ky është një ligj i kundërshtuar nga opozita, e cila pretendon se po dublohet SPAK dhe BKH.

Megjithatë, të gjitha dyshimeve për ngritjen dhe funksionimin e kësaj strukture, a është apo jo në një strukturë paralele e SPAK dhe BKH? Si do zbatohet? Kush do të jetë fokusi i saj? dhe shumë pyetje të tjera rreth “Faudës” shqiptare, i përgjigjet mbrëmjen e të hënës Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla në News 24, ora 21:00. Përballë ministrit do të jenë dhe gazetarja e kronikës, Klodiana Lala si dhe analisti Alfred Lela. “Real Story” do të transmetohet live në faqen e webit Realstory.al dhe në faqen facebook Realstory.al.

ANTI-KÇK sonte ne #RealStory nga Sokol Balla ora 21.00 🔴LIVE ne News24 #RealStory #RealNews #TalkShow #News24 #SokolBalla

Gepostet von RealStory.al am Montag, 25. November 2019

Lleshaj i indinjuar: Vjedhin edhe lugët, na nxinë faqen

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj e cilësoi të turpshme dhe aspak dinjitoze që disa elementë nxijnë faqen e shqiptarëve duke shkuar deri në vjedhjen e lugëve e sendeve shtëpiake në banesat e shteteve ku janë emigrantë. Reagimi i indinjuar i Lleshaj erdhi pas arrestimit të një polici nga Laçi që shiste objektet e vjedhura nga i vëllai, i cili ishte emigrant në Gjermani.

Lleshaj deklaroi se policia ka vullnet që të vetëpastrohet nga këto persona të padenjë dhe të inkriminuar që ende kanë mbetur brenda strukturave.

“Pas një operacioni të përbashkët me partnerët gjermanë, u kap në kushte flagrance një punonjës policie, i cili kishte depozituar në shtëpi një mori sendesh shtëpiake të vjedhura në Gjermani nga i vëllai.

Meritojnë falënderim të veçantë partnerët gjermanë për rigorozitetin me të cilin ndjekin çdo lloj vjedhjeje, pa i ndarë ato në të vogla dhe të mëdha.

Falënderime meritojnë SHÇBA, Prokuroria dhe Policia e Shtetit për bashkëpunimin profesional dhe vullnetin për vetëpastrim nga radhët e personave të inkriminuar apo të padenjë që mund të kenë mbijetuar ende brenda strukturave të veta. Keqardhje për elementë të tillë që pa turp dhe pa dinjitet bien në nivele kaq të ulëta, sa vjedhin deri edhe lugët e huaja, për të nxirë pa të drejtë faqen e mijëra shqiptarëve të tjerë, që jetojnë me punë dhe dinjitet anembanë Europës.

Ftoj qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë për të informuar çdo lloj dyshimi, edhe për raste të atyre, që kanë humbur dinjitetin dhe vjedhin nëpër Europë. Kjo kategori hajnash meriton përbuzje dhe izolim shoqëror si dhe procedim të rreptë ligjor.” shkruan Lleshaj në Facebook

Diplomohen 402 policë, Lleshaj: Duhet trimëri dhe moral

Të hënën u diplomuan 402 djem e vajza, që do të jenë oficerët e rinj të Policisë Kriminale dhe Patrullës së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ceremonia e diplomimit të tyre u zhvillua në ambienetet e jashtme të Ministrisë së Brendshme, nga ku Ministri Lleshaj u shpreh se së shpejti në Akademinë e Polcisië, do të hapen programe të reja.

“402 djem e vajza i bashkohen radhëve të policisë së shtetit duke siguruar një moment ripërtëritje. 158 të tjerë përfundojnë studimet e larta dhe bëhen pjesë e trupës drejtuese, ndërkohë që 36 që i kanë përfunduar më parë, përfundojnë kursin dhe i bashkohen strukturave të hetimit”.

“Kjo trupë shënon  një hap tjetër të rëndësishëm për të përmirësuar nivelin profesional të policisë së shtetit. Policia jonë është ndër më të voglat në numër në rajon, ajo duhet të rritet edhe në sasi edhe në cilësi. Duhet të rritet dhe modernizohet dhe programi i qeverisë parashikon progres. Përveç profesionalizmit, kërkohet edhe trimëri, nder dhe moral i lartë. Do të hapim programe të reja për 600 të rinj dhe të reja për Akademinë e Policisë” tha Lleshaj.

Lleshaj-Marku: Progres në adresimin e rekomandimeve të KE për sigurinë

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dhe Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku thanë se po punohet që të ketë një adresim dhe zbatueshmëri sa më të madh të legjislacionit dhe rekomandimeve të BE në luftën kundër krimit të organizuar në vend. Këto deklarata Lleshaj  dhe Marku i bënë gjatë aktivitetit të organizuar nga Këshilli Kombëtar i Integrimit për luftën kundër krimit të organizuar. Kryetarja e këtij Këshilli Rudina Hajdari, i drejtoi ministrit Lleshaj dhe kryeprokurores Marku disa pyetje lidhur me rendin dhe sigurinë në vend.

Lleshaj tha se organet e zbatimit të ligjit kanë shkatërruar 22 grupe kriminale në Shqipëri, një shifër 2-fish më e lartë krahasuar me 2018. Lleshaj tha se Ministria e Brendshme është duke punuar që të adresojë në mënyrën e duhur zbatimin e ligjit dhe legjislacionit të BE në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Ministria e Brendshme ka një peshë të konsiderueshme në procesin e integrimit. Është kapitulli që merret me sigurinë dhe drejtësinë. Është ai proces që synon të lexojmë dhe kuptojmë legjislacioni e BE.  Ka pasur një goditje të madhe ndaj krimit të organizuar përgjatë këtij viti. Gjatë 2019 janë goditur 22 grupe kriminale, janë arrestuar 125 persona të përfshirë në këto grupe. Ne jemi në proces konsolidimi si shoqëri.  Ne kemi goditur shumë organizata kriminale. Ne 2019 krahasuar me një vit më parë kemi rritja jo me përqindje por me herë numrin e grupeve ë goditura nga policia e shtetit.

Nëse në janar – shtator 2018 janë zhvilluar 17 operacione të mëdha, në të njëjtën periudhë të këtij viti janë zhvilluar 31 operacione të mëdha kundër grupeve kriminale. Ose nëse në janar shtator 2018 janë shkatërruar 10 grupe të krimit të organizuar në vitin 2019 janë shkatërruar 22 të tilla.”- tha Lleshaj

Në konferencë mori fjalën edhe kryeprokurorja Arta Marku, e cila theksoi se prokuroria ka bërë progres në zbatimin e rekomandimeve të KE dhe zbatimin e ligjit antimafia. Marku tha gjithashtu se do të ketë një trajnim më të madh të prokurorëve në rrethe, që të adresojnë sa më mirë hetimet dhe goditjen e grupe kriminale.

Prokuroria ka arritur progres në zbatimin e rekomandimeve të KE. Është rritur ndjeshëm goditja ndaj grupeve kriminale. Në zbatim të rekomandimit tjetër, Prokuroria synon që hetimi pasuror të unifikojë zbatimin e ligjit antimafia. Prokurorët nëpër rrethe do trajnohen për hetimin e krimit të organizuar. Ka rritje të nisjes hetimeve me vitin e kaluar. Ka një reflektim të prokurorëve për këtë tregues. Pas kryerjes së një analize është nxjerrë një qarkore për të orientuar prokurorët e rretheve.”– tha Marku

Protesta tek “Astiri”, Bardhi: Lleshaj nuk e kupton qëndresën

Partia Demokratike zhvendosi protestën nga “Unaza e Re” te Drejtoria e Policisë së Tiranës, pas ndalimit të ish-deputetit Klevis Balliu dhe 7 protestuesve, që bllokuan rrugën. Për këtë akt, reagoi Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, i cili u shpreh se “Policia e Shtetit nuk do të përballet me fëmijët, por as nuk do të lejohet pengmarrja e qytetit nga njerëz të parapolitik”. Gjithashtu, Ministri u shpreh se “drejtues të Partisë Demokratike u fshehën pas fëmijëve dhe grave, duke i përdorur ata”. Pas këtyre deklaratave, reagoi Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi.

Ai shprehet se “Sander Lleshaj nuk mund ta kuptojë qendresën e burrave, grave dhe fëmijëve në mbrojtje të shtëpive të tyre nga fadroma e korrupsionit të shefit të tij Edi Rama, sepse Sandër Lleshaj nuk ka derdhur ndonjëherë djersë për shtëpinë e tij.  Ai jeton në dy shtëpi të padeklaruara. Për njërën ka marrë kredi të butë nga qeveria që në 2009 dhe, në mënyrë të paligjshme, nuk e ka përdorur deri në vitin 2018, sa janë të dhënat zyrtare”. 

“Shtëpia tjetër ku Sandër Lleshaj jeton është në Lalz, por ajo nuk figuron askund. Të gjithë e dinë që ministri katil, që nxjerr policinë kundër grave dhe fëmijëve, por nuk lufton krimin, jeton sa pranë qendrës së Tiranës, aq në Gjirin e Lalzit, në shtëpi të padeklaruara”, shprehet Bardhi. Klevis Balliu dhe 7 protestues u ndaluan pas përfundimit të protestës së zhvilluar të dielën pasdite në Unazën e Re në zonën e “Astirit”. Ata bllokuan rrugën duke sfiduar thirrjet e policisë për të mos e bërë një gjë të tillë.

Bllokimi i rrugës, Lleshaj: Drejtues të PD u fshehën pas grave

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, reagoi pak çaste pas përfundimit të protestës së radhës të banorëve të “Astirit” në Unazën e Re. Lleshaj publikon foto nga bllokimi i rrugës te Unaza e Re, ku shihet dhe ish-deputeti i PD-së Klevis Balliu, që më pas u ndalua nga policia. Ministri i Brendshëm shprehet se “drejtues të PD-së u fshehën pas fëmijëve dhe grave”, duke i përdorur në mënyrë abuzive.  “Pushimet e verës duket se nuk e ndihmuan Partinë Demokratike për të gjetur udhën e politikës. Sot, më 13 tetor, ajo u rikthye përsëri në vesin e vjetër të bllokimit të rrugëve, por kësaj radhe me një “risi” të mjerë. Drejtues të saj u fshehën pas fëmijëve dhe grave, të cilët u përdorën në mënyrë abuzive, si shprehje tronditëse e mungesës së përgjegjshmërisë dhe e kurajës”, shkruan Lleshaj.

Më tej, Sandër Lleshaj shprehet se Policia e Shteti nuk do të përballet me fëmijët, ndërsa shton se nuk do të tolerohet asnjë pengmarrje e qytetit nga një grup parapolitik. “Drejtuesit e PD duhet të dinë mirë një gjë: Policia e Shtetit nuk do të përballet kurrë me fëmijët e keqpërdorur politikisht. Por, në të njëjtën kohë, ajo nuk do të tolerojë asnjë pengmarrje të qytetit nga një grup parapolitik i dalë dëshpërimisht jashtë rrugës së arsyes dhe të ligjit. Me këtë rast, ftoj të gjithë qytetarët që janë bërë pjesë e këtij manipulimi që të distancohen nga shkeljet e ligjit, që të mbajnë fëmijët larg politikës së rrugës dhe që të mos lejojnë keqpërdorimin e vetes për interesa politike”, shkruan Lleshaj.

Në fund, Ministri Lleshaj shprehet zgjidhja e problemeve nuk vjen nëpërmjet vetëgjyqësisë, që promovon PD, por vetëm në rrugë institucionale. “E drejta e tyre nuk mund të gjendet kurrë tek bllokimi i arterieve kryesore të kryeqytetit, por vetëm te rruga institucionale. Iluzioni se problemet mund të zgjidhen përmes vetëgjyqësisë, që promovon PD, është i kotë dhe i dëmshëm për të gjithë. E vetmja rrugë e arsyeshme për të zgjidhur problemet është qasja institucionale. Institucionet janë plotësisht të gatshme dhe të përgatitura për të trajtuar në rrugë ligjore problemet e qytetarëve”, shkruan Lleshaj.

Skip to toolbar