Ambasadori i OSBE: Tensionet politike të larta, nuk ka nevojë për përshkallëzim

Kur mbeten pak më shumë se një muaj nga zgjedhjet parlamentar të 25 Prillit, kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë Vincenzo Del Monaco, thotë se është e panevojshëm përshkallëzim të tensioneve mes palëve. Në intervitën dhënë për “News24”, ai vë theksin tek programet të partive, pasi sfidat e Shqipërisë janë të mëdha

“Ai që është më i rëndësishëm është thelbi, është përmbajtja e programeve politike, pasi Shqipëria do të ketë një sërë sfidash që do të duhet të trajtohen edhe në të ardhmen. Mendoj se tensionet politike janë mjaftueshëm të larta dhe nuk ka nevojë për përshkallëzim të mëtejshëm.”

Vëzhguesit e OSBE/ODIHR, thotë Del Monaco do t’i kushtjnë një vëmendje të posaçme fenomentit të shit-blerjes së votës në zgjedhjet e 25 Prillit.

“Në këtë kuadër, ka edhe dispozita të tjera të rëndësishme: është rritur roli i policisë në zgjedhje, përfshirë edhe pranë qendrave të votimit; veprimtaritë në qendrat e votimit do të mbikëqyren me kamera; SPAK-u do të ketë rolin e tij. Patjetër që këto fenomene do të jenë në fokus të vëzhguesve të ODIHR-it. Në fakt, ODIHR-i ka theksuar në mënyrë të përsëritur rëndësinë e hetimit dhe të ndjekjes ligjore të shpejtë të pretendime të mundshme për manipulime apo për shitblerje të votave. Vetë Prezenca dhe OSBE-ja vijojnë të vëzhgojnë nga afër disa prej zhvillimeve që kanë të bëjnë me çështjet gjyqësore. Po përmend vetëm një prej tyre, atë që po zhvillohet në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Dibër”

Prezenca e OSBE-së ka dhënë kontribut të veçantë edhe në reformën në drejtësi. I pyetur mbi zbatimin e saj, Del Monaco thotë se mbetet një person entuziast, por racional.

“Unë jam një entuziast racional, që do të thotë se jam entuziast, por me këmbë në tokë. Shqipëria ka pasur disa arritje dhe rezultate të rëndësishme kohët e fundit. Të gjithë gëzuam në mënyrë të zëshme për kthimin në funksionim të Gjykatës Kushtetuese. Tani është koha të jemi të përqendruar te hapat e radhës: te Gjykata e Lartë, të funksionimi dhe tek efikasiteti i makinerisë së gjyqësorit”

“PD ka tejkaluar numrin e kandidatëve”, Ruçi: KQZ të garantojë barazinë në garë

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në Qarkun Fier, Gramoz Ruçi, i ka bërë thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të garantojë barazinë e garuesve në zgjedhjet e 25 prillit, duke përmendur faktin se PD ka shkelur rregullat duke vendosur 24 kandidatë nga 18 që lejohen.

“Dua të bëj një apel KQZ-së që të interpretojë siç duhet Kodin Zgjedhor dhe të gjitha subjektet në garë të jenë të barabarta në garë sepse siç kemi marrë vesh subjektet zgjedhore të opozitës kalojnë numrin, duke regjistruar 24 nga 18”, tha ai.

Më pas z. Ruçi i bëri një prezantim të shkurtët ekipit të PS-së në Fier. “Ekipi ynë ka moshën mesatare më të re. Kemi 6 zonja. Nga këndvështrimi im në përbërje të skuadrës së qarkut tonë ka personalitete të spikatura të PS-së dhe të jetës publike dhe politike ashtu sicc ka edhe kandidatë të rinj. Nga 18 kandidatë që ka skuadra jonë e Fierit, 9 janë aktualisht deputetë në këtë legjislaturë. Dua të përgëzoj ata deputetë aktualë që nuk janë pjesë e listës së kandidatëve për qëndrimin. Kanë të gjithë mirënjohjen time. Dua të përmend Bashkimin Finon dhe Nimet Musain që janë me COVID dhe i uroj shërim të shpejtë dhe i presim sa më shpejt të japin kontributin e tyre”, tha ndër të tjera Ruçi.

Izraeli gati të ndihmojë Kosovën me vaksinat

Izraeli ka shprehur gatishmëri që t’i ndihmojë Kosovës për të siguruar vaksina kundër koronavirusit.

Kështu është thënë në një komunikatë për media të Ministrisë për Punë të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, teksa është bërë i ditur një takim virtual që do të zhvillohet të mërkurën pasdite në mes të ministrit në detyrë të Shëndetësisë Armend Zemaj dhe ministrit izraelit të Shëndetësisë Yuli Edelstein.

“Ky takim është organizuar për të diskutuar rreth ndihmës së Izraelit në sigurimin e vaksinave anti-Covid19 për popullin e Kosovës”, është thënë në njoftim.

Më 14 mars, Kosova ka hapur zyrtarisht ambasadën e saj në Jerusalem.

Ky vendim është vlerësuar nga autoritetet izraelite, derisa është kritikuar nga zyrtarë të Autoritetetit Palestinez.

E ngarkuara me punë e Kosovës në Izrael Ines Demiri, ka njoftuar me 26 shkurt përmes Twitter-it se ka arritur në Izrael. Ajo pritet të jetë ambasadorja e Kosovës në këtë shtet.

Hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem është parashikuar në Marrëveshjen e 4 shtatorit, kur Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.

Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk ka nisur procesin e vaksinimit.

Skema e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVOX, përmes së cilës pritet të shpërndahen vaksinat për koronavirus në vendet e varfra, ka bërë të ditur se Kosova mund të furnizohet me këtë vaksinë deri në muajin maj.

Në dërgesën përmes COVAX-it, Kosova do të përfitojë 100,800 doza të vaksinës së prodhuar nga kompania AstraZeneca.

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, në fillim të muajit janar, pati njoftuar se ka marrë konfirmim nga kompania amerikane, Pfizer, për sigurimin e 535,000 vaksinave kundër koronavirusit.

Mirëpo zyrtarë të kësaj kompanie i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se ende janë në diskutime me Qeverinë në detyrë të Kosovës për furnizim me vaksina.

KE propozon “COVID-pasaporta” për lehtësimin e udhëtimit brenda BE-së

Komisioni Evropian ka propozuar të mërkurën lëshimin e “pasaportës së gjelbër për COVID-19”, përmes së cilës synohet lehtësimi i lëvizjes së njerëzve brenda Bashkimit Evropian, në kohën e pandemisë.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, ka thënë gjatë paraqitjes së këtij propozimi se synimi është që sa më parë të mundësohet lëvizja e lirë e njerëzve dhe kjo është e mundur në afat të gjatë vetëm përmes vaksinimit gjithëpërfshirës.

Komisioni Evropian ka sqaruar se këto pasaporta do të kenë tri elemente, të cilat do të duhej të ishin të mjaftueshme për të mundësuar lëvizjen e njerëzve.

Elementi i parë përmban vërtetimin për vaksinim kundër COVID -19, i dyti, vërtetimin për test negativ në këtë virus dhe i treti, vërtetim se personi është shëruar nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Të gjitha këto pasaporta duhet të përfshijnë edhe të dhënat për datën e vaksinimit apo testimit, emrin e institucionit që e ka bërë testin apo vaksinimin, emrin e vaksinës dhe afatin e vërtetimit.

Për momentin, sipas sqarimeve të Komisionit Evropian, pasaportat duhet të lëshohen në të gjitha vendet e BE-së dhe të pranohen në të gjitha shtetet tjera të BE-së si dhe shtetet e zonës Shengen, të cilat nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian.

Komisioni Evropian ka nënvizuar se edhe shtetasit e huaj, me qëndrim në BE, kanë të njëjtat mundësi dhe të drejta për t’u pajisur me pasaporta.

Sa u përket pasaportave të lëshuara nga shtetet tjera joanëtare të BE-së, ato do të shqyrtohen nga Komisioni më vonë në bazë të standardeve, të cilat i kanë aplikuar ato vende.

Për momentin, pasaportat për vaksinim që do të vlejnë në tërë territorin e BE-së, të cilat vërtetojnë se personi është vaksinuar me njërën prej vaksinave, të cilat janë miratuar për përdorim në tregun e BE-së.

Por, shtetet anëtare mund të vendosin vetë që të pranojnë edhe vaksinimin me vaksina tjera.

Kjo çështje është parashtruar si problem për shkak se disa shtete të BE-së kanë nisur të vaksinojnë qytetarët e tyre edhe me vaksina nga Rusia dhe Kina, të cilat ende nuk janë miratuar nga autoritetet e BE-së.

A ka të drejtë Bozo për Enverin? Replikë “antikomunistëve” me fytyrë bolshevike që kryqëzuan inxhinieren veterane

Prof. Fatos Tarifa

Botuar në DITA

Kundër “antikomunizmit me fytyrë bolshevike” (dhe me respekt për kolegen time Luljeta Bozo)

Znj. Jonila Godole, Drejtuese e një organizate joqeveritare, siç është Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë, botoi pardje në gazetën Panorama një koment të gjatë ndaj një interviste që ka dhënë Prof. Luljeta Bozo, inxhiniere veterane e njohur, anëtare e Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave dhe, së fundmi, e para në listën e kandidatëve të Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës për zgjedhjet legjislative të prillit të këtij vitit. Zonja Godole i kërkon Patisë Socialiste që të mbajë një qëndrim zyrtar, pra të distancohet nga kjo deklaratë e znj. Bozo, në të cilën, kjo e fundit ka vënë në dukje një sërë zhvillimesh në sistemin e socializmit shtetëror, të cilat, sipas saj, kanë qenë arritje të pamohueshme të atij sistemi.

Me këtë rast, dëshiroj t’i drejtohem znj. Godole me këtë mesazh:

Ju, znj. Godole, mund të keni të drejtë për ato çfarë thoni se kanë ndodhur gjatë periudhës së socializmit shtetëror në Shqipëri (ai sistem nuk u bë kurrë një sistem komunist), për shkeljet brutale të të drejtave të njeriut dhe për krimet e tij, por unë kam këto objeksione kritike ndaj reagimit tuaj:

(1) Nëse znj. Bozo flet për arritjet e atij sistemi në industrializimin dhe në zhvillimin ekonomik, kulturor e shoqëror të vendit (për aq sa Shqipëria u zhvillua në ato 45 vite), edhe pse si një ekonomi autarkike, a nuk ka të drejte ajo, ashtu si dhe kushdo tjetër, që ka qenë pjesëmarës dhe kontribues në atë sistem dhe në ato arritje, të cilat vështirë se mund të mohohen thjesht me slogane antikomunistë, që ta pohoje këtë?

Unë vetë, ashtu si me mijëra të rinj të tjerë në atë kohë, nxënës të shkollave të mesme ose studentë të Universitetit të Tiranës, kemi punuar për tarracimin e kodrave të bregdetit të jugut, ose për ndërtimin e hekurudhave, që i binin kryq e tërthor vendit. Në ato “aksione të rinisë”, është e vërtetë se shumica prej nesh nuk kanë shkuar me dëshirën e tyre, por kemi qenë të detyruar prej sistemit arsimor të kohës, veçse sot, kur udhëtoj në rivierën tonë të jugut dhe shoh se si janë shkatërruar të gjitha ato taraca që ndërtuam në atë kohë dhe ato qindra mijë pemë frutore që mbollëm në to—në Jonufër, në Lukovë, në Ksamil— dhe, po kështu, kur udhëtoj nga Librazhdi në Prrenjas dhe nuk shoh më asnjë tren që të udhëtojë mbi ato shina që vumë ne, të rinjtë e asaj kohe, më dhemb në shpirt.

Më dhembin në shpirt jo “vuajtjet” që kemi hequr kur hapnim taraca ose shtronim binarët e hekurudhave, sepse, veç lodhjes së punës—e cila vërtet nuk qe vullnetare dhe as lehtë—në ato aksione kishim edhe “fun”, shumë “fun”, pasi aksionet (deri diku dhe zboret), për ne, të rinjtë e shkollave në atë kohë, ishin të vetmet mundësi për t’u larguar nga shtëpitë tona për javë të tëra, për t’u argëtuar e përjetuar të lirë—relativisht të lirë—shumë kënaqësi të moshës.

Arsyeja pse më dhemb në shpirt është shkatërrimi që pësuan të gjitha këto pasuri të mëdha kombëtare nga ata që, në emër të luftës kundër komunizmit, shkatërruan çdo vlerë materiale, çdo vlerë kulturore dhe çdo vlerë shpirtërore që u krijua në atë sistem, ose që lidhej me atë sistem, nga ata që, të pangopur nga shkatërrimi, edhe sot e kësaj dite duan të mohojnë e të ndalojnë madje edhe prodhimet e kinematografisë së asaj periudhe.

Kjo duhet të na dhembë dhe jo të anatemojmë një specialiste të nderuar, një qytetare të dalluar dhe një shkencëtare të spikatur për shkak se ajo i pranon arritjet e asaj periudhe dhe flet hapur, pa frikë për to.

Unë vetë, në mëse një rast, kam argumentuar se, per ironi te fatit, duam ose s’duam ta pranojne shume nga, periudha e modernitetit në Shqipëri nisi me dy shekuj vonesë, pas Luftës se Dytë Botërore, nëse me modernitet kuptojmë këto tri gjera, siç pranohet gjerësisht në sociologji dhe në teoritë mbi zhvillimin: (a) industrializimin e një vendi, (b) urbanizimin e tij dhe (c) arsimimin bazik masiv të popullsisë së tij—edhe nëse këto arrihen me metoda autoritariste, komuniste ose jo të tilla, siç ka ndodhur në shumë vende të botës.

Terminologjia ndryshon, por, në thelb, është e njëjta mendësi. Qëndrimin tuaj dhe të kujtdo tjetër që mendon si ju, Adam Michnik, njëri prej simboleve më të shquar të përpjekjeve për mbrotjen e të drejtave të njeriut, e konsideron si “zëvendësim të ortodoksive të komunizmit me ortodoksi të një lloji tjetër”, ose një “anti-komunizëm me fytyrë bolshevike”.

(2) A nuk mendoni ju, znj. Godole, se me qëndrimin tuaj ju perserisni të njejtën gjë dhe përdorni të njëjtën metodë si komunistët e dikurshëm, të cilët nuk i lejonin askujt të thoshte një fjalë të mirë për monarkinë, për mbretin Zog dhe për politikat e tij?

(3) Unë mendoj se, ne, si shoqëri, duhet të ndihemi mirë që, më në fund, mund të kemi në parlamentin e këtij vendi njerëz, të cilët “speak their mind”, pra që nuk janë ushtarë të regjimentuar të kryetarëve të partive të tyre, por kanë integritet moral dhe kurajën të thonë atë çfarë me ndergjegjen e tyre (jo prej frikës së të tjerëve) mendojnë dhe besojnë.

Kur Sekretari amerikan i Shtetit James Baker vizitoi Tiranën, në qershor të vitit 1991, mesazhi që ai solli për të gjithë ne, në fjalën e tij para popullit të kryeqytetit, ishte ky: “Më në fund ju jeni të lirë të mendoni siç dëshironi ju vetë. Më në fund ju jeni të lirë të thoni atë që mendoni. Më në fund ju jeni të lirë t’i zgjidhni vetë ata që doni t’ju drejtojnë”.

Znj. Godole, ajo çfarë ka bërë Prof. Bozo me intervistën e saj është pikërisht ajo çfarë James Baker priste 30 vite më parë nga të gjithë ne, shqiptarët—lirinë për të menduar siç duam; lirinë për të thënë atë që mendojmë; lirinë për t’i zgjedhur vetë ata që duam të na drejtojnë.

Znj. Godole, janë qytetarët e Tiranës ata që do të vendosin, me votën e tyre të lirë, nëse duan ose jo që në parlamentin e vendit ata t’i përfaqësojë znj. Luljeta Bozo. Mos i kërkoni Partisë Socialiste, që si dikur Partia e Punës, t’i mbyllë gojën këtij njeriu të lirë dhe të mbajë qëndrim ndaj saj. Ky nuk është një mentalitet demokratik; ai ngjan si dy pika uji me mentalitetin komunist.

Sot jetojmë në një shoqëri të hapur, në një shoqëri të lirë, në të cilën njerëzit nuk mund të pengohen më të shprehin hapur bindjet dhe mendimet e tyre dhe nuk mund të dënohen nëse e bëjnë këtë. Ky është mësimi i parë—dhe më i rëndësishëm që demokracia na ka mësuar.

Dhe një shoqëri e hapur dhe e lirë nuk mund të jetë veçse një komunitet individësh me mendje të hapur e të lirë.

Rama paralajmëron masa më të rrepta për COVID-in pas takimeve të Bashës

Kryeministri Edi Rama ka sulmuar nga Fieri krydemokratin Lulzim Basha për takimet elektorale në disa qytete dhe grumbullimet referuar pandemisë. Nga takimi me kandidatët në Apollonia Rama ka paralajmëruar me masa më të rrepta duke theksuar se nuk kemi preferuar që të ndëshkojmë ekonominë por nga ana tjetër kjo nuk duhet të thotë që njerëzit të lëshohen përtej nevojave të punës, të jetës së përditshme në situata që bëjnë të kundërtën e vaksinës.

“Nga ana tjetër të mos ushqehemi me iluzionin se duke mbledhur ato tufa me dy gishta marrin ndonjë votë më shumë. Është komplet absurde dhe realisht dëm i madh. Paralelisht me vaksinimin, rregullat duhet të respektohen dhe çdokush duhet të shtrëngojë veten në raport me ato masa. Ne nuk kemi preferuar që të ndëshkojmë ekonominë por nga ana tjetër kjo nuk duhet të thotë që njerëzit të lëshohen përtej nevojave të punës, të jetës së përditshme në situata që bëjnë të kundërtën e vaksinës.
Duhet realisht që të marrim një vendim të qartë të gjithë bashkë. Nëse është nevoja për të zgjeruar më shumë se sa një numër i kufizuar, këtë nevojë do ta adresojmë së bashku. Nuk më takon mua dhe nuk na takon ne ta bëjmë këtë gjë. Ne nuk e kemi problem, mund të shkojmë deri më 25 prill me 10 veta në çdo event. Nëse është e nevojshme do i drejtohemi autoriteteve. I ftoj shqiptarët të mos jenë tolerantë në opinionin e tyre në raport me këto shfaqje që të kujtojnë ato mitingjet pa shije të viteve ‘90. Hip mbi makina, mblidh njerëz me makina. Grumbullohu me flamuj, vër ulërimën, krijo kot ndotje akustike në mes të qytetit, madje në mes të një feste dhe pastaj bëj dhe viktimën sikur u sulmove, ndërkohë që qëndron aty si provokator i njerëzve pa dallim dhe me montazhe skuthash krijon idera të gabuar mbi atë që ka ndodhur dhe që nuk kishte lidhje as me mua as me ne që ishim aty por ishte rezultati i plotë i mungesës së përgjegjshmërisë”, deklaroi Rama.

Mediat britanike: Evropa do rinisë vaksinimin me AstraZeneca

Sipas The Times.co.uk, Franca dhe Italia po përgatiten të heqin pezullimin e vendosur për vaksinën AstraZeneca, pasi rregullatori evropian doli në përfundimin se përfitimet e kësaj vaksine, tejkalojnë çdo rrezik të pretenduar.

Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kryeministri italian, Mario Dragi thanë se do rifillojnë menjëherë administrimin e vaksinës AstraZeneca, nëse nesër merret miratimi nga Agjencia Evropiane e Barnave. Kjo e fundit, ka deklaruar se deri më tani nuk ka asnjë shenjë që vaksina e prodhuar nga AstraZeneca, shkakton mpiksje të gjakut. Kujtojmë se deri më tani vaksina është injektuar në 17 milionë persona, mes Britanisë së Madhe dhe vendeve evropiane.

Deri më tani, 17 vende në Evropë kanë pezulluar përkohësisht injektimin e kësaj vaksine. Sipas ekspertëve, ky pezullim do të ngadalësojë imunizimin në kontinent, e për këtë arsye Komisioni Evropian i ka kërkuar shteteve që të ndalojnë uljen dhe rezervat e vaksinave.

Plan për të mbrojtur votën? Meta: Të gjithë duart larg

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dhënë një deklaratë për mediat sot nga sheshi “Nënë Tereza” në Tiranë ku u pyet dhe për deklaratat e tij mbi një plan për mbrojtjen e votës së lirë. Meta tha se do njiheni në vijim me përmbajtjen, duke kërkuar që të gjithë të mbajnë duart larg nga votat.

“Se ç’përmban ky plan do të njiheni në ditët në vijim. Çdo shqiptar i ndershëm dhe patriot pavarësisht bindjeve partiake është 100% dakord me Presidentin e Republikës që nuk duhet të vihet më dorë mbi votën sepse prandaj jemi në këtë situatë kaq të rëndë, që udhëheqim në nivel botëror për shpopullimin e vendit, pikërisht se niveli i lirisë së zgjedhjeve është katandisur në këtë situatë që e dini ju dhe që e di gjithë bota.

Është një kusht i pakapërcueshëm nga BE për çeljen e negociatave. Të gjithë të mbajnë duart larg nga votat, të kontribuojnë për një fushatë civile dhe europiane, të gjithë të paraqesin alternativat e tyre. Është një gjë e mirë se përveç forcave politike keni mundësi të shpreheni dhe për kandidatin që preferoni duke dhënë një mesazh të qartë që drejtuesit e partive duhet të promovojnë njerëz me integritet që të respektojnë Kushtetutën dhe të jenë shembull i respektimit të ligjit”, deklaroi Meta.

Konfirmohet arsyeja e shkarkimit, Basha fton hapur Lelin e Vlorës

Kryedemokrati Lulzim Basha ndodhet në Vlorë sot, ku është takuar me qytetarët dhe ka folur për programin e PD. Basha është pyetur nga gazetarët dhe për çështjen “Rama-Leli”. Ai tha se anija e së keqes po mbytet, duke i bërë ftesë çdo socialisti të ndershëm të bashkohet me PD për ndryshimin.

Thuhet që Dritan Leli është shkarkuar nga kryeministri Rama. Keni një koment për këtë?

Basha: Komenti im është që anija e së keqes po mbytet dhe ftesa ime për çdo socialist të ndershëm është bashkohuni me ne për ndryshimin, do të fitoni ju dhe familjet tuaja, do të fitojë Vlora dhe Shqipëria.

Kujtojmë se pak ditë më parë, ‘Real Story’ mësoi se kryeministri Rama ka zbuluar lojën e kryebashkiakut Leli me Partinë Demokratike, ç’ka çoi në vendimin e tij për shkarkimin e Dritan Lelit.

Kush përfiton nga gjuha e dhunës në fushatën elektorale

Nga Artan Fuga

Gjuha e dhunës në fushatën elektorale, nga pikëpamja e sociologjisë funksionaliste, dhe e teorive pragmatiste në shkencat e komunikimit, shërben për:
1. Tërhequr vëmendjen nga problemt e vërteta sociale dhe ekonomike të shoqërisë duke e zëvendësuar me sherre të pakuptimta individuale.
2. Ndihmon që në vend të kërkohet analiza e politikave të deritanishme të harrohen ato duke u zëvendësuar me gjoja debate me fjalë sharëse pa asnjë interes.
3. Kontribuon që zëra intelektualë dhe ekspertë qytetarë të mos marrin pjesë në debate sepse këta kanë ndrojtje se i njollosin me sharje që ata nuk i durojnë dot.
4. Mbulon paaftësinë e administratorëve të lartë politikë dhe drejtuesve politikë që të përballojnë me ekspertizë problemet që i interesojnë publikut, por i zëvendësojnë këto me retorikë gjoja të fortë.
5. Ndihmon që media dhe gazetarët të mos jenë cerebralë dhe gjakftohtë, por të jepen pas frazave të shkurtra pa kupim që në fakt tërheqin klikime. 6. Prodhon një klimë frike dhe tërheqje për qytetarët, të cilët mblidhen në vetvete duke menduar se politika nuk është për ata.
7. Bën që të gjitha palët të duken njësoj në sytë e elektoratit sepse ky i fundit mendon se të gjithë një gjuhë përdorin dhe se të gjithë një m. janë.
8. Mobilizon militantët, të cilët edhe pse nuk dinë se çfarë të bëjnë organizohen përballë imazhit agresiv të kundërshtarit të tyre. Pra, realizon inkuadrimin e militantëve të lëshuar në dëshpërim.
9. Bën që kandidatët për deputetë të mos vlerësohen nga elektorati për performancat e tyre politike, por thjesht për sensin retorik të dhunshëm. 10. Ul pjesëmarrjen në zgjedhje duke ie bërë rezultatin pasojë e votës vetëm e një minorance militantësh.
Për këtë arësye theksoj me përgjegjësi profesionale se ndonëse nuk mund të them se kush e nxit dhunën (dhuna në fakt nuk ka fillim, është dukuri interaktive), dhuna verbale në çdo rast i shërben qeverisë, në çdo rast mazhorancës, në çdo vend dhe kohë, dhe dëmton rëndë, por shumë rëndë opozitën. Kaq sa për sot!

Skip to toolbar