Kosovë, Kuvendi mblidhet të mërkurën për seancën konstituive

KOSOVA


Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen më20 gusht, në orën 11:00, për të vazhduar seancën konstituive të legjislaturës së dalë nga zgjedhjet e shkurtit.

Vazhdimi i seancës vjen pasi më 18 gusht ka nisur rrjedhja e afatit 30-ditor për konstituimin e organit ligjvënës.Kjo, pasi Gjykata Kushtetuese publikoi aktgjykimin e plotë, përmes së cilit ka urdhëruar Kuvendin që brenda 30-ditësh të zgjedhë kryeparlamentarin e ri përmes votimit të hapur, duke e hedhur në votim të njëjtin kandidat jo më shumë se tri herë.

Vendimi është mirëpritur nga partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, por është kritikuar nga fituesja e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje.

Zahir Çerkini, profesor i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se aktgjykimi nënkupton se vonesat e mëtejshme në konstituimin e Kuvendit nuk janë vetëm çështje politike, por paraqesin edhe shkelje të normave kushtetuese që garantojnë funksionimin e shtetit.

“Respektimi i aktgjykimeve të Gjykatës nuk është një opsion që aktorët politikë mund ta zgjedhin ose jo, por një obligim i domosdoshëm. Çdo veprim i kundërt do t’i minonte themelet e shtetit ligjor dhe do të rrezikonte të prodhonte krizë të thellë institucionale”, deklaroi ai për REL-in më 18 gusht.



Skip to toolbar