Pandemia e Covid-19, Manastirliu: Nëse kalojmë 500 të shtruar, hapim spitalet rajonale

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, nga Spitali i Fierit ka deklaruar se sistemi shëndetësor po përgatitet për çdo skenar, për të përballuar epideminë e shkaktuar si pasojë e COVID19, duke përfshirë edhe spitalet rajonale.

Manastirliu tha se nëse do të tejkalohet numri prej 500 pacientësh të konfirmuar pozitivë me COVID19, që do të marrin trajtim në spitalet e dedikuara COVID, po forcohen kapacitetet në spitalet rajonale, me qëllim ofrimin e shërbimit edhe në këto spitale.

“Ne kemi filluar tashmë dhe kemi bërë realitet forcimin e kapaciteteve të terapive intensive edhe në spitalet rajonale, në mënyrë që të fillojmë parapërgatitjet, që të mundemi të jemi gati edhe në rastet kur mund të kemi një rritje të numrit të pacientëve në spitalet tona, kur do të tejkalohet numri i 500 pacientëve të planifikuar për t’u trajtuar në 4 spitalet Covid, që janë të destinuara, sipas një plani të mirëstrukturuar dhe skenarëve që tashmë ne i kemi të planifikuar. Edhe spitalet rajonale të mundet të trajtojnë rastet. Për këtë qëllim ne kemi vijuar pajisjen me setet e nevojshme të aparaturave, për urgjencën dhe reanimacionin, që përfshin monitorë të matjes së parametrave vitalë të pacientit, respiratorë apo aspiratorë, shiringa elektrike, EKG”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë vlerësoi punën e shërbimit të hemodinamikës në spitalin rajonal të Fierit, ku, nga Janari janë kryer 421 ndërhyrje.

“Ishte e pamenduar pak vite më parë, kur spitalet rajonale ishin veçse përcjellëse të pacientëve drejt Tiranës, të kryheshin procedurat delikate në zemër në këto spitale. Falë investimeve që qeveria shqiptare ka bërë, falë punë së jashtëzakonshme të ekipeve të mjekëve dhe të infermierëve, është bërë e mundur që spitalet rajonale të ofrojnë shumë më shumë shërbime afër vendbanimit.

Kjo falë edhe investimeve që janë kryer në teknologji, por edhe për faktin se ka sot më shumë mjekë kanë përfunduar specializimet dhe janë atashuar pranë spitaleve rajonale për të ofruar këto shërbime kaq shumë të rëndësishmë, jetike për qytetarët”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë nënvizoi se qeveria shqiptare do të vijojë me transformimin e sistemit shëndetësor dhe mbështetjen për mjekët dhe infermierët, nëpërmjet rritjes së pagave dhe përmirësimit të kushteve të punës.

“Mbështetja për mjekët dhe infermierët nuk do të mungojë. Ky është prioritet, ka qenë dhe mbetet prioritet i qeverisë shqiptare, për të vijuar mbështetjen maksimale qoftë nëpërmjet rritjes së pagave për mjekët dhe infermierët, qoftë nëpërmjet bonuseve, qoftë nëpërmjet mbështetjes për krijimin e kushteve më të mira të punës.

Ashtu sikurse e kemi treguar në këto vite, kemi përmirësuar rrënjësisht sistemin shëndetësor në çdo spital, në çdo qendër shëndetësore. Patjetër që mbetet ende shumë për të bërë. Sepse ashtu siç e gjetëm shëndetësinë ku spitalet ishin thjesht godina të amortizuara, tashmë janë bërë me të vërtetë qendra që ofrojnë shërbime, por të cilat gjithmonë kanë nevojë për t’u përmirësuar edhe më shumë”, tha Manastirliu.

KPK nis sesionin e tretë, gjyqtarja e Apelit të Shkodrës në vetting. Deri tani 105 njerëz të drejtësisë të shkarkuar

Ka ngritur sot siparin e vettingut Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në sesionin e tretë. Në seancën e sotme para KPK ka dalë gjyqtarja e Apelit të Shkodrës Vojsava Osmanaj.

Trupa gjykuese që po kryen hetimin administrative për Osmanajn përbëhet nga Genta Tafa Bungo, Suela Zhegu dhe Lulzim Hamitaj.

Vojsava Osmanaj ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2008 dhe është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Korçës. Në vitet 2013-2016, Osmanaj ka punuar si inspektore pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe më pas është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Shkodrës.

Në deklaratën e parë të dorëzuar në vitin 2003, gjyqtarja Osmanaj nuk ka deklaruar asnjë pasuri, ndërsa në fund të vitit 2017, pasuria e saj familjare kap vlerën e 6.4 milionë lekëve. Ajo zotëron familjarisht pasuri të patundshme prej 3 milionë lekësh, likujditete bankare prej 1.7 milionë lekësh, automjete me vlerë 1.2 milionë lekë dhe kursime në cash prej 400 mijë lekësh.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 14 milionë lekë, nga të cilat 75% burojnë nga paga për shkak të funksionit dhe 10% nga shitja e pasurisë së patundshme. Gjyqtarja Osmanaj deklaron gati 9% të të ardhurave nga angazhimi i saj në mësimdhënie.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Kontrolli aritmetik/logjik për 11 vite të deklarimit rezultoi pa probleme.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi disa “flamuj të kuq”, të cilat lidhen me një huamarrje, shitjen e një shtëpie si dhe burimin e munguar të një prone të deklaruar nga bashkëshorti.

Në vitin 2012, subjekti ka përdorur si burim financiar për blerjen e një apartamenti në Pogradec një hua prej 1 milionë lekësh. Ndërsa në vitin 2013, ajo deklaron shitjen e një apartamenti të përfituar nga prindërit përmes privatizimit, e cila nuk rezulton e deklaruar në vitet e mëparshme.

Në deklarimin periodik të vitit 2017, bashkëshorti i subjektit deklaron një autoveture me vlerë 8700 dollarë dhe një shtëpi dhe një truall prej 500 m2 në Tiranë, e legalizuar në vitin 2017 –pronë së cilës i mungon vlera dhe burimi i krijimit.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se KPK gjatë muajve të fundit ka vetuar kryesisht njerëz të drejtësisë nga Apelet dhe në shumicën dërrmuese ka vendosur shkarkimin e tyre. “221 njerëz të drejtësisë janë vetuar. 116 janë konfirmuar dhe 105 janë shkarkuar. Sipas ligjit, KPK ka afat 5-vjeçar për të përmbyllur gjithë vettingun për gjyqtarët e prokurorët. Nëse nuk e përmbyll brenda afatit i takon KLP dhe KLGJ ta përfundojë.

Shkarkimet nga ana e KPK, krahas problematikave në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, të cilat janë jo funksionale duke çuar drejt kolapsit, gjykatat e Apelit, siç është rasti i Gjykatës së Apelit Tiranë ku stoku i dosjeve që presin në radhë për t’u gjykuar ka shkuar në 14 mijë, ndërkohë që numri i gjyqtarëve është reduktuar ndjeshëm. Referuar faqes zyrtare të KPK rezulton se në radhë për t’u vetuar janë po ashtu anëtarë të tjerë të kësaj gjykate”, raportoi Lala.

Rama inspekton ndërtimin e fiderave të rinj dhe kabinave: Ky investim është një revolucion, në 7 vjet janë bërë më shumë se në dekada

Në inspektimin e ndërtimit të fiderave të rinj, si dhe kabinave të reja në Tiranë, Kryeministri Rama i shoqëruar nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe drejtori i OSHEE, Adrian Çela, theksoi se “vijon rritja e kapacitetit dhe cilësisë së furnizimit me energji elektrike për Tiranën që rritet çdo vit me banorë të rinj”.

Kreu i qeverisë, Rama në fjalën e tij tha se investimi në fjalë është një revolucion, kurse shtoi se në 7 vjet qeveria e tij ka bërë më shumë se ç’mund të bëhen në dekada.

Belinda Balluku: Në 2013, humbjet në rrjet kanë qenë 45 përqind, ndërsa tani e kemi 22 për qind.

Janë reduktuar humbjet në rrjet. Duam të arrijmë tek niveli që donim, 16 përqind të humbjes në rrjet. Pajisjet e reja komandohen online.

Edi Rama: Ky është një revolucion. Në 7 vjet janë bërë më shumë se në dekada të tëra. Janë kantjere për të zëvendësuar rrjete të furnizimit me ujë të viteve 1960, 1970, 1980 etj. Në ato rrjete nuk ishte bërë investim.

Nuk i kemi bërë më parë se kishim barrë të madhe borxhesh. Nuk ka pasur më parë asnjë strategji për t’i bërë hap pas hapi së paku.

Drejtori i OSHEE, Ardian Çela, tha se “ky është nënstacioni më i rëndësishëm nga 174 nënstacione që administron kompania”. “Me këtë nënstacion furnizohen 211 mijë banorë. Është ndërtuar në vitet ’60 dhe për 30 vite nuk ka pasur asnjë investim”, u shpreh ai.

“Investimi i vetëm është ai i nisur nga ne para dy vitesh që e kemi ndarë në tre faza. Kemi investuar deri tani rreth 9 milion dollarë nga 35 fidera që ka ky nënstacion, po eliminojmë ato të  iteve ’70 dhe kemi ndërtuar e rikonstruktuar 130 kabina”, – tha ai.

Ekspertët: Nuk ka shenja të një vale të dytë në Europë, rritja e rasteve shkak i testimit masiv

Sipas ekspertëve, Britania nuk është duke përjetuar valën e dytë të koronavirusit dhe rritja e numrit të rasteve është si rezultat i rritjes së numrit të testimeve, raporton DailyMail.

Sekretari i Shëndetësisë Matt Hancock paralajmëroi se Mbretëria e Bashkuar ‘duhet të bëjë gjithçka që ka në dorë” për të parandaluar një valë të dytë të shtrimeve në spital, gjë e cila ka filluar të ndodhë në Europë.

Por ekspertët thanë se deklarata e Hancock ishte ‘alarmante’ dhe se aktualisht nuk ka ‘asnjë shenjë’ të një vale të dytë. Ata kanë theksuar se njerëzit duhet të jenë vigjilentë, por njëri nga ekspertët tha se “po bëhet gjithnjë e më e qartë se njerëzit kanë më pak të ngjarë të vdesin nëse infektohen me Covid-19 tani krahasuar me fillimin e pandemisë, të paktën në Europë”, shkruan abcnews.al

Numri i testeve pozitive  në Britani 

Rreth 1295 persona rezultuan pozitivë me koronavirus në Britani dje, në krahasim me 1,406 të një ditë më parë, ndërkohë numri mesatar gjatë një jave ishte 1,339 – një rritje prej 27 përqind dhe më e larta që nga 11 qershori.

Shkencëtarët kanë deklaruar se të rinjtë janë shkaku i rritjes së numrit të rasteve të reja me Covid-19, por kanë më pak të ngjarë të sëmuren rëndë dhe të shtrohen në spital, shkruan abcnews.al

Deri më tani 764 persona po trajtohen në spital me Covid-19 në Mbretërinë e Bashkuar, 60 prej të cilëve janë në kujdes intensiv. Kjo është një rënie, pas një kulmi prej 19,872 pacientësh të shtruar në spital në 12 Prill.

Profesori Carl Heneghan, një ekspert i mjekësisë në Universitetin e Oksfordit, tha: ‘Tani për tani nuk ka valë të dytë. Ajo që po shohim është një rritje e ndjeshme e numrit të njerëzve të shëndetshëm që bartin virusin, por nuk shfaqin simptoma.  Të gjithë pothuajse janë të rinj.

Hancock deklaroi se kishte frikë se kjo rritje e rasteve të reja te njerëzit e shëndetshëm do të prekte grupet  e rrezikuara dhe situata do të dilte jashtë kontrollit njësoj si në SHBA, shkruan abcnews.al

Komentet e tij erdhën menjëherë pas deklaratës së Hans Kluge, shefi i OBSH-së për Europën, i cili tha se ai ‘nuk do të habitej’ nëse shtrimet në spital do të rriteshin këtë nëntor.

Por shkencëtarët kanë hedhur poshtë komentet e Hancock, duke theksuar se numri i viktimave nuk është rritur në Francë apo  Spanjë dhe arsyeja e rritjes së numrit të shtrimeve në spital  është për shkak të rritjes së testimeve.

Sipas statistikave zgjerimi i kapacitetit të testimit do të thotë se rastet e reja po gjurmohen më lehtë se në fillim të pandemisë. Vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, numri i testimeve është rritur me 20 përqind që nga fillimi i korrikut deri më tani. Por numri i rasteve pozitive është rritur me vetëm 0.3 përqind në të njëjtën periudhë, duke treguar se rastet e reja janë një kombinim i testimeve të shumta dhe vetëm një rritje e lehtë e rasteve në pikat më të nxehta, shkruan abcnews.al

Numri i të infektuarve në 24 orë në Britani

Franca ka regjistruar  numrin më të lartë të rasteve ditore  që nga marsi. Rreth 7,379 raste të reja u raportuan në 28 Gusht krahasuar me 7,578 raste të regjistruara në 31 Mars, në kulmin e  pandemisë në Europë.  26 viktima nga Covid-19 u raportuan të martën, shkruan abcnews.al

Në Spanjë, rastet po vazhdojnë të rriten, me 8,115 raste të reja të raportuara të martën. Rreth 50,000 spanjollë kanë rezultuar pozitivë brenda një jave, sipas  ministrisë të  shëndetësisë.

Shtrimet në spital janë rritur në të dy kombet, por jo në nivele të larta si në kulmin e valës së parë. Ka rreth 4,500 të shtruar me Covid-19 në Francë.  Në Spanjë, Ministri i Shëndetësisë Salvador Illa theksoi se rritja e rasteve të reja nuk ka shtuar fluksin në spitale. Sipas të dhënave të fundit, gjatë 7 ditëve janë raportuar 159 viktima.

Numri i vdekshmërisë është ulur në  Mbretërinë e Bashkuar.

Numri i testimeve

Profesori Lawrence Young, një virolog dhe onkolog në Universitetin e Warwick, tha për MailOnline: ‘Unë mendoj se komentet e Matt Hancock  ishin alarmante. Sigurisht që duhet të jemi vigjilentë dhe është e vërtetë që numri i rasteve në pjesë të caktuara të Europës po rritet ashtu si edhe shtrimet në spital. Por Europa nuk po përjeton një valë të dytë.

Rama: Duam mandatin e tretë për herë të parë

Edi Rama mblodhi në Elbasan grupin parlamentar, ndërsa pas takimit u shpreh se Partia Socialiste kërkon mandatin e tretë.

Rama theksoi se të gjithë duhet të bëjnë më shumë dhe këtë ai e nisi nga vetja.

“Këtu jemi mbledhur që t’iu ftoj në një reflektim të thellë, por të shpejt, të cilin dua ta nisim për ta kryer në javët e ardhshme së bashku. Një reflektim se si do të vazhdojmë përpjekjen tonë, si skuadër dhe si individ. Si do ta kurorëzojmë këtë mandat për të merituar nga bashkëqytetarët tanë një mandat tjetër, të tretin radhazi. Po e nis nga vetja, atë që në fakt jam mësuar ta bëj me veten rregullisht. Çfarë duhet të bëjë unë më shumë dhe më mirë për të merituar respektin e atyre që më besuan drejtimin e Shqipërisë? Shqiptarët e kanë të qartë se nuk e kanë sot një kryeministër më të mirë, por a jam unë kryeministri më i mirë që mund të jem për ata? Po ju a jeni deputetët më të mirë? A është kjo që kemi bërë deri më sot më e mira që ne mund të bëjmë për ata?

Shqiptarët nuk e kanë sot një alternativë më të mirë dhe këtë ata e dinë, shumica e tyre nuk e diskuton, por kjo sot nuk më mjafton fare dhe atyre jo e jo që nuk u mjafton”, u shpreh kryeministri Edi Rama.

Rama: Nga sot jemi kandidatë për deputetë, kush nuk jep sa duhet nuk është në formacion

Pas mbledhjes së grupit parlamentar në qytetin e Elbasanit këtë të martë, kryeministri Rama tha se të gjithë në PS duhet të bëjnë maksimumin deri në zgjedhje për të siguruar një mandat të ardhshëm.

Ai paralajmëroi grupin aktual parlamentar se vendi i tyre nuk është i sigurt dhe nga sot janë kandidatë për deputetë në zgjedhjet e ardhshme dhe nëse nuk japin aq sa duhet nuk do të jenë në formacion.

“Nga sot deri kur të paraqitemi para qytetarëve ka vetëm një gjë që duhet të kërkoni nga vetja, llogari. Unë ju njoh dhe e di shumë mirë që ju nuk i meritoni paragjykimet. Kush dhe si duhet ta godasë dhe si stereotipin e deputetit. Forca e shembullit alternativa e vetme, çdo gjë tjetër e përforcon. Shembujt ne i kemi në këtë grup parlamentar dhe fatkeqësisht nuk janë pak, por sërish nuk mjaftojnë.

Nuk dyshoj se nëse do të votohej këtë të diel ne nuk do t’i fitonim zgjedhjet, por nuk besoj se do t’i fitonim të gjitha zemrat e atyre që na kanë votuar apo të atyre që nuk na kanë votuar, por nuk e kanë votuar dhe nuk e votojnë forcën kundërshtare.

Këtë të diel ne do të merrnim më pak vota sa meritojmë, ndërsa ata do të merrnin më pak sa kanë marrë herën e fundit. Ne do të merrnim më pak vota sepse populli pret shumë më shumë nga ne dhe se populli nuk pret asgjë nga ata dhe ka të drejtë. Kur unë pres më shumë nga vetja dhe nga ju, imagjinoni dikush që nuk ka as ngenë dhe as arsyen që të justifikojë mungesën e gjërave që pret apo të shohë të njëjtën vëmendje për të parë me lupë çfarë ne kemi bërë dhe të arsyetojë pse nuk bënim dot më shumë.

Ne kemi mjaftueshëm kohë për të përmbushur pritshmëritë. Kemi mjaftueshëm kohë për ta ristartuar kompjuterit për procesin e rikrijimit të skuadrës fituese. Troç farë, deputetë jemi në sallën e kuvendit, ndërsa jashtë saj nga sot jemi kandidatë për deputetë. Kush nuk do të japë jo thjesht gjithçka ka, por gjithçka duhet, nuk do të jenë në atë formacion e ardhshëm”, u shpreh Rama.

Paralajmërimi i OBSH-së: Rihapja pa kontrolluar virusin, katastrofike

Heqja e masave të kufizimit pa vënë nën kontroll pandeminë do të ishte recetë për katastrofë, paralajmëron kreu i OBSH-së, Tedros Adanaom Gebrejesus.

Gjatë një konference virtuale, ai tha se kthimi i nxënësve në shkolla dhe qytetarëve në punë duhet të ndodhë, por në mënyrë tejet të kujdesshme e të sigurt: “Asnjë vend nuk mund të pretendojë se pandemia ka përfunduar. Realiteti është se koronavirusi po përhapet me shpejtësi. Ai mund të jetë fatal për njerëz të moshave të ndryshme. Nëse vendet janë serioze në qëllimin për t’u rihapur, duhet të jenë serioze edhe në frenimin e transmetimit dhe shpëtimin e jetëve njerëzore”.

Kreu i OBSH-së shtoi se sa më shumë kontroll të kenë ndaj virusit, aq më shumë do të mund të rihapen vendet. Sipas Gebrejesus, janë disa gjëra thelbësore që duhen bërë: parandalimi i vdekjeve duke mbrojtur grupet më të cenueshme, mbajtja e maskës, respektimi i distancimit social dhe larja e shpeshtë e duarve, reagimi i vendosur i qeverisë për gjetjen, izolimin, testimin e rasteve, gjurmimi dhe izolimi i kontakteve.  

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, mbi 25 milionë njerëz janë prekur nga COVID-19 në të gjithë botën, ndërsa viktimat i kanë tejkaluar 850 mijë. 

978 raste të reja në Itali, rritet numri i të shtruarve në terapi intensive

Italia ka regjistruar 978 persona të tjerë me koronavirus në 24 orët e fundit duke e çuar numrin total të personave të infektuar me virusin vdekjeprurës në mbi 270 mijë.

Në ditën e fundit 8 pacientë të tjerë nuk ia kanë dalë të fitojnë betejën me Covid-19 duke e çuar numrin total të fataliteteve që nga nisja e pandemisë në 35.491.

Sipas emergjencave civile, lajm i keq është rritja e numrit të pacientëve të shtruar në terapitë intensive, ku nga 94 persona që ishin një ditë më parë, tashmë ata janë 107.

Rajonet me më shumë persona të shtruar në terapi intensive janë Lombardia dhe Siçilia.

Kriza nga COVID-19, Papa Françesku: Koha për drejtësi rikuperuese, anuloni borxhet e vendeve të varfra

Papa Françesku përsëriti thirrjen për anulimin e borxhit që kanë vendet e varfra.

Ai tha se për shkak të pandemisë është koha për “drejtësi rikuperuese”.

Papa po përgatitet për një audiencë me prani të publikut që do të mbahet të mërkurën.

Kjo është audienca e parë e tillë që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit në Itali, gjashtë muaj më parë, raporton AFP.

“Unë përsëris thirrjen time për anulimin e borxhit të vendeve më të rrezikuara, si shenjë e njohjes së ndikimit të rëndë të krizës mjekësore, sociale dhe ekonomike që po përballen këto vende si pasojë e COVID-19”, tha kreu i Kishës Katolike.

Banka Botërore paralajmëroi muajin e kaluar se pandemia mund të ketë çuar deri në 100 milionë njerëz në varfëri ekstreme.

Ekonomitë e zhvilluara tashmë janë zotuar të pezullojnë deri në fund të vitit pagesat e borxhit të vendeve më të varfra.

Aida Hajnaj nis zyrtarisht punën, KLP: Mbështetje të plotë strukturës më të lartë të hetimit

Këshilli i Lartë i Prokurorisë i ka uruar suksese Aida Hajnajt, në nisjen e detyrës si drejtuesja e parë e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Përmes një njoftimi për shtyp, KLP sqaron se në bazë të ligjit është bërë emërimi i Hanajt në këtë detyrë.

“Mbështetur në Kushtetutë dhe në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” dhe si rezultat i një procesi përzgjedhës shumë rigoroz dhe sfidues ku janë vlerësuar aftësitë profesionale , integritet si dhe aftësitë mendore e fizike të kandidatëve, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka emëruar me datë 30 Korrik 2020 zj. Vezaj (Hajnaj) në pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit për një mandat 5 vjeçar me të drejtë riemërimi, duke filluar nga data 01 Shtator 2020.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë gjen rastin për të shprehur mbështetjen e tij të plotë për strukturën më të lartë të hetimin në vend, e cila përmbyll me sukses procesin për ngritjen e institucioneve të reja për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe garantojnë zbatimin dhe funksionimin e reformës në drejtësi.”, thuhet në njoftim.

Skip to toolbar