Shpërthimi në Liban u ndje deri në Qipro, kryeministri shpall një ditë zie

Shpërthimi i fuqishëm që u regjistrua në Liban është ndjerë deri në Qipro, kështu raportojnë të paktën mediat e shtetit ishullor.

Gazetarja qipriote Emilia Papadopoulos deklaron se edhe pse largësia mes dy vendeve është të paktën 240 km shpërthimi është ndjerë i fortë, madje shumë njerëz menduan se bëhej fjalë për një tërmet.

Ndërkohë në Liban, kryeministri Hassan Diab ka shpallur të mërkurën Ditë Zie për shkak të numrit të madh të të lënduarve. Raportohet se do të mbahet dhe një mbledhje e këshillit kombëtar të sigurisë për ngjarjen.

Shpërthim i fuqishëm në portin e Bejrutit, Ministria e Shëndetësisë: Mbi 50 viktima dhe 2500 të plagosur

Ministria e Shëndetësisë në Liban doli me një deklaratë zyrtare për shtyp ku konfirmoi se mbi 50 persona kanë humbur jetën dhe rreth 2500 të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e shpërthimit të fuqishëm në portin e Bejrutit.

Dëmet materiale gjithashtu janë shumë të mëdha pasi shumë ndërtesa që kanë qenë pranë zonës ku ndodhi ngjarja pothuajse janë rrënuar.

Ngjarja ndodhi në portin kryesor të Bejrutit në disa magazina ku dyshohet se mbaheshin lëndë eksplozive ose fishekzjarrë. Shkaqet e shpërthimi janë ende të panjohura.

Ekipet e kërkim shpëtimit dhe zjarrfikësit kanë shkuar në vendngjarje dhe po punojnë për gjetjen e personave të mbijetuar. Bilanci i viktimave mendohet të rritet me kalimin e orëve pasi shpërthimi ka qenë shumë i fuqishëm dhe impakti në zonë shumë i madh.

Koronavirusi në Shqipëri, rekord rastesh të reja dhe 4 viktima

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se në 24 orët e fundit 4 persona kanë humbur jetën nga koronavirusi në Shqipëri. Numri i rasteve të reja të konfirmuara është 130, rekord ditor, ndërsa 23 persona janë shëruar.

COVID-19/ Ministria e Shëndetësisë: 130 raste të reja, 4 humbje jete dhe 23 të shëruar në 24 orët e fundit

Ministria e Shëndetësisë i kërkon qytetarëve qytetarëve të respektojnë masat e vendosura, për të mbajtur maskën detyrimisht në ambientet e mbyllura, për të ruajtur distancimin fizik dhe higjienën personale

Dr. Eugena Tomini
Instituti i Shëndetit Publik

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju informon për situatën epidemiologjike të Covid19 gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë.
Situata paraqitet serioze ku vijon të ketë raste të reja të idenfikuara nga gjurmimi dhe hetimi epidemiologjik, si dhe qytetarë që kanë nevojë për trajtim mjekësor në dy spitalet Covid.
Ndaj u kërkojmë qytetarëve të respektojnë masat e vendosura, për të mbajtur maskën detyrimisht në ambientet e mbyllura, për të ruajtur distancimin fizik dhe higjienën personale. Në këtë normalitet të ri, bashkëpunimi juaj është shumë i rëndësishëm për të parandaluar përhapjen e infeksionit, për të mbrojtur veten dhe të afërmit tuaj.
Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 546 testime për të dyshuar të prekur nga Covid 19, ku 130 persona janë konfirmuar të prekur nga virusi Covid 19.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 72 raste në Tiranë, 13 në Shkodër, 6 në Fier, nga 5 raste në Kukës, Lezhë, 4 në Korçë, nga 3 raste në Mat, Roskovec, nga 2 raste në Krujë, Kavajë, Lushnje, Berat, Sarandë, nga 1 rast në Durrës, Elbasan, Has, Vlorë, Gjirokastër, Malësi e Madhe, Gramsh, Kuçovë, Skrapar.
Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 23 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 3054, që nga fillimi i epidemisë.
Aktualisht ne spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 116 pacientë te konfirmuar pozitiv ku 23 paciente janë në terapi intensive, 7 prej të cilëve pacientë të intubuar.
Fatkeqësisht nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen në spitalin infektiv, me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, dy qytetarë nga Tirana, të dy 85 vjeç. Nuk kanë mundur të mbijetojnë në spitalin Covid2 “Shefqet Ndroqi edhe 2 qytetare: Një 79 vjeçare nga Mirdita dhe një 81 vjeçare nga Shkodra, me sëmundjë bashkëshoqëruese.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjarëve.
Ju lutemi, tregoni kujdes në ambientet e punës, aty ku ofrohen shërbime dhe në çdo ambient publik, për të respektuar masat e higjienës, distancës fizike.
Respektimi i distancës, vendosja e maskës, higjiena vetjake dhe kolektive janë mënyrat e vetme për të frenuar përhapjen e COVID19.
Në rast se dyshoni se jeni të prekur nga Covid19 dhe keni shenja të sëmundjes, të telefononi menjëherë Urgjencën Kombëtare në numrin 127 ose në linjën e gjelbër falas 0800 40 40 për t’u lidhur me mjekun tuaj të familjes.

COVID-19 – Statistika (4 Gusht 2020)
Testime totale 43203
Raste pozitive 5750
Raste të shëruara 3054
Raste Aktive 2520
Humbje jete 176 (Qarku Tiranë 89, Shkodër 30, Durrës 22, Fier 9, Elbasan 6, Lezhë 5, Kukës 4, Vlorë 4, Korçë 4, Dibër 2, Berat 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 1404
Durrës 302
Shkodër 231
Fier 103
Vlorë 94
Lezhë 87
Korçë 82
Kukës 74
Elbasan 54
Berat 33
Dibër 31
Gjirokastër 25

OKB: Për shkak të pandemisë, bota po përjeton një “katastrofë” në edukimin e fëmijëve

Sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara  Antonio Guterres paralajmëroi dje një ”katastrofë për gjeneratat e reja” që vjen nga mbyllja e shkollave për shkak të parandalimit të pandemisë së koronavirusit.

Sipas tij, rikthimi i studentëve në bankat e shkollës duhet të jetë një nga prioritetet kryesore të qeverive, ndërkohë që sipas tij për momentin kësaj çështje nuk po i jepet rëndësinë e duhur.

Shkollat u mbyllën për shkak të masave parandaluese në 160 vende, me perspektivë ende të paqartë për rihapjen, ndërkohë që u përfshinë më shumë se 1 miliard studentë.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres

“Po përballemi me një katastrofë në këtë drejtim që mund të çoj dëm potencialin njerëzor dhe të rrezikojë dekada progresi, si dhe të zmadhojë pabarazitë”, deklaroi Guterres gjatë promovimit të fushatës “Save our Future” të OKB-së, e fokusuar pikërisht në këtë problem.

Pandemia Covid_19, Detyrimet e prapambetura pritet të arrijnë në 560 mln euro këtë vit

Ministria e Financave njoftoi në treguesit e Kuadrit Makroekonomik 2020-2023 se borxhi publik jashtë treguesve fiskale (detyrimet e prapambetura) do të arrijnë gjatë këtij viti në 70 miliardë lekë, ose 560 milionë euro.

Sipas të dhënave zyrtare detyrimet e prapambetura pritet të rriten këtë vit me 64 për qind duke arritur një pik prej 70 miliardë lekësh nga rreth 42 miliardë lekë që ishin raportuar gjatë vitit 2019.

Detyrimet e prapambetura të këtij viti arritën stokun që qeveria Rama zbuloi në vitin 2014 me rreth 71 miliardë lekë.

Shkak për zgjerimin e detyrimeve të prapambetura këtë vit në rekorde, veç të tjerash është bërë edhe pandemia Covid -19. Pandemia u bë shkak për shkurtimin e shpenzimeve buxhetore në disa zëra edhe pse kontratat e qeverisë me privatet për punime dhe shërbime ishin tashmë të lidhura.

Shkak tjetër për rritjen e stokut të detyrimeve jashtë bilancit fiskal janë duke u bërë edhe parashikimet optimiste te të ardhurave. Vitin e kaluar qeveria parashikoi fillimisht të arkëtonte 486 miliardë lekë, por në të vërtetë u arkëtuan 6 për qind më pak se plani. Duke qenë se buxhetimi behet me planin, qeveria lidh kontrata për shuma që nuk i siguron nga të ardhurat e programuara, duke krijuar kështu një stok të pashmangshëm për detyrime.

Azmi Stringa, ish-drejtori i Auditit të Buxhetit në Kontrollin e Lartë të Shtetit, është skeptik për mënyrën se si është rishikuar buxheti, pas pandemisë. Ai paralajmëron se Akti Normativ 3 është optimist, veçanërisht në kahun e shpenzimeve kapitale, çka mbart risqe për financat publike. Ministria e Financave nuk ka një kontroll të mirë mbi ecurinë e shpenzimeve publike nga njësitë shpenzuese dhe përgjithësisht, menaxhon vetëm formalisht treguesit fiskalë, duke krijuar kështu detyrime të prapambetura.

Një tjetër rrezik, sipas tij, lidhet me projektet e Partneritetit Publik Privat (PPP), ku duhet të kemi parasysh që për kontratat PPP, shteti ka ndërmarrë në disa raste, rrezikun e kërkesës dhe si rrjedhojë, pagesat e buxhetit nga koncesionarëve mund të jenë në rritje këtë vit.

Ministria e Financave pret në treguesit e saj fiskale që borxhi publik bruto të arrijë në 80.4% të prodhimit të Brendshëm bruto këtë, por të dhënat për borxhin publik për 6 mujorin e parë të vitit treguan se niveli i tij ka arritur tashmë në 80% të PBB-së që në muajin qershor.

Asnjë garanci për vaksinë efektive kundër COVID-19?! Gjermanët: Do ta kemi së shpejti

Edhe pse e gjithë bota është në kërkim të një vaksine kundër Covid-19, ekspertët e OBSH-së janë skeptikë dhe thonë se kundër virusit Corona nuk do të zbulohet kurrë ndonjë “kurë çudibërëse”.

Shumë gjëra janë ende të pashpjeguara në lidhje me virusin Corona. Prandaj drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, dhe Drejtori i Emergjencave i OBSH-së, Mike Ryan, paralajmërojnë autoritetet e të gjitha vendeve që të zbatojnë me rigorozitet rregulla standarde, si mbajtja e maskave, larja e shpeshtë e duarve, mbajtja e një distance fizike dhe testime për koronën.

“Mesazhi për njerëzit dhe qeveritë është i qartë: maska duhet të bëhet “simbol i solidaritetit” në të gjithë botën” – tha Tedros gjatë një konference për shtyp në Gjenevë. Rruga për rikthimin në normalitet do të jetë e gjatë.

“Nuk ka garanci për vaksinë efektive”

Sipas dy ekspertëve të OBSH-së kundër virusit Corona nuk do të zbulohet kurrë ndonjë “kurë çudibërëse”. Aktualisht janë në fazën e tretë vendimtare të zhvillimit klinik një numër vaksinash, “dhe të gjithë shpresojmë të kemi një varg vaksinash që mund të mbrojnë njerëzit nga infeksioni”, thanë Tedros dhe Ryan. Sidoqoftë nuk ka asnjë garanci për një vaksinë plotësisht efektive. Ndoshta vaksinat do të ofrojnë mbrojtje kundër SARS-CoV-2 vetëm për disa muaj.

Optimizëm nga Gjermania
Kurse ekspertët e Institutit “Paul Ehrlich” që është përgjegjës për miratimin e prodhimeve mjekësore në Gjermani dhe në këtë mënyrë edhe për vaksinat e reja, mendojnë krejtësisht ndryshe.

Presidenti i këtij instituti, Prof. Dr. Klaus Cichutek, tha në televizionin publik gjerman ZDF se është i sigurt që së shpejti do të ketë një vaksinë kundër virusit Corona. Rezultatet e para të studimeve klinike tregojnë që “disa vaksina vërtetë mund të nxisin një reagim specifik të imunitetit të njeriut ndaj SARS-CoV-2”, tha ai./DW/

Apeli Najada Çomos: Respektoni masat, mbani maskat dhe ruani distancimin fizik. Virusi është mes nesh

Shefja e shërbimit Infektiv, mjekja Najada Çomo i bën apel qytetarëve të respektojnë masat për parandalimin e koronavirusit.

Në një mesazh të publikuar nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, Çomo thotë se në 5 muaj fluksi ka ardhur duke u shtuar dhe me gjithë punën dhe lodhjen e madhe ka dhe humbje jete.

Ajo iu kërkon qytetarëve të shmangin grumbullimet.
“Kanë kaluar 5 muaj dhe fluksi i pacientëve të shtruar në shërbimin infektiv ka ardhur duke u shtuar me të sëmurë rëndë natyrisht dhe me humbje jete. Unë kam një apel për qytetarët, që gjithë këta muaj pune intensive në shërbimin infektiv që nga dimri deri në verë janë lodhje dhe punë e jashtëzakonshme por kam një apel, ju lutem respektoni masat e thëna, mbajtja e maskave, distancimi fizik, frekuentoni sa më pak ambiente publike apo situata ku grumbullohen njerëz sepse janë vendi më i rrezikshëm për t’u infektuar nga COVID-19. Virusi është midis jush dhe midis nesh si personel shëndetësor që ju shërbejmë juve, ne jemi për t’u shërbyer juve, ju jeni për të mbrojtur shëndetin tuaj dhe për t’u pakësuar numri i personave që vijnë në spital”, apelon Çomo.

https://www.facebook.com/watch/?v=974578679669855

U ekzekutua me kallashnikov në mes të ditës, viktima në Fushë Prezë baba i tre djemve

Detaje të reja vijojnë të dalin në dritë nga ekzekutimi mafioz i 71-vjeçarit Abdulla Budlla, në Fushë Prezë.

Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” se i moshuari është vrarë me kallashnikov, në vendqëndrimin e taksive pa licencë.

Viktima Abdulla Budlla rezulton të jetë baba i tre djemve, dy prej të cilëve jetojnë jashtë vendit, ndërsa i treti punon taksist në Aeroportin “Nënë Tereza”.

71-jeçari u ekzekutua në mes të ditës dhe në një rrugë të populluar, ndërsa nuk dihen ende shkaqet dhe autorët e krimit.

Arrestohet “Vareja”, bosi i kartelit të drogës Santa Rosa de Lima

Forcat e Sigurisë së Meksikës kanë arrestuar të dielën liderin e dyshuar të kartelit të drogës Santa Rosa de Lima, José Antonio Yépez Ortiz, i njohur ndryshe edhe si “El Marro” – “Vareja”.

Autoritetet federale dhe shtetërore e arrestuan në shtetin Guanajuato, në qendër të Meksikës. Përveç tij, u vunë në pranga edhe 5 persona të tjerë, ndërsa një grua, sipërmarrëse e disa bizneseve në Meksikë, e cila ishte rrëmbyer prej tyre, u arrit të shpëtohej.

Ministri meksikan i Sigurisë, Alfonso Durazo, njoftoi se mbi Yépez Ortiz rëndojnë akuzat e krijimit të organizatës së strukturuar kriminale dhe vjedhje karburanti. Edhe presidenti meksikan Andrés Manuel López Obrador vlerësoi punën e autoriteteve. “U arrit një arrestim shumë i rëndësishëm, tha ai. “Duhet të vazhdojmë të merremi me shkaqet e dhunës në vendin tonë. I themi “jo” korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë”. López Obrador është kritikuar së fundmi për qasjen jo të ashpër ndaj krimit, pasi edhe në fushatën zgjedhore kandidoi me moton “përqafime, jo plumba”.

Tetorin e kaluar, autoritetet në Meksikë arrestuan për pak orë Ovidio Guzmán, djalin e ish-kreut të kartelit të Sinaloas, Joaquin “El Chapo” Guzmán. Por ai u lirua pasi pjesëtarë të kartelit morën peng disa efektivë të forcave të sigurisë dhe paralizuan gjithë qytetin Kuliakian (Culiacán).

Në mars, López Obrador mori kritika të ashpra pasi shtrëngoi duart – pavarësisht kufizimeve për shkak të koronavirusit, me mamanë e “El Chapo”-s, gjatë një vizite në shtetin meksikan Sinaloa.

Autoritetet kishin muaj që kërkonin të arrestonin Yépez Ortiz pas rritjes së episodeve të dhunës në Guanajuato, territor i kontrolluar nga karteli i drejtuar prej tij. Santa Rosa de Lima siguron pjesën më të madhe të të ardhurave përmes zhvatjes dhe vjedhjes se karburantit. Në muajt e fundit një luftë për territor mes këtij karteli dhe Jalisco Nueva Generacion ka bërë që shifrat e kriminalitetit të rriteshin ndjeshëm.

Në Guanajuato ndodhin mesatarisht 10 vrasje në ditë. Në gjysmën e parë të vitit, shteti regjistroi të paktën 1691 vrasje, sipas të dhënave të qeverisë, duke e bërë shtetin meksikan më “vdekjeprurës”.

Vaksinimi ndaj gripit, Manastirliu: Shtojmë zinxhirin frigoriferik për të ruajtur vaksinat

Ndonëse kryefjala që prej muajit mars ka qenë Covid-19 dhe Instituti i Shëndetit Publik është përmendur për kapacitetet e testimit të koronavirusit, misioni tjetër, ai i vaksinimit për të përballuar gripin e stinës është po aq i rëndësishëm. Gjatë një inspektimi në këtë institut ministrja e shëndetësisë ka njoftuar pajisjen me një zinxhir frigoriferik për ruajtjen e vaksinave.

“Deri tani sipas përllogaritjeve për mbulesën vaksinale të shtuar, kemi bërë porosinë e serisë së parë të vaksinave dhe ndërkohë që vijojmë të sigurojmë akoma më shumë vaksina për sa i përket situatës që do të përballemi gjatë muajve tetor-dhjetor e në vijim”, tha Manastirliu.

Nga ana tjetër, shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive, Silva Bino tha se gjatë kësaj kohe është bërë vlerësimi i kategorive të riskut të cilët duhet të vaksinohen ndaj gripit që pritet të qarkullojë në stinën vjeshtë dimër.

“Po përgatitemi për të vijuar përballjen me epideminë e Covid, që sipas strategjisë dhe planit të veprimit aktiv që ne kemi aktualisht, jemi duke forcuar kapacitetet e testimit, gjurmimit, hetimit epidemiologjik, kapaciteteve të spitaleve. Ndërkohë që ne përgatitemi dhe vijojmë të fuqizojmë kapacitetet tona për sa i përket situatës së Covid-19, vijojmë të rrisim edhe kapacitetet tona për sa i përket edhe programeve për vaksinimin e sigurt, siç është programi i vaksinimit ndaj gripit për grupet e rriskuara dhe rritjen e mbulesës vaksinale”, tha ministrja.

“Ne kemi bërë vlerësimin dhe rivlerësimin e kategorive të riskut, të cilat janë të rëndësishme për vaksinimin ndaj gripit dhe njëkohësisht janë subjekte të cilat janë dhe më të prekshme nga Covid-19. Për shembull, personat me sëmundje kronike, natyrisht punonjësit shëndetësorë, mësuesit dhe të gjithë kujdestarët të cilët kujdesen për fëmijët si dhe fëmijët nga 2 deri në 5 vjeç, sepse ata transmetojnë më shumë gripin. Shpresojmë të kemi një situatë më të mirë të kontrollit të gripit, gjë e cila do të na ndihmojnë edhe për Covid-19”, tha Bino.

Ministrja Manastirliu theksoi se po punohet edhe për rritjen e kapaciteteve sa i përket programit të vaksinimit, pasi mendohet se numri i personave që do të ketë nevojë për vaksinim do të jetë edhe më i madh.

Skip to toolbar