Vrasja e mësuesit që bënte karikatura të Profetit Muhamed, Macron: Sulm terrorist

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka reaguar në lidhje me vrasjen e mësuesit në Paris, duke e cilësuar ngjarjen sulm terrorist islamik. Sulmi ndodhi dje rreth orës 17:00 sipas kohës lokale në Paris, ndërsa sulmuesi është qëlluar për vdekje nga policia. Macron tha se mësuesi – i cili ende nuk është identifikuar – është vrarë sepse ka mësuar “lirinë e shprehjes”. “Ata nuk do të fitojnë… Ne do të veprojmë”, tha Macron teksa vizitoi vendin ku ndodhi vrasja.

Kjo ngjarje po hetohet nga prokurorët për terrorizëm. Nisin hetimet për terrorizëm pasi një mësuesit iu pre koka afër Parisit. Sipas gazetës Le Monde, viktima ishte mësues i historisë dhe gjeografisë. Ai, sipas kësaj gazete, kishte shfaqur karikatura të Profetit Muhamed para nxënësve, si pjesë e lirisë së shprehjes. Por, kjo gazetë ka raportuar se mësuesi u ka kërkuar nxënësve myslimanë të largohen nga klasa, nëse ata ndihen të ofenduar me shfaqjen e pamjeve të Profetit.

Sulmuesi me thikë është qëlluar për vdekje nga policët, të cilët po tentonin që ta arrestonin. Policia franceze ende nuk ka dhënë asnjë detaj për sulmuesin, ndonëse mediat kanë raportuar se bëhet fjalë për një 18-vjeçar me origjinë çeçene, që kishte lindur në Moskë, raporton BBC.

A po ndërhyn “Twitter” në procesin zgjedhor? Ndizet debati në SHBA

Vendimi i kompanisë së medias sociale “Twitter” për të bllokuar përhapjen në platformën e saj të një artikulli për djalin e ish-nënpresidentit Joe Biden, Hunter Biden, ka ndezur edhe më tej debatin lidhur me fuqinë që gëzojnë kompanitë e medias sociale dhe si ndikojnë ato tek zgjedhjet në SHBA.

Disa e kanë përshëndetur vendimin e Twitter-it si pozicionim kundër dizinformimit. Të tjerët e kanë kritikuar duke e cilësuar si të njëanshëm dhe si kufizim të lirisë së fjalës në një mënyrë që ndikon tek zgjedhjet.

Javët e fundit, Twitter, Facebook dhe kompania Google, e cila zotëron edhe platformën e ndarjes së videove, YouTube, kanë marrë hapa gjithnjë e më të forta për të kufizuar përhapjen e dizinformimit dhe komenteve ekstremiste në faqet e tyre. Pas zgjedhjeve të vitit 2016, kompanitë online u kritikuan se nuk kishin bërë sa duhet për të ndalur dizinformimin në platformat e tyre.

Këtë javë, Twitter bllokoi disa llogari në faqen e saj, pasi u përpoqën të postojnë një artikull të gazetës New York Post ku citoheshin disa komunikime me email, që sipas gazetës ishin shkëmbyer mes Hunter Bidenit dhe një zyrtari ukrainas lidhur me planifikimin e një takimi mes babait të tij, Joe Biden, ndërkohë që ai ishte nënpresident i SHBA. Autorët e artikullit thonë se raportimi i tyre bazohej në të dhëna të nxjerra nga memoria e një kompiuteri që siç thuhej, kishte qenë në zotërim të Hunter Biden dhe ishte braktisur prej tij. Rudy Giuliani, jurist dhe këshilltar për Presidentin Donald Trump, siç njoftohet, ia dorëzoi memorien e kompiuterit (hard drive) gazetës New York Post.

Të enjten në mbrëmje, Twitter rishikoi politikat e tij për materialet që postohen në këtë platformë, duke thënë se nuk do të hiqte materiale që ishin nxjerrë nga hakerimi i një kompiuteri dhe se do t’i shoqëronte këto postime me komente për të ofruar shpjegime, por nuk do të bllokonte më ndarjen e tyre në platformën e saj.

“Duam t’u përgjigjemi shqetësimeve se mund të ketë pasoja të paparashikueshme ndaj gazetarëve, aktivistëve që ngrenë shqetësime për shkelje e abuzime si dhe të tjerëve dhe se këto pasoja janë në kundërshtim me synimin e Twitter-it për t’i shërbyer dialogut publik,” shkruante në Twitter Vijaya Gadde, shefi i kompanisë për politikat e operimit.

Artikulli i gazetës ende nuk mund të hapet nga postimi në Twitter, njofton rrjeti CNBC, me shpjegimin se artikulli përmban informata private.

Nuk ka pasur takime, thonë punonjës të fushatës
Përfaqësues të fushatës së zotit Biden thonë se e kanë “kontrolluar dokumentacionin e aktiviteteve zyrtare të Joe Bidenit nga ajo periudhë dhe nuk ka pasur asnjë takim të tillë, siç pretendon the New York Post”.

“Raportimet investigative të shtypit, gjatë procesit për shkarkimin e mundshëm të presidentit, madje edhe nga dy komisione të Senatit të udhëhequra nga republikanët, puna e të cilëve u kritikua si “jo-legjitime” dhe politike nga një koleg i tyre republikan, të gjitha dolën me të njëjtin përfundim: Joe Biden zhvilloi aktivitet zyrtar në emër të Shteteve të Bashkuara kundrejt Ukrainës dhe nuk ka kryer asnjë veprim të gabuar,” tha Andrew Bates, zëdhënës për zotin Biden.

Pa postime në Twitter, nuk ka përhapje
Duke cituar politikat e kompanisë për materiale të siguruara përmes hakerimit, Twitter bllokoi mundësinë e gazetës New York Post për të postuar komente në Twitter për artikullin e saj. Po ashtu bllokoi postimin e artikullit nga punonjës të fushatës së Presidentit Trump dhe llogari të tjera.

Facebooku tha se kishte kufizuar qasjen në këtë material për momentin, ndërkohë që pret të kontrollohet materiali nga një kompani e tretë që analizon faktet.

Lisa Kaplan, shefe ekzekutive e grupit Alethea, i cili dikton dhe analizon përhapjen e dizinformimit dhe kërcënimeve online, thotë se vendimet e fundit të kompanisë Twitter për të bllokuar disa postime janë shenjë e mirë.

“I përshëndes përpjekjet e Twitter-it dhe qëndrimin që po mbajnë në përgjigje të dizinformimit, në mënyrë që njerëzit të mos ndajnë një link që dihet se është i sajuar dhe mund të ketë implikime tek zgjedhjet,” thotë ajo. “Ky është një hap i rëndësishëm nëse vërtetë duan të jenë një burim informacionesh të sakta për përdoruesit”.

Përgjigjet Partia Republikane
Reagimi i republikanëve ndaj artikullit ishte i menjëhershëm. Republikanët e Senatit thanë të enjten se kanë thirrur për të dëshmuar javën e ardhshme zotin Jack Dorsey, shef ekzekutiv i Twitter-it. Zoti Dorsey duhet të shpjegojë “përse Twitter po abuzon fuqinë e saj si kompani për t’i mbyllur gojën shtypit,” tha Senatori republikan Ted Cruz.

Senatori Josh Hawley, republikan nga Mizuri, tha se i kishte dërguar një letër zotit Dorsey si dhe Mark Zuckerbergut, shef ekzekutiv i Facebookut, ku u kërkon të dalin para komisionit për të dëshmuar.

Vendimi i këtyre kompanive lidhur me artikujt e gazetës New York Post po e ndez më tej një debat të nxehtë të vitit të fundit: a janë këto kompani të ngashme me një organ shtypi që merr vendime redaksionale, apo janë thjesht platforma ku ndahen dhe përhapen informata nga përdoruesit me ndërhyrje fare të kufizuara të kompanive tek materiali i postuar.

Heqja e mbrojtjeve ekzistuese
Udhëheqës në Kongres, nga të dyja kahet politike po analizojnë nëse duhet t’i zhveshin këto kompani nga mbrojtjet ligjore, të cilat thonë se platformat e medias sociale nuk janë përgjegjëse për përmajtjen e postimeve që bëhen në faqet e tyre. Të enjten, republikani Ajit Pai, kryetar i Komisionit Federal për Komunikimet, tha se agjencia që ai drejton po analizon mundësinë e dobësimit të mbrojtjeve ligjore që gëzojnë këto kompani.

Edhe disa demokratë kanë kërkuar zhveshjen e platformave të medias sociale nga disa mbrojtje ligjore.

Ken Paulson, drejtor i Qendrës për Lirinë e Fjalës në Universitetin Middle Tennessee” thotë se me vendimin lidhur me artikullin e gazetës New York Post, kompanitë e medias sociale nuk janë medoemos më pranë statusit të organaneve të shtypit.

“Nëse ke një biznes, gjëja më e padëshirueshme janë artikujt me sajesa. Në atë rast mund të thuash ‘Nuk jemi të gatshëm ta ndajmë këtë material me miliona përdorues në shkallë globale’. Këta kompani e kanë këtë të drejtë. Nuk mendoj se duhet t’i shohim Twitterin dhe Facebookun si kompani në shërbim të interesit publik. Po ashtu, nuk mendoj se bllokimi i një materiali që Twitteri beson se është i sajuar apo i pabesueshëm, e bën këtë kompani të ngjashme me një organ shtypi,” thotë zoti Paulson.

“Një kompani ka të drejtën të vendosë mbi parimet ku bazohet; kjo po ndodh tani në Twitter dhe Facebook,” thotë ai.
Për momentin dihet me siguri se me vendimet e përditshme që marrin kompanitë e medias sociale për të bllokuar apo kufizuar postimin e materialeve të caktuara, ligjvënësit do të kenë material të bollshëm për të mbështetur argumentet për ndryshimin e rregulloreve./VOA

Çfarë janë “shtetet e lëkundura”, pse janë jetike në presidencialet e SHBA?

Shtetet e lëkundura, të njohura gjithashtu si shtetet e “fushëbetejës”, janë shtetet ku gara është shumë e ngushtë, dhe ato historikisht janë lëkundur midis votimit për një parti apo tjetrën në zgjedhjet presidenciale. Ndërsa shumica e shteteve, votojnë vazhdimisht përgjatë linjave partiake – gjatë viteve 2000-2016, 38 shtete votuan për të njëjtën parti politike – këto shtete marrin një vëmendje të madhe nga kandidatët dhe anketuesit.

Kolegji Zgjedhor u jep fuqi shteteve

Etërit Themelues të SHBA-së, ishin të ndarë mbi mënyrën se si duhej të zgjedhur presidenti. Disa donin që Kongresi të zgjidhte udhëheqësin e kombit, të tjerët donin që atë ta zgjidhnin qytetarët me votën e tyre. Kolegji Zgjedhor u krijua si një kompromis.

Kushtetuta i garanton çdo shteti një numri zgjedhësish, bazuar në një total të kombinuar të delegatëve të shtetit në Senat dhe Kongres. Janë gjithsej 538 vota të Kolegjit Zgjedhor, dhe kandidatëve për president u duhen 270 vota elektorale për të hyrë në Shtëpinë e Bardhë.

48 nga 50 shtete kanë një sistem të tipit “fituesi i merr të gjitha”, që do të thotë se kush fiton votën popullore, i fiton të gjitha votat e kolegjit elektoral të atij shteti.

Dy shtete – Mein dhe Nebraska – përdorin metodën e qarkut kongresual, që do të thotë se ato

i ndajnë dy vota elektorale për fituesin e votës popullore në atë shtet, dhe një votë elektorale fituesit të votës popullore në secilin qark kongresual. Presidentët mund të fitojnë votën popullore, dhe të humbin votën e Kolegjit Elektoral.

Dhe kjo gjë ndodhur 5 herë, së fundmi në zgjedhjet e vitit 2016, kur Hilari Klinton mori 2.8 milion vota popullore, sesa fituesi i Kolegjit Zgjedhor Donald Trump, pabarazia më e madhe në histori.

Meqë 38 nga 50 shtetet kanë votuar për të njëjtën parti që nga zgjedhjet presidenciale të vitit 2000, është relativisht e lehtë të parashikohet se cilat shtete do të votojnë për një kandidat demokrat dhe cilat për një republikan. Janë shtetet që nuk votojnë vazhdimisht përgjatë linjave partiake, ato që përcaktojnë nëse një kandidat do të fitojë apo humbasë:shtetet e lëkundura.

A ka pasur gjithnjë shtete të lëkundura?

Ka një arsye kryesore pse ekzistojnë shtetet elektoralisht të lëkundura në Shtetet e Bashkuara. Sistemi zgjedhor në SHBA, është i strukturuar rreth shteteve. Siç shpjegon Xhon Hudak, një anëtar i vjetër i Institutit Brukings:”Sistemi ynë zgjedhor presidencial, është krijuar për t’i bërë shtetet si njësinë më të rëndësishme zgjedhore”.

Hudak vlerëson se zgjedhjet presidenciale shumë konkurruese të vitit 1800 midis Aron

Bërr dhe Tomas Xhefersonit, e rritën interesin e politikanëve për të fituar në shtete të veçanta.“Pas vitit 1800, shtetet filluan të kenë një qasje të vendosur, për të siguruar numërimin dhe raportimin e saktë të votave.

Me kalimin e kohës, politikanët e kuptuan si funksiononin zonat elektorale të një shtetit, ndërsa edhe konkurrenca u rrit”-thotë Hudak. Ndërkohë Dejvid Shulc, botues i librit “Shtetet e lëkundura në zgjedhjet presidenciale: Pse kanë rëndësi vetëm 10 prej tyre”, bashkë me Stejsi Heht, thotë se shtetet e lëkundura filluan të shfaqeshin pas Luftës Civile.

“Në vitin 1860, çështja e skllavërisë krijoi shtete të lëkundura si Ohajo”- thotë Shulc. Ai shpjegon se Partia Republikane ishte themeluar vetëm disa vjet më parë në Uiskonsin, dhe ajo po rritej shumë në shtetet e Mes-perëndimit. Partia u bë e njohur për mbështetjen e heqjes së skllavërisë dhe ruajtjen e Unionit.

“Shtetet e Veriut votuan për Linkolnin. Ato të jugut për kandidatin demokrat. Ishin shtete si Ohajo, ato që vendosën ekuilibrin. Asnjë republikan nuk e ka fituar presidencën, nëse nuk fitonte në Ohajo”- thotë Shulc. Ndërsa koncepti është po aq i vjetër sa Kolegji Zgjedhor, termi “shtet i lëkundur” është relativisht modern.

Ai u përdoror për herë të parë nga gazeta “The New York Times” në vitin 1936, kur presidenti Frenklin Ruzvelt po bënte fushatë në Perëndim. Por ky term u bë shumë më popullor në zgjedhjet e shumë kontestuara të vitit 2000, kur gazetarët mbuluan “fushëbeteja” si ajo e Floridës.

Pse kanë rëndësi shtetet e lëkundura?

Pretendimi se “çdo votë ka rëndësi”, është veçanërisht i vërtetë në shtetet e lëkundura. Këtë e kanë vërtetuar zgjedhjet me rezultat të ngushtë përgjatë historisë amerikane: Herri S.Truman e mundi Tomas Djuin në vitin 1948, me më pak se 1 për qind të votës popullore në shtetet atëherë të lëkundura si Ohajo, Kalifornia, Indiana, Ilinois dhe Nju Jorku, një garë aq e ngushtë sa shumë gazeta e shpallën gabimisht fitues pikërisht Djuin.

Në zgjedhjet presidenciale të vitit 1960, midis Riçard Niksonit dhe Xhon Kenedit, 10 shtete u fituan me më pak se 2 për qind diferencë. Dhe në vitin 2000, rezultati i zgjedhjeve u përcaktua nga fituesi i Floridës, shtet të cilin Xhorxh Ë.Bush e mori me një diferencë prej vetëm 537 votash.

Pesha që kanë këto shtete në rezultatin përfundimtar, bën që kandidatët të shpenzojnë 75 për qind ose më shumë të buxhetit të fushatës, në përpjekje për të fituar mbështetjen e tyre. Kandidatët i vizitojnë shumë më shpesh shtetet e lëkundura gjatë fushatës, duke anashkaluar shpeshherë shtetet e tjera. “Shtetet e lëkundura, janë në fakt e gjithë fushata presidenciale”- thotë Hudak.

Çfarë dinamike krijojnë shtetet e lëkundura?

Tre faktorë kryesorë mund të krijojnë shtete të lëkundura, dhe këto faktorë shpesh mbivendosen dhe janë të gjithë në lojë:

  1. Ndryshimet demografike. Zonat urbane priren të votojnë për demokratët, dhe ato rurale për republikanët. Kur qytetarët largohen nga zonat me prirje liberale apo nga qytetet e mëdha, për t’u vendosur në qytete më të vogla ose në zona më rurale, ata mund ta ndryshojnë ekuilibrin midis palëve.
  2. Polarizimi ideologjik:Qendra Kërkimore Pju, ka zbuluar se ndarja ideologjike midis partive kryesore, nisi të zgjerohej në vitet 2000. “Para viteve 1990, kishte një numër të konsiderueshëm republikanësh liberalë në veri, dhe demokratësh konservatorë në jug. Ndërsa partitë ndajnë, ato mund të ndryshojnë nëse një shtet është i lëkundur apo jo”- thotë Hudak.
  3. Politika e moderuar:Në një shtet me votues më të moderuar, ndarja midis republikanëve dhe demokratëve ngushtohet, gjë që e bën më të vështirë përcaktimin e rezultatit të zgjedhjeve. Hudak thotë se shtetet si Meini dhe Nju Hempshajëri “kanë shumë votues të moderuar, me mendje të pavarur, të cilët diktojnë konkurrencën midis 2 partive”.

Hudak shton se ndërsa vendi ka evoluar, po kështu ka ndodhur edhe me numrin dhe identitetin e shteteve të lëkundura. “Akti për të Drejtat e Votimit, ka pasur një ndikim të madh në të drejtën e votës për afro-amerikanët, të cilët nuk mund të votonin deri 50 vjet më parë në vende si Teksasi, Karolina e Veriut dhe Xhorxhia”- thotë Shulc.

Shtetet e lëkundura në presidencialet e këtij viti

Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, Donald Trump, fitoi përmes Kolegjit Zgjedhor në 6 nga 10 shtetet më të lëkundura. Këtë vit fushëbetejat e mundshme midis Xho Bajdenit dhe Donald Trumpit mund të jenë Arizona, Florida, Xhorxhia, Ajoua, Meini, Miçigani, Minesota,Nebraska, Nevada, Nju Hempshajëri, Karolina e Veriut, Ohajo, Pensilvania dhe Uiskonsin. / bota.al

Madeleine Albright: Si të shmanget kaosi pas zgjedhjeve të 3 Nëntorit

Shumë shpejt pasi mbërrita në Nju Jork si refugjate në moshën 11-vjeçare, unë u bëra një amerikane krenare dhe mirënjohëse. Më vonë, si diplomate e SHBA-së, unë promovova një model nëpër botë si institucionet demokratike amerikane dhe procesin e nderuar zgjedhor.

Miqtë e mi të huaj, ishin dakord më këtë konstatim. Kur njerëzit shihnin SHBA-në, u pëlqente në përgjithësi ajo çfarë ndodhte këtu. Ato kohë të lumtura, duken sot shumë të largëta.

Për shkak të marrëzive të një presidenti të llastuar dhe shumë arrogant, demokracia amerikane është zhvlerësuar dukshëm në sytë e botës. Duke ndjekur debatin e fundit midis Donald Trump dhe sfidantit të tij demokrat, Xho Bajden, mu duk sikur isha bllokuar brenda një vullkani që po shpërthente, me një qen të lehte pa pushim.

Një president që pretendonte se përfaqësonte rendin dhe ligjin, refuzoi të respektonte rregullat e debatit, që i kishte pranuar më herët shtabi i tij elektoral. Gjithashtu ai refuzojë të dënojë aktet e fanatizmit racor, apo të premtojë se do të njohë rezultatin e zgjedhjeve, pavarësisht se cili do të jetë ai.

Dhe bazuar në rekordet e tij të mëparshme, asgjë nga ato që u panë në atë debat nuk ishin befasuese. Pak orë më vonë, Trump dhe disa njerëz pranë tij rezultuan pozitivë me koronavirusin e ri. Sërish, as kjo nuk ishte shumë e habitshme, po të kesh parasysh qëndrimin shpërfillës të administratës aktuale ndaj pandemisë.

Më pas pati një përpjekje tepër të pahijshme nga zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë, për ta portretizuar shefin e tyre si një hero që e kishte “mundur” virusin, edhe pse me ndihmën e një ekipi mjekësor elitar dhe ilaçeve eksperimentale.

Mesazhi i zotit Trump – se askush nuk duhet të ketë frikë nga virusi – kundërshtohet nga eshtrat e mbi 1 milionë të vdekurve deri më tani. Tani amerikanët janë gati të zgjedhin një udhëheqës për 4 vitet e ardhshme. Nuk ka një shfaqje më të mirë të demokracisë sesa zgjedhjet.

Por këtë vit ekziston edhe potenciali për një përçarje me pasoja serioze. Dhe në mesin e arsyeve përfshihet sfida e votimit të sigurt në mesin e një pandemie, barra logjistike e trajtimit të një numri të madh të fletëve të votimit që mungojnë, probabilitetin që agjentët e huaj dhe të brendshëm të synojnë të njollosin procesin duke përhapur gënjeshtra, dhe përpjekjet e vetë presidentit Trump për të minuar besimin publik tek institucionet demokratike.

Duke pretenduar se zgjedhjet do të manipulohen në dëm të tij, Trump po mbjell me qëllim “farërat” e kaosit, duke përfshirë mundësinë e përplasjeve të dhunshme gjatë Ditës së Zgjedhjeve, dhe një kacafytje të gjatë gjyqësore pas saj.

Nëse rezultati do të jetë tepër i ngushtë, fituesi mund të mos dihet për javë të tëra, dhe ka të ngjarë që procesi të cilësohet si i manipuluar nga njëra apo tjetra palë. Asnjë proces zgjedhor nuk zhvillohet në mënyrë të përsosur, dhe mosmarrëveshjet rreth fletëve të votimit janë të zakonshme.

Por këtë herë Trump do të përpiqet ta zmadhojë çdo lloj problematike sado të vogël, duke e bërë atë pjesë të një komploti të madh që po kurdiset kundër tij. Dhe ka disa në të majtën ekstreme, që janë të aftë të mendojnë në të njëjtën mënyrë.

Në fund, mosmarrëveshjen mund të zgjidhen nga Gjykata e Lartë, e cila për mbështetësit e Bajden është e njëanshme në favor të republikanëve. Sigurisht, ka gjasa që rezultati të jetë mjaftueshëm i thellë në favor të njërit prej kandidatëve, sa që t’i bëjë të parëndësishme ankesat partiake.

Dhe unë shpresoj të ndodhë diçka e tillë. Por ne duhet të përgatitemi për më të keqen, dhe në këtë rast ia vlen të kujtohen 3 fakte. Së pari, procedurat për votimin janë zhvilluar gjatë shumë viteve, dhe ato janë bazuar në udhëzimet e ekspertëve jo-partiakë:një manipulim në shkallë të gjerë i zgjedhjeve është tejet i pamundur, por dhe po ndodhi do jetë relativisht i lehtë për t’u zbuluar.

Së dyti, disa anomali janë të pashmangshme, por gjithashtu të rikuperueshme, dhe ato nuk duhet të diskreditojnë të gjithë procesin. Së treti, pavarësisht se sa i sinqertë dhe efikas është numërimi i votave, akuza për manipulim sigurisht që do të ketë në mediat sociale, por edhe nga elementet partiake të medias.

Me apo pa zjarre të vërteta, do të ketë me siguri shumë tym. Dhe u takon udhëheqësve të përgjegjshëm në të dyja partitë dhe profesionistëve të ligjit, akademikëve dhe gazetarëve, që t’i ndihmojnë qytetarët të ndajnë faktet nga ekzagjerimet dhe gënjeshtrat.

Sa më të përgatitur të jemi për këtë lloj konfuzioni, aq më mirë mund t’i kundërvihemi tij. Shpesh më kanë pyetur se sa kohë do të duhet për të riparuar dëmet e shkaktuara nga administrata aktuale ndaj pozitës globale të SHBA-së. Sigurisht, vendi ynë nuk mund të zhbëjë përvojën e përfaqësimit nga Trump. Ashtu si një tufë elefantësh që lënë pas gjurmët e tyre aty ku kalojnë, po kështu do të ndodhë edhe me ekipin e Trump.

Nëse zgjidhet president, Xho Bajden do të trashëgojë një vend me një ndikim të zvogëluar në botë, për shkak të kërkimit të “madhështisë” nga paraardhësi i tij në të gjitha vendet e gabuara.

Detyra e presidentit të ri do të jetë shumë sfiduese:të sigurojë aleatët për angazhimin e SHBA-së ndaj tyre; të rivendosë udhëheqjen e SHBA-së mbi ndryshimin e klimës dhe shëndetin global; të krijojë koalicione efektive për të kontrolluar ambiciet e Kinës, Rusisë dhe Iranit; dhe të rivendosë imazhin e SHBA-së si një kampione e demokracisë.

A është Bajden dhe ekipi i tij në lartësinë e kësaj sfide? Me ndihmën e atyre që ende i urojnë SHBA-së më të mirë, përgjigja është sigurisht po. A do të kenë ata shansin që ta bëjnë këtë? Kjo do të varet nga mënyra sesi qytetarët amerikanë, do ta shohin qëllimin dhe karakterin e kombit të tyre.

A ka vizioni i tyre ndonjë ngjashmëri me vendin e sigurt, të hapur ndaj botës, që e mirëpriti familjen time në vitin 1948? Apo koha e ka ngushtuar kaq shumë perspektivën popullore, dhe e ka ngatërruar aftësinë tonë për të dalluar të vërtetën nga gënjeshtrat, dhe që SHBA-ja me të cilën unë rashë dikur në dashuri, i përket tashmë historisë? Për mirë apo për keq, së shpejti do ta mësojmë përgjigjen.

Shënim: Madeleine Albright, ish sekretare amerikane e shtetit në vitet 1997-2001, dhe autore e librit “Ferri and destinacione të tjera:Kujtimet e shekullit XXI” / FT – Bota.al

Covid-19 ‘mbyll’ nga sot Parisin dhe 8 qytete të mëdha franceze

Masat kundër koronavirusit kanë hyrë në fuqi më 17 tetor në Paris dhe në 8 qytete të tjera të mëdha të Francës. Ky vendim i autoriteteve franceze vjen pas rritjes së rasteve të reja me COVID-19, sëmundjen që e shkakton ky virus.

Nga ora 21:00 deri në orën 6:00 do të jetë ora policore, e cila pritet t’i afektojë 20 milionë njerëz. Kjo masë vjen pasi një ditë më parë autoritetet regjistruan, më shumë se 25,000 raste me COVID-19 në mbarë Francën.

Përderisa ora policore ka marrë mbështetjen e publikut, zyrtarët në disa qytete franceze druajnë se masat kundër koronavirusit, do të kenë ndikim të madh në aspektin social dhe ekonomik të vendit.

Masat në Francë do të jenë në fuqi për të paktën katër javë. Pronarët e restoranteve kanë kundërshtuar orën policore, duke thënë se kjo nuk ka kuptim, për shkak se tashmë autoritetet kanë vendosur rregulla strikte të distancës fizike.

Në mbarë Francën po ashtu janë ndaluar dasmat dhe ndejat e tjera publike dhe njerëzit janë udhëzuar që në tubimet private në shtëpi, të mos mblidhen më shumë se gjashtë persona.

Në gjithë Evropën së fundmi është regjistruar numër i lartë i rasteve të reja me koronavirus.

Në 24 orët e fundit, Gjermania ka regjistruar 7,830 raste të reja – shifra më e lartë e infektimeve ditore që prej se ka nisur pandemia. Në total, në Gjermani janë regjistruar 356,387 raste me koronavirus dhe 9,767 viktima.

Në Austri, qeveria ka njoftuar se ministri i Jashtëm, Alexander Schallenberg është infektuar me koronavirus, pasi kishte marrë pjesë në një takim me homologët e tij të Bashkimit Evropian më 12 tetor, andaj si preventivë, të gjithë pjesëtarët e Qeverisë austriake do t’i nënshtrohen testit për COVID-19.

Italia po mëton të vendosë masa të reja për të frenuar përhapjen e koronavirusit, teksa brenda 24 orëve janë regjistruar 8,804 raste të reja me këtë virus.

Në Shtetet e Bashkuara, kanë vdekur më shumë se 218,000 persona dhe mbi 8 milionë persona janë infektuar.

Në mbarë botën, 1,1 milion persona kanë vdekur nga virusi dhe 39,2 milionë janë infektuar./rel

“Nisma e Tre Deteve” merr mbështetje nga SHBA

Në vitin 2015, Polonia dhe Kroacia krijuan një lidhje prej dymbëdhjetë vendesh të BE-së midis Detit Baltik, Adriatik dhe Detit të Zi. E ashtuquajtura Nisma e Tre Deteve përfshin Bullgarinë, Estoninë, Kroacinë, Letoninë, Lituaninë, Austrinë, Poloninë, Rumaninë, Sllovakinë, Slloveninë, Republikën Çeke dhe Hungarinë. Qëllimi i saj është të rrisë ndërgjegjësimin për interesat politike të shteteve pjesëmarrëse brenda Bashkimit Evropian në mënyrë që të zhvillojë infrastrukturën relativisht të dobët të rajonit të tyre.

Potenciali është i madh. Ndërsa vendet e Nismës së Tre Deteve përbëjnë 28 përqind të zonës së BE dhe rreth 22 përqind të banorëve të BE, ato gjenerojnë vetëm 10 përqind të produktit kombëtar bruto evropian. Nga ana tjetër, këto vende shënuan rritjen më të madhe ekonomike në BE përpara krizës së koronës: deri në 3.5 përqind, shumë mbi mesataren e BE prej 2.1 përqind.

Drei-Meere-Initiative Treffen in Warschau Trump (picture-alliance/AP Photo/E. Vucci)

Por deri tani projektet e përbashkëta të Nismës së Tre Deteve nuk kanë treguar përparime të shpejta. Shpesh kishte mungesë të financave sepse vendet anëtare ishin shumë hezituese për të depozituar para në fondin e nismës, i cili u krijua në vitin 2019 në një bankë ekonomike polake. Në shkurt 2020, Sekretari i Shtetit i SHBA Mike Pompeo njoftoi se SHBA do t’i akordojnë kësaj nisme 1 miliardë dollarë. Hapat e mëtejshëm financiarë do të shpallen në samitin e pestë të Nismës së Tre Deteve të organizuar nga Estonia, që do të zhvillohet në Talin më 19 Tetor 2020.

Rumänien Bukarest - Drei-Meere-Initiative (Getty Images/AFP/D. Mihailescu)

Kjo është arsyeja pse pritet një “samit i jashtëzakonshëm”, thotë përfaqësuesi i qeverisë polake për Nismën e Tre Deteve, Pawel Jablonski. “Pas disa vitesh si një projekt kryesisht politik, nisma tani po bëhet një projekt ekonomik,” tha Jablonski. Mbi të gjitha, Polonia do të mbështesë ndërtimin e tubacioneve të gazit midis Evropës Veriore dhe Jugore, gjë që do ta bënte vendin më pak të varur nga furnizimet prej gazit rus. Sipas Jablonski, projektet e digjitalizimit janë gjithashtu të rëndësishme në mënyrë që rajoni të bëhet një “qendër për teknologjitë më të fundit”.

Luftë për teknologji

Në këtë drejtim edhe SHBA sheh një mundësi për nismën e saj “Clean 5G Network Security” me të cilën dëshiron të frenojë ndikimin kinez në rrjetet e të dhënave. Ky ishte një nga qëllimet e udhëtimit të Sekretarit të Shtetit të SHBA Mike Pompeo nëpër Evropën Lindore dhe Qendrore në gusht. “Rrjedha po shkon kundër Partisë Komuniste Kineze dhe përpjekjeve të saj për të kufizuar liritë e të gjithë neve,” tha Pompeo në fillim të tetorit 2020 kur nënshkroi një marrëveshje me BE-në dhe shtetin anëtar të Nismës së Tre Deteve, Slloveninë, e cila synon ndalimin e furnizuesit kinez të teknologjive Huawei.

China Huawei Smartphone-Werk in Dongguan (Kyodo/imago images)

Ndërsa shumica e vendeve të Evropës Perëndimore ende hezitojnë të vendosin nëse do ta lejojnë apo jo kompaninë kineze Huawei hyrjen në tregjet e tyre, gjithnjë e më shumë vende të Evropës Lindore dhe Qendrore po distancohen nga Kina. Në prag të samitit të Nismës së Tre Deteve, vendi pritës Estonia, i cili vlerësohet si model evropian i digjitalizimit, e mbështeti po ashtu nismën e SHBA “Rrjete të Pastra”. Në samitin e ardhshëm, Estonia do të paraqesë projektin e saj “Lidhje e zgjuar”, i cili synon të ndihmojë në digjitalizimin e të gjithë aksit evropian veri-jug. Nënsekretari i SHBA për Zhvillimin dhe Energjinë Keith Krach dhe përfaqësuesi i kompanisë së Internetit Google do të jenë po ashtu të pranishëm.

Por pavarësisht projekteve të përbashkëta vendet anëtare të Nismës së Tre Deteve nuk janë politikisht të një mendjeje. Sidomos qëndrimet politike të tyre ndaj Rusisë, janë shumë të ndryshme. Si rezultat ato e kanë të pamundur të flasin me një zë me pjesën tjetër të BE-së. Projektet e përbashkëta ekonomike janë shansi i vetëm për bashkëpunim – dhe mbeten një “instrument tërheqës” për SHBA për të ushtruar ndikim në Evropë./dw

Ministri i Jashtëm austriak infektohet me COVID-19

Ministri i Jashtëm austriak Alexander Schallenberg infektohet me COVID-19. Lajmin e ka dhënë vetë ministria e jashtme ku raporton se Schallenberg ka rezultuar pozitiv në testin e koronavirusit.

“Deri tani ministri nuk ka asnjë simptomë të COVID-19”- ka thënë zëdhënësja e ministrisë së jashtme austriake.

Sipas të njëjtave burime është e mundur që Alexander Schallenberg është infektuar me COVID-19 gjatë Këshillit të Punëve të Jashtme në Luksemburg gjatë gjatë një takimin me Homologët e tij të Bashkimit Evropian”, tha zëdhënësja e Ministrisë.

“Si masë paraprake të gjithë anëtarët e qeverisë do të testohen’-thuhej në njoftim.

Kapet fieraku i rrezikshëm me 4 emra, i shpallur në kërkim ndërkombëtar

Një tjetër person i shpallur në kërkim ndërkombëtar bie në prangat e Policisë.

Policia e Fierit në bashkëpunim me Interpol Tirana, kapën dhe ndaluan një shtetas të dënuar me 8 vjet, 3 muaj dhe 20 ditë burgim për veprën penale “Grup kriminal me qëllim shfrytëzim prostuticioni si dhe organizator për emigrim të paligjshëm”.

Njoftimi i policisë:

Nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Fier, në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe Interfoza italiane, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, bazuar dhe në informacionet e mara në rrugë policore, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i përkohëshëm me qëllim ekstradimin drejt Italisë, i shtetasit Edison Mërtiri (Edison Prifti) (Adison Prifti) (Artan Budo), 44 vjeç, banues në Fier.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Torinos/Itali e ka dënuar me 8 vjet e 3 muaj e 20 ditë, për veprën penale “Grup kriminal me qëllim shfrytëzim prostuticioni si dhe organizator për emigrim të paligjshëm”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.

“S’kam dalë para jush për të bërë Kasandrën”, Basha: Keqqeverisja shkaktar i krizës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një konferencë për mediat deklaroi se arsyeja e rritjes së numrit të rasteve me COVID-19 është mungesa e testimeve.

Lideri i opozitës akuzoi qeverinë se nuk po jep buxhet të mjaftueshëm për sistemin shëndetësor në vend si dhe nuk i ka ofruar asnjë ndihmë të prekurve me COVID-19.

“Dy krizat janë kriza shëndetësore dhe ajo ekonomike. Kam marrë me qindra, mijëra sms gjatë këtyre ditëve nga qytetarët, të cilët thonë se “pse lodhesh, ai s’ka bërë gjë për këto 8 vite, s’do bëjë gjë më”. Unë dua t’u them se nuk do të lodhëm duke përsëritur kërkesën që shtetit shqiptar t’u kthejë qytetarëve shqiptarë paratë e taksave të tyre në formë mbështetje që kanë sot nevojë. Sot qytetarët që kanë nevojë për testin e covid, s’e bëjnë dot. Qindra të tjerë s’kanë mundësi q të marrim mjekimin e duhur. S’kanë mundësi financiare për kurimin ndaj covid-it.

Mijëra qytetarë nuk i sigurojnë dot shportën ushqimore, ata presin ndihmë nga shteti. 1/3 shqiptarë nuk e përballojnë dot jetesën. Shumica e bizneseve janë në prag falimentimi. Nuk do të lodhem duke përsëritur që shtetit shqiptar të kryejë detyrimin ndaj shqiptarëve dhe të vërë në lëvizje këto fonde. Siç e bëri të ditur dhe zëri i Amerikës, se numri i testimeve ka rënë, është rritur numri i të infektuarve. Asnjë medikament që jepet për të trajtuar COVID-in nuk rimbursohet.

Mosrimbursimi i ilaçeve në këto kushte është i pafalshëm. Kjo është çështje jete, çështje shëndeti. Kemi 2 javë e gjysmë që kërkojmë që sistemi i shëndetësisë të vihet në alert të plotë, por nga kulluqet e zyrave bëjnë propagandë. Sot që flasim buxheti i sistemit të shëndetësisë vijon të jetë sa gjysma e buxhetit të shëndetësisë në Maqedoni. Paratë po përpihen nga aferat korruptive.

“Urgjentisht të pajisen me tableta familjet që nuk kanë mundesi ekonomike t’i blejnë për fëmijët e tyre. Investim në teknologji për mësimin në distancë, të përgatitet infrastruktura në rast se shkollat mbyllen. 160 mijë lekë/muaj për të papunët, 200 mijë lekë/muaj për çdo rimarrje në punë nga biznesi.

Çek 1000 euro për biznesin e vogël. Subvencionim i qirasë, heqja e taksës së pronës, shtrirja në kohë e mundësisë për të marrë kredi me garanci shtetërore. “ u shpreh Basha, ndërsa theksoi se është e nevojshme zbatimi i këtij plani sa më parë.

“Çdo ditë që kalon e rëndon më shumë krizën. Numri i raportimeve ishte thuajse gjysma kur prezantuam këtë plan.

Kurrë s’kam dalë para jush për të bërë Kasandrën, por mos marrja e masave tregon qartë se shkaktari, përgjegjësi kryesor, nuk është më pandemia, po keqqeverisja që po rrezikon ditë për ditë jetën e shqiptarëve.” vijoi Basha.

Facebook ndalon reklamat kundër vaksinave

Rrjeti social Facebook paralajmëroi se do të vendoste një ndalim të reklamave kundër vaksinimit.

Facebook njoftoi se reklamimet që tregojnë vaksinat si të pasigurta ose të padobishme nuk do të lejohen.

Kang Shing Cin, menaxher i Facebook-ut për nismat shëndetësore, theksoi se në këtë mënyrë dëshiron të ndihmojë që njoftimet për mbrojtjen dhe efektivitetin e vaksinës të arrijnë një audiencë të gjerë.

Duke theksuar se ndalesa e reklamave që përmbajnë të dhëna të rreme që mund të dëmtojnë përpjekjet në shëndetësi.

“Nuk dëshirojmë shpallje të tilla në platformën tonë”, theksoi Cin.

Skip to toolbar