Thaçi mbërrin në Tiranë, të dielën i drejtohet publikut për akuzat

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, njoftoi se ka arritur në Aeroportin e Tiranës dhe se të dielën do t’i drejtohet opinionit.

Thaçi ka qenë jashtë Kosovës dhe ka ndërprerë udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara, pasi Zyra e Prokurorit Special në Hagë ka paraqitur të mërkurën aktakuzë për krime lufte kundër tij, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

“Sapo kam zbritur në Aeroportin ‘Nëna Terezë’ në Tiranë, ndërkaq, të dielën në mbrëmje do t’ju drejtohem me një fjalë nga zyra ime. Ju uroj një fundjavë të qetë dhe mbetem me shpresë të plotë se ditët më të mira për Kosovën dhe kombin shqiptar i kemi përpara”, shkroi Thaçi në Facebook.
Më herët, në një postim në Instagram, ai tha se “askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës”.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar të mërkurën se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Ende nuk është e qartë se kush bën pjesë në grupin e “të tjerëve”, siç i ka cilësuar Zyra e Prokurorit.

“Në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afro 100 vrasje të paligjshme”.

“Krimet e paraqitura në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të identifikuara, shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”, tha Zyra e Prokurorit Special.

Akuzat për Thaçin dhe Veselin, Meta: Strategji provokative, për të njollosur UÇK-në

Presidenti Ilir Meta komenton akuzat e ngritura nga Haga për krime lufte, ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit, Kadri Veseli.

Ai shpreh bindjen se akuza të tilla do të përballohen me urtësi dhe unitet nga jo vetëm këto dy personalitete.

“Duke vlerësuar se kjo nuk është sfidë individuale jam i bindur se do të përballohet me unitet nga e gjithë klasa politike në Kosovë. Pala që shkaktoi luftën e ka kthyer në një strategji të sajën njollosjen e UÇK-së por edhe dëmtimin e funksionimit të shtetit të Kosovës. Shpreh solidaritetin tim, jo vetëm si kreu i shtetit por edhe si mik dhe si shok për të rrëzuar këtë strategji provokative”, u shpreh Meta.

Ai tha se nuk është hera e parë që ndaj udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka aktakuza, por se në eksperiencën e këtyre 20 viteve, pala që shkaktoi luftën dhe gjenocidin e ka kthyer në një strategji të sajën njollosjen e UÇK.

“Synohet edhe dëmtimi i funksionimit të shtetit të Kosovës, pavarësia e të cilit jo vetëm që është njohur nga gjykata ndërkombëtare e drejtësisë, por edhe ka treguar se është faktor stabiliteti për rajonin. I shpreh solidaritetin tim edhe si president por edhe si mik dhe shok me presidentin e Kosovës, por edhe me kryetarin e PDK-së dhe jam i sigurt që ata do ta përballojnë me mjaft dinjitet për të konfirmuar edhe njëherë tjetër drejtësinë e luftës së UÇK dhe rrëzuar këtë strategji provokative që kërkon të mbajë peng rajonin dhe të minojë integrimin si në disa vende fqinje”, deklaroi Ilir Meta.

Punonjësja e fasonerisë në Berat me koronavirus, infekton gjithë familjen

Pesë rastet e reja me koronavirus në Berat, në 24 orët e fundit, janë pjesëtarë të një familje.

Mësohet se burimi i infeksionit ka qenë e zonja e shtëpisë, një grua 45 vjeçe, e cila punonte në fasoneri.

Dyshohet se gruaja është infektuar në vendin e punës dhe më tej virusi është transmetuar tek i shoqi, vajza dhe vjehrri dhe vjehrra

Fëmijët, më të fortët kundër COVID-19? Studimit: Vetëm 4 nga 582 të prekur kanë vdekur

Një studim i fëmijëve evropianë me Covid-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi, sugjeron se vdekjet janë jashtëzakonisht të rralla.

Vetëm katër nga 582 fëmijë kanë vdekur – dy prej të cilëve kanë pasur sëmundje shoqëruese.

Simptomat te fëmijët janë përgjithsësisht të buta, ndërsa disa nuk kanë fare.

Sipas studimit, rreth një në dhjetë fëmijë ka pasur nevojë për kujdes intensiv.

Studiuesit, të udhëhequr nga një ekip i spitalit të fëmijëve në Londër “Great Ormond Street”, kanë analizuar gjendjen e 582 fëmijëve, të moshës tre ditë deri në 18 vjeç, në 25 vende të Evropës.

Ata të gjithë kanë qenë të prekur me Covid-19 gjatë pikut fillestar të pandemisë në muajin prill.

Çereku i tyre kanë pasur sëmundje shoqëruese.

Fëmijët e studiuar kanë pasur zakonisht temperaturë (65%), infeksion të traktit të sipërm respirator (54%), pneumoni (25%) dhe simptoma gastrointestinale (22%).

Disa nga fëmijët (16%), shumica e të cilëve janë testuar për shkak të kontaktit të ngushtë me një rast të njohur, nuk kanë pasur fare simptoma.

Shkon në 51 numri i viktimave, 17 pacientë në gjendje të rëndë

Në 24 orët e fundit në vend, u shënuan dy vdekje të reja, të cilat u cilësuan të papritura nga ministria e Shëndetësisë, por që me to shkon në 51 numri i viktimave.

Në spitalin Infektiv ndërroi jetë një 76 vjeçar nga Tirana, me disa sëmundje bashkëshoqëruese, pasi ishte përmirësuar pas 15 ditësh trajtim, ka pësuar tromboemboli pulmorare.

Viktima e dytë është një 54 vjeçar në gjendje të rëndë, me insufiçencë renale, i cili ka ndërruar jetë në urgjencën e spitalit.

Situata paraqitet serioze në spitalin infektiv ku aktualisht po trajtohen 87 pacientë.

Raportohet se 17 pacientë janë në gjendje të rëndë, dhe dy në gjendje kritike.

Më konkretisht 15 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa dy janë të intubuar.

Në vendin tonë aktualisht janë 920 persona aktivë me Covid-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës, ndërkohë që viktimat kanë shkuar në 51.

Sërish shifra të larta, 77 raste të reja me koronavirus në 24 orët e fundit

Vazhdon rritja e rasteve të reja me koronavirus ne gjithe vendin.  Testimi i bërë në personat e dyshuar gjatë 24 orëve të fundit ka konfirmuar 77 raste të reja me COVID-19.

Në Laboratorin e Virologjisë në ISHP dhe gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 402 testime për të dyshuar të prekur me Covid19, nga të cilat janë konfirmuar 77 raste pozitive.
Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: Tirana 28 raste, Shkodra 13 raste, Durrësi dhe Korça me nga 5 raste; nga 4 raste Delvina dhe Berati; nga 3 raste në Fier, Kurbin dhe Pukë; nga 2 raste në Elbasan dhe Kamëz; nga 1 rast përkatësisht në Krujë, Tropojë, Librazhd, Gjirokastër, Sarandë.
Në vendin tonë aktualisht janë 920 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.
Kanë vazhduar testimet serologjike në Laboratorin e Mikrobiologjisë në QSUT. Janë kryer 3380 testime në personel shëndetësor me një pozitivitet të përgjithshëm 6%“, bën me dije Ministria.

Gjatë ditëve të fundit, përveç shifrave të larta të infektimeve, ka pasur edhe shtime të reja në Spitalin Infektiv.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet çdo sipërmarrje turistike dhe të gjithe pushuesve të zbatojnë protokollin e masave anti-Covid19 përgjatë gjithë sezonit.

COVID-19 – Statistika (26 Qershor 2020)
Testime totale 25563
Raste pozitive 2269
Raste të shëruara 1298
Raste Aktive 920
Humbje jete 51 (Qarku Tiranë 30, Durrës 9, Fier 4, Vlorë 1, Shkodër 5, Kukës 1, Elbasan 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 375
Durrës 174
Shkodër 154
Vlorë 84
Fier 44
Lezhë 27
Korçë 25
Kukës 13
Elbasan 12
Gjirokastër 7
Berat 5

Yuri Kim: Komisioni i Venecias, një mundësi për të ecur përpara

Nga Yuri Kim, Ambasadore e SHBA

Këtë javë, pata mundësinë të vizitoja Krujën, kështjellën e heroit të Shqipërisë, Skënderbeut. Përballë sulmesh të njëpasnjëshme nga forca ushtarake më e madhe e kohës, Skënderbeu nuk u dorëzua. Përkundrazi, bashkoi vendin, refuzoi të hiqte dorë, dhe në fund doli fitimtar pavarësisht të gjitha gjasave.

Katër vjet më parë, parlamenti – në përgjigje të kërkesave të popullit shqiptar – miratoi Reformën në Drejtësi. Pavarësisht gjithçkaje, zbatimi ka pasur përparim real: shumica e institucioneve të kërkuara janë ngritur, vetingu ka larguar gjyqtarë dhe prokurorë që nuk shpjegojnë dot pasurinë e tyre, dhe gjyqtarë dhe prokurorë të rinj po trajnohen dhe merren në punë. Reforma në Drejtësi ka qenë e dhimbshme, e ngadaltë dhe e papërsosur, por po ecën përpara dhe duhet të vazhdojë në mënyrë që Shqipëria të sigurojë të ardhmen e saj si një anëtar edhe më me vlerë i NATO-s dhe anëtare e plotë e e Bashkimit Evropian.

Reforma në Drejtësi është në një fazë kritike. Ka bërë përparim të mjaftueshëm për të frikësuar ata që nuk e duan atë, por ende jo aq përparim sa të përmbushë kërkesat e popullit shqiptar për një sistem drejtësie që ka veçori integritetin dhe pavarënë. Prandaj, ata që kanë frikë nga Reforma në Drejtësi janë në sulm. Ata që e duan Reformën në Drejtësi duhet të gjejnë frymëzim tek fryma e Skënderbeut, tani më shumë se kurrë.

Katër vjet pas përballjes me pengesa të shumta, është e natyrshme të ndjesh lodhje dhe ndoshta shkurajim. Por nëse shohim atë që është përftuar pavarësisht pengesave – dhe se sa shumë mund të përftohet për brezin e ardhshëm – atëherë ky është pikërisht momenti kur duhet të dyfishojmë përpjekjet dhe të shtyjmë përpara drejt synimit tonë.

Opinioni i fundit i Komisionit të Venecias mbi Emërimin në Shqipëri të Gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese ofron një mundësi për të gjitha palët që të bëhen bashkë për të çuar përpara reformën në drejtësi. Nuk është rasti për akuza apo valle fitoreje. Asnjë institucion nuk ishte tërësisht fajtor. Asnjë institucion nuk e kishte tërësisht drejt apo tërësisht gabim. Komisioni i Venecias pranon se ekzistojnë interpretime të ndryshme, legjitime të dispozitave ligjore, të cilat “çuan në emërimin me pikëpyetje të dy gjyqtarëve’ për të njëjtin vend në Gjykatën Kushtetuese.

Është me rëndësi që as presidenca dhe as parlamenti nuk është një gjykatë me autoritetin për të vendosur se si duhet ecur përpara kur në legjislacion ka një boshllëk. Komisioni i Venecias vë në dukje se “Varet nga Gjykata Kushtetuese që të vendosë për interpretimin e dispozitave të Kushtetutës në një situatë që nuk parashikohet në procesin e hartimit.” Kjo këshillë thekson urgjencën e ngritjes së një Gjykate Kushtetuese funksionale sa më shpejt që të jetë e mundur.

Në vend që të ngecin në qëndrimet e tyre, tani është përgjegjësi e udhëheqësve të Shqipërisë që të ndjekin këshillën e qartë të Komisionit të Venecias: “Kultura dhe pjekuria demokratike kërkojnë përmbajtje institucionale, mirëbesim dhe respekt të ndërsjellë midis institucioneve të shtetit.”

Opinioni i Komisionit të Venecias hap një shteg përpara. Me qëndrimin në detyrë të gjyqtarëve të tanishëm, është e mundur që gjykata të arrijë kuorumin në vitin 2020. Presidenca dhe Parlamenti duhet të angazhohen në dialog përpara se të marrin listat e kandidatëve për emërimet. Edhe një herë, duhet të ekzistojë të kuptuarit e përbashkët të zbatimit për të harmonizuar ndonjë interpretim mosdakordësues të ligjit.

Duke rikujtuar shembullin e Skënderbeut, Ambasada e SHBA është në një mendje me Komisionin e Venecias: përballë korrupsionit dhe padrejtësisë – armiku ynë i përbashkët tek dera – populli i Shqipërisë duhet të bashkohet dhe udhëheqësit duhet të përgjigjen për detyrimin e tyre për të siguruar që Gjykata Kushtetuese të jetë funksionale, për t’i dhënë qytetarëve Reformën në Drejtësi që iu detyrohen, dhe për të siguruar të ardhmen e Shqipërisë.

Grenell: Kuptojmë vendimin tuaj, presim të caktojmë takimin e ardhshëm

Pas vendimit të Kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti për të mos qenë pjesë e takimit në Shtëpine e Bardhë ka ardhur dhe konfirmimi zyrtar se ky takim është anuluar. Richard Grenell, nëpërmjet një postimi në Twitter e ka quajtur të pranueshëm vendimin e Hotit dhe se po shihen të gjitha mundësitë për caktimin e një tjetër date për këtë takim.

“Faleminderit, Kryeministri Hoti. Ne e kuptojmë vendimin tuaj dhe mezi presim të ri caktojmë mbledhjen së shpejti.” – shkruan Grenell në Twitter.

https://twitter.com/RichardGrenell/status/1276153078048268290?s=20

Rama: Akuzat baltosin të gjithë shqiptarinë. Serbinë e bombardoi bota demokratike, jo Thaçi e Veselin

Kryeministri Edi Rama ia ka kushtuar sot fjalën e tij në Kuvend akuzave të ngritura ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Shefi i qeverisë tha se pretendimet në fjalë sfidojnë edhe vetë imagjinatën më ekstreme.

Ai i cilësoi të akuzuarit si dy figura historike të luftës dhe paqes në Kosovë. Duke kritikuar tekstin e njoftimit, Rama tha se i ngjan një fletërrufeje të revolucionit kulturor kinez. Rama u shpreh se njoftimi i Hagës godet shumë më përtej dy emrave të përvetshëm.

“Nuk hidhet baltë thjeshtë mbi Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin. As vetëm mbi UÇK. Por mbi krejt Kosovën dhe shqiptarinë. Duket sikur flitet për atdheun e agresorëve dhe jo për vendin e viktimave” – tha Rama.

I kam lexuar edhe ata që e mbështesin në emër të nevojës për drejtësi dhe dua të besoj që duke mos qenë as nga Kosova dhe as nga Shqipëria, nuk kanë mundur ta ndjejnë sesa thellë dhe padrejtësisht ato fjalë të hedhura në eterin e botës dixhitale prekin dhe prekin për faktin se tashmë udhëheqësit e UCK-së janë thuajse të tërë, them thuajse për të mos lënë padrejtësisht jashtë si udhëheqës ndonjërin, të akuzuar në 21 vite me radhë si individë me dy koka, që nga një anë kanë udhëhequr luftën apo shtetndërtimin dhe nga tjetra kanë ngrënë njerëz, fëmijë, romë, si kanibalë.

Përballë historisë as Hashim Thaci, as Veseli dhe as Haradinaj, në 21 vite, si vetë UCK në tërësi nuk kanë nevojë për asnjë mbrojtje publike, sepse përtej kësaj tërkuze të një gjyqësie eksperimentale ndërkombëtare, ata janë vendosur në anën e drejtë të historisë dhe e kanë bërë atë vetë.

Historinë e pandashme të asaj pjesë të kombit shqiptar që quhet Kosovë. Është falë tyre që u trondit ndërgjegja e fjetur e perëndimit demokratik në raport me Kosovën” tha Rama.

I ashpër me palën serbe, por edhe ndërkombëtarët, është treguar sot kryeministri i Shqipërisë gjatë fjalës së tij.

Edi Rama tha se Kosova po trajtohet padrejtësisht si vend agresor, duke akuzuar udhëheqësit e luftës së saj bazuar në imagjinatë.

Rama kujtoi se Serbinë nuk e bombardoi UÇK, por NATO.

“Serbinë e bombardoi bota demokratike, jo Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. E bombarduan sepse ishte ajo agresorja” – tha Rama në Kuvend.

Kadri Veseli e cilëson politike akuzën ndaj tij

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli i ka quajtur politike dhe të pabazuara pretendimet e prokurorit për krime dhe pengim të punës së Gjykatës Speciale.

Sipas Veselit, lëshimi i deklaratës nga Prokurori Special para se të konfirmohet akuza ndaj tij dhe presidentit Hashim Thaçi me pretendimin se ata kanë tentuar bllokimin e punës së kësaj gjykate, “janë plotësisht të pavërteta dhe nuk qëndrojnë”.

“Zyra e Prokurorit Special në kuadër të Dhomave të Specializuara ka lëshuar sot një deklaratë për shtyp, ku njofton se ka ngritur pretendime për aktakuzë ndaj meje dhe Presidentit Thaçi. Në një veprim të paprecedentë, Prokurori ka lëshuar deklaratën para se Gjykata t’i konfirmojë ose rrëzojë akuzat e ngritura që ai pretendon. Në këtë deklaratë, Prokurori përpiqet ta arsyetojë vendimin e tij të padrejtë dhe të pazakonshëm, duke pretenduar se unë dhe Presidenti kemi tentuar të pengojmë punën e Dhomave të Specializuara. Dyshimet e ngritura janë plotësisht të pavërteta dhe nuk qëndrojnë. Po ashtu, nuk ka kurrfarë baze për pretendimet për pengim të punës së gjykatës. Dhe është shqetësim i thellë gjuha e tillë e adresimit me të pavërteta”, ka thënë Veseli në një konferencë për media.

Veseli ka thënë se qasja e treguar nga prokurori me këtë njoftim, “është paralajmërim për rrugën që ai pretendon ta ndjekë për të ushtruar të gjithë pushtetin e tij”.

“Një tjetër shqetësim është dyshimi i bazuar se motivet e vërteta të këtij Prokurori janë krejtësisht politike. Duke pasur parasysh kohën dhe rrethanat, pak ditë para takimit në Shtëpinë e Bardhë, me të drejtë janë ngritur dyshime se kjo është rastësi. Asnjë prokuror, asnjëherë nuk do të duhej të lejonte që vendimet e tij të udhëhiqen nga motive politike. Me këtë qasje, Prokurori ka paralajmëruar rrugën që ai pretendon ta ndjek për ta ushtruar të gjithë pushtetin e tij. Ai po e paralajmëron popullin e Kosovës se ky proces nuk mund të jetë i besueshëm për të ndarë drejtësi të paanshme, dhe të pandikuar nga rrethanat politike. Ai po përpiqet që përmes deklaratave kundërthënëse të mbulojë motivet e vërteta, që duket se janë politike”, ka vazhduar Veseli.

Veseli tutje ka thënë se askush s’mund ta njollosë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës teksa e ka quajtur të shenjtë luftën e saj.

Skip to toolbar