Thaçi mbërrin në Tiranë, të dielën i drejtohet publikut për akuzat

KOSOVA


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, njoftoi se ka arritur në Aeroportin e Tiranës dhe se të dielën do t’i drejtohet opinionit.

Thaçi ka qenë jashtë Kosovës dhe ka ndërprerë udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara, pasi Zyra e Prokurorit Special në Hagë ka paraqitur të mërkurën aktakuzë për krime lufte kundër tij, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.


“Sapo kam zbritur në Aeroportin ‘Nëna Terezë’ në Tiranë, ndërkaq, të dielën në mbrëmje do t’ju drejtohem me një fjalë nga zyra ime. Ju uroj një fundjavë të qetë dhe mbetem me shpresë të plotë se ditët më të mira për Kosovën dhe kombin shqiptar i kemi përpara”, shkroi Thaçi në Facebook.
Më herët, në një postim në Instagram, ai tha se “askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës”.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar të mërkurën se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Ende nuk është e qartë se kush bën pjesë në grupin e “të tjerëve”, siç i ka cilësuar Zyra e Prokurorit.

“Në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afro 100 vrasje të paligjshme”.

“Krimet e paraqitura në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të identifikuara, shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”, tha Zyra e Prokurorit Special.




Skip to toolbar