Shembjet e objekteve nga tërmeti, hetimet e Prokurorisë: Betoni e hekuri, jashtë çdo standardi

Cilësia e dobët e betonit dhe hekurit e përdorur nga ndërtuesit në objektet e shembura nga tërmeti ka qenë edhe arsyeja e kolapsit të tyre. Sipas prokurorisë së Durrësit, analizat laboratorike të betonit dhe hekurit si dhe analizimi i filmimeve dhe fotografive të ndërtesave të shembura nga tërmeti i 26 nëntorit, arriti në përfundimit se ka qenë cilësia e dobët e ndërtimeve ajo që u mori jetën 51 personave.

Prokuroria e Durrësit ka konstatuar shkelje flagrante të rregullave të sigurisë teknike në godinat e shembura nga tërmeti i 26 nëntorit në Durrës. Sipas prokurorisë, analizat laboratorike kanë përfunduar duke nxjerrë në pah faktin se betoni i përdorur nga ndërtuesit ka qenë disa herë më i dobët se cilësia e duhur lidhur me rezistencën që i duhet godinave

Probleme janë konstatuar edhe me kolonat mbajtëse të godinave, të cilat janë konstatuar se nuk kanë pasur dimensionet dhe sasinë e duhur të hekurit, çka ka sjellë edhe dëmtimin e tyre nga lëkundjet e tërmetit. Konstatimet janë pjesë e rëndësishme e hetimit dhe pritet që tani të zgjerojë numrin e personave nën hetim duke mos përjashtuar edhe arrestime të tjera. Sipas A2 CNN, prokuroria e Durrësit ka kërkuar studimet e Institutit të Gjeoshkencave për zonën e Durrësit për zonat që janë përcaktuar si me lëkundje dhe sa është zbatuar ky studimin në lejet e ndërtimit që është dhënë për pallatet e dëmtuara.  

Negociatat, reflekton Macron: Dëshiroj të kemi unitet në samitin e Zagrebit

Gjatë një vizite zyrtare në Kroaci, Presidenti i Francës Emanuel Macron u shpreh “se dëshiron që Samiti i Zagrebit të jetë i suksesshëm”. Gjatë takimit me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkovic, Macron deklaroi se “ndante të njëjtin mendim që gjatë samitit të ardhshëm të liderëve të BE, të arrihet unitet për të mirën Evropës”. Por, Presidenti i Francës është shprehur se ndryshimi i mteodologjisë së procesit të negociatave është një parakusht për fillimin e negociatave me vendet kandidate.

“Unë do të doja të nënvizoja dëshirën e Francës që samiti në Zagreb të ishte një sukses. Unë i ndaj përpjekjet tuaja që samiti në Zagreb në maj të arrijë unitet. Ne presim që të kemi përfundime konkrete për metodologjinë e re të zgjerimit të cilën e kemi propozuar me qëllimin që të mos vazhdojë më të jetë burokratike por të sjellë përfitime konkrete për qytetarët e vendeve kandidate. Në ditët në vijim edhe komisioni do të japë rekomandimet mbi metodologjinë e re, ku do të bashkëngjiten edhe propozimet e vendeve të tjera anëtare”, tha Macron.

Në samitin e tetorit të kaluar, Franca, së bashku me Hollandën, bllokuan fillimin e negociatave të pranimit me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë. Kroacia, e cila mori presidencën gjashtëmujore të Këshillit të BE më 1 janar, dëshiron të zhbllokojë procesin sepse beson se për këto vende perspektiva europiane është e vetmja alternativë.  “Unë jam i kënaqur që Presidenti Macron shprehu optimizëm për suksesin e samitit të Zagrebit. Për ne, ky takim është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Është në interesin tonë që këto vende të jenë të qëndrueshme, të ndërmarrin reforma ekonomike dhe sociale”, tha kryeministri i Kroacisë, Plenkoviç.

Duke folur për çështjen e zgjerimit, ai tha se kishte biseduar me Macron për ndryshimin e metodologjisë së procesit të pranimit, të cilën Franca e konsideroi si parakusht për të filluar negociatat me Shkupin dhe Tiranën. Komisioni Evropian pritet të dalë këtë muaj me një propozim për të ndryshuar procesin e pranimit, dhe në shkurt të publikojë një raport shtesë për Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë.

16-vjeçari me dy shokë vret gruan e xhaxhait në Mallakastër

Nipi 16-vjeçar i viktimës ishte një nga autorët e ngjarjes horror të ndodhur në Mallakastër më 5 janar 2020. 3 të rinj kanë përfunduar në pranga, nën akuzën e rrëmbimit dhe vrasjes së 50-vjeçares Drita Saliaj.

Të rinjtë përkatësisht nipi i saj L. Saliaj, 16 vjeç, së bashku me dy shokët e tij S. Sh., 16 vjeç dhe E. Z., 26 vjeç, kanë hyrë në banesën e viktimës për ta grabitur me idenë se nuk kishte njeri në shtëpi. Por kur kanë hasur rezistencën e viktimës dhe janë identifikuar nga ajo, të rinjtë e kanë rrëmbyer, më pas e kanë lidhur me litar dhe e kanë hedhur në rezervuarin e fshatit.

Ngjarja është raportuar sot në mëngjes në polici nga familjarët e viktimës për humbjen e kontakteve me të prej dy ditësh. Policia nisi hetimet ku u gjet trupi i pajetë dhe u zbardh e gjithë dinamika e ngjarjes.

Sipas policisë nipi i 50-vjeçares, hyri për të grabitur shtëpinë e xhaxhait, i cili ishte emigrant, duke menduar se nusja e tij nuk do të ishte. Fatkeqësisht 50-vjeçarja i njohu dhe përfundoi viktimë e tyre. Trupi i saj është nxjerrë nga rezervuari nga polumbarët e RENEA, ndërsa u arrestuan edhe 3 të rinjtë.

Grabitet dhe vritet një grua në Mallakastër, trupi gjendet i lidhur me litar

Një grua është rrëmbyer dhe më pas vrarë nga disa persona ende të paidentifikuar në fshatin Gjerbës të Mallakastrës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur më datë 5 janar 2020, ndërsa trupi i saj është gjetur i lidhur me litar dhe i hedhur në rezervuarin e fshatit. Kanë qenë banorët që kanë pikasur trupin e pajetë dhe më pas lajmëruar policinë.

Viktima Drita Saliaj, 51 vjeçe, jetonte e vetme në banesë në fshatin Gjerbes, ndërsa bashkëshorti i saj ishte emigrant.

Sipas policisë ngjarja e ka zanafillën kur tre të rinj, kanë shkuar për të grabitur banesën e viktimës duke menduar se nuk kishte njeri, por sapo kanë hyrë të rinjtë kanë pikasur 51-vjeçaren.

Dyshohet se gruaja  mund t’i ketë njohur dhe për këtë arsye ato e kanë rrëmbyer e më pas vrarë atë që të mos identifikoheshin. Trupi i gruas ishte i lidhur me litar dhe më pas është hedhur ne rezervuar ku dhe është mbytur. Trupi i saj është identifikuar nga banorët e zonës dhe familjarët.

Deri në këto momente policia ka shoqëruar 3 persona për të mësuar edhe më shumë rreth ngjarjes, ndërsa vijojnë hetimet.

Cili ishte politikani i dekadës? Vijon sondazhi në Realstory.al

Prej datës 5 janar, në faqen e Realstory.al vijon të jetë i hapur sondazhi: cili ishte politikani i dekadës; Edi Rama, Sali Berisha, Ilir Meta apo Lulzim Basha?. Deri pasditen e datës 7 janar, qytetarët shqiptarë kanë shprehur interes të madh ndaj sondazhit. 159 qytetarë kanë votuar në faqen zyrtare, duke zgjedhur Edi Ramën me 136 vota në vend të parë. Në vend të dytë është Sali Berisha me 16 vota.

Në vend të tretë është Lulzim Basha me 4 vota ndërsa në vend të katërt me 3 vota qëndron Ilir Meta. Por, përtej votave në sondazhin e hapur në www.realstory.al, qytetarët kanë shprehur inters të lartë në rrjetet tona sociale. Në faqen zyrtare të Realstory.al në facebook, kanë komentuar mbi 345 persona, ndërsa mbi 222 persona kanë komentuar në faqen zyrtare të gazetarit Sokol Balla.

Gara vijon të jetë e hapur, sondazhi do të qëndrojë online deri në datën 30 janar. Cilido që ka dëshirë të marrë pjesë në sondazh mund të klikojë në faqen realstory.al dhe të japë mendimin e tij, ndërkohë që garantohet anonimati i plotë.

“Mirë do të jetë të qërohen, njëri më pis se tjetri, blihen nga të huajt për interesat e tyre. Për karriget, nga këta ndyrësira dikush i ka lyer duart me gjak, dikush është përlyer duke vjedhur paratë tona. Prandaj mirë është të zhduken. Besimi për këta ka humbur tek populli i thjeshtë, këta punojnë për intersat e tyre”- shkruan dikush në koment.

“Të gjithë janë hajdut, vetëm Meta i ka me djersë. Kështu thotë Monika, i ka dal djersa tu mbajt florinjt, o popull koti”, shkruan një tjetër komentues me ironi.

“Të shikojmë çfarë do të bëjë SPAK për të gjithë kryetarët e partive të majta, të djathta e të tjera, kush të dalë më pastër. Japim mendim por të gjithë janë hajdutë dhe batakçilerë”, shkruan dikush tjetër.

“Më i miri është Edi Rama. Por duhet të jetë më i vendosur në ato çfarë thotë dhe pastaj të shikojmë punën e bërë nga ai/ të mos lëshojë pe në zbatimin e ligjit”, thotë një tjetër komentues.

Ngarkoi kamionin me gurë dekorativ nga Mali Tomorrit, arrestohet i riu

Një 33-vjeçar u arrestua për shkak se akuzohet për ”Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”.  Ai është kapur në fshatin Novaj në Skrapar duke qarkulluar me mjetin kamion me targa AA 2350 P, të ngarkuar me pllaka guri dekorativ, në kundërshtim me ligjin.

Policia ka shpallur në kërkim edhe shtetas me iniciale L.L. banues në Tiranë. Mali i Tomorrit është shpallur zonë e mbrojtur mjedisore dhe shkatërrimi i saj është i paligjshëm nga guroret. Strukturat  vendore shprehen se lufta kundër shkatërrimit dhe mbrojtjes së Malit të Tomorrit do të vijojë.

“Shtëpitë do grupohen, toka u mbetet banorëve”, Rama: Në prill nis montimi i parafabrikatëve

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga kryebashkiaku Erion Veliaj kanë vizituar familjet e prekura nga tërmeti në Farkë, konkretisht në familjen Shkalla. Pas dëmtimit të banesës nga tërmeti i 26 nëntorit, kjo familje është vendosur të jetojë në kontejner deri në ndërtimin e shtëpisë së re. Kjo zgjidhje është parë shumë më e volitshme nga kryeministri Rama, i cili ka thënë se të gjitha familjet do të vendosen në të tilla hapësira për të përballuar dimrin. Të parat që do të zhvendosen janë ato me fëmijë të vegjël, ka qenë porosia e kryeministri Rama, ndërsa kryebashkiaku Veliaj tha se janë porositur 200 kontejnerët e parë.

Rama tha se në fillim të muajit prill do të nis montimi i shtëpive të reja me parafabrikate, të cilat do të grupohen në një vend të caktuar, ndërsa toka që kanë do u mbettë po atyre.

“Kjo nuk është çështje parafabrikati apo tullash, por të kemi shtëpi më të mira dhe më të forta, anti-sizmike dhe ato që do të ngremë i kanë këto parametra, janë shumë komode, i përdor Amerika, Gjermania. Nuk duhet pasur ideja se po u bë me llac dhe tulla është më e fortë. Mos u mërzit se do ta kapërcejmë këtë situatë. Këtu janë bashkë, thjeshtë në këto raste do të rindërtohet shtëpia ku ka qenë, ndërsa në rastet e tjera do i bëjmë bashkë, nuk do i pyesim shumë, pasi është e mira e tyre, do të kenë shumë më tepër kushte të mira. Do të jenë afër njëri tjetrit, por edhe shërbimet, dhe jo nga maja e malit për të marrë pensionin poshtë, apo kur ka nevojë për një urgjencë të vijë në majë të malit, apo fëmijë ik dhe eja në majë të malit. Ndërkohë që toka i mbetet atij që e ka dhe të shkojë ta punojë. Krijohet edhe format e tjera, mblidhen familjet….Këtë do ta bëjmë, po ecim shpejt me punët edhe besoj që në fillim të pranverës në fund të marsit me ndihmën e Zotit të fillojmë të montojmë shtëpitë e reja,” u shpreh Rama.

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj tha se zgjidhja për dimrin do të jenë kontejnerët, ku janë porositur 200 të parët.

“Nesër kanë një takim do ta shikojnë nëse i konvenon parafabrikati dykatësh që keni porositur, se janë dy kurora do të zbatojmë atë dëshirë, nëse i konvenon. Do rrëzojmë këtë dhe më pas. Për dimrin kemi zgjidhjen me kontejner. Kryeministri na la një porosi që ku ka fëmijë të vegjël, që çadra nuk është komode, kemi porositur kontejnerët, kemi porositur 200. Kemi filluar edhe pastrimin e territoreve ku do të jenë lagjet e reja. Familjet do i grupojmë,” tha Veliaj.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/1060864914251435/?epa=SEARCH_BOX

Miqësorja e “yjeve”, zbardhen emrat e lojtarëve që do të luajnë në 10 janar

Të premten në “Air Albania Stadium” do të luhen dy ndeshje miqësore. Në fushën e lojës do të zbresin katër kombëtare, Shqipëria, Italia, Turqia dhe Greqia, ku në fakt ata që do të luajnë janë ish-yjet e këtyre kombëtareve ndër vite. Për kombëtaren shqiptare në fushë do të zbresin disa nga lojtarët në të mirë të 30 viteve të fundit të Shqipërisë, duke nisur me Canën, Muratin, Strakoshën, Bogdanin, Raklin, Hasin, Beqaj, Tare, Lala etj.

Gjithashtu, nuk do të mungojnë as ish-yjet e kombëtares së Italisë, Turqisë apo Greqisë. Zambrota apo Di Baxhio janë dy nga lojtarët e kombëtares italiane që do të luajnë të premten. Ndërsa nga Greqia vijnë Geka, Panajotis, Karagkounis etj. Ndërkohë, nga lojtarët e ish-kombëtares turke do të jenë emra të njohur si Altintop, Ersoj, Karan, Shanli, Rushtu etj.

Të katër skuadrat do të përballen mes tyre, ndërsa ndeshjet janë organizuar nga Sindikata e Futbollistëve Profesionsitë të Shqipërisë në bashkëpunim me sindikatat homologe në këto vende. Andi Lila, ish-mesfushori i kombëtares shqiptare, që kryeson këtë sindikatë, është shprehur se lekët e grumbulluara nga biletat do të shkojnë për familjet e prekura nga tërmeti.

Grezda kthehet ku e nisi, bashkohet me Osijek

Eros Grezda është zyrtarisht futbollist i Osijek, skuadër nga e cila u largua dy vite më parë. Sulmuesi nga Gjakova u prezantua të martën tek ekipi kroat duke i dhënë fund aventurës në Skoci te Rangers. Ndërkohë, 24-vjeçari foli për kanalin zyrtar të klubit duke u shprehur se gjatë kësaj periudhe kishte pasur disa oferta. Por në fund kishte vendosur të luante për Osijek.  

“Kam pasur disa oferta, si nga shtete të tjera ashtu edhe nga Kroacia. Madje kisha edhe oferta nga nga konkurrentët në këtë kampionat. U interesuan për të marrë shërbimet e mia edhe Hajduku me Rijekën, por unë vendosa të vij këtu.”, u shpreh Grezda në fjalimin e tij.

Sulmuesi ndërkombëtar i Shqipërisë luajti 17 ndeshje për Rangers, pasi arriti te skuadra e Steven Gerrard për 2 milion euro, në një kontratë 4-vjeçare nënshkruar në verën e vitit 2018. Sulmuesi shënoi një dygloësh në vetëm një ndeshje me ekipin e parë të Rangers në sfidën ndaj Motherwell.

Ndërkohë, Rangers njoftoi shkurtimisht për largimin e lojtarit. “Rangers konfirmon se sulmuesi shqiptar Eros Grezda i është bashkuar Osijek në mënyrë të përhershme”. Ndërsa klubi skoces nuk bën të ditur vlerën që kroatët kanë paguar për rikthyer Grezdën në Osijek.

Arriti marrëveshje me Bylisin, por Dorian Kërçiku firmos me Partizanin

Pak ditë më parë, në një njoftim zyrtar, klubi i futbollit Bylis njoftoi se kishte arritur akordin me mbrojtësin Dorian Kërçiku. Klubi thoshte se mbrojtësi i larguar nga Tirana ishte bërë zyrtarisht lojtar i Bylis, teksa do të dilte në stërvitje me ekipin. Mirëpo të martën në 7 janar, Partizani në një njoftim zyrtar prezantoi ish-mbrojtësin e Tiranës. Nuk dihet ende se çfarë ka ndodhur mes dy klubeve dhe lojtarit, por Partizani publikoi dhe një foto të Kërçikut me shallin e tifozerisë së “kuqe”.

Partizani tha se “mbrojtësi i djathtë do të jetë pjesë e kampionëve në fuqi për këtë sezon futbollistik, me opsion rinovimi edhe për vitin e ardhshëm. 26 vjeçari vishet i kuq, pas eksperiencave te Skënderbeu dhe Tirana. Gjithashtu Kërçiku ka qenë edhe pjesë e ekipevepërfaqësuese U-19 dhe U-21 të Shqipërisë. Mbrojtësi do ti bashkohet menjëherë skuadrës në Antalia për tu vënë në dispozicion të trajnerit Adolfo Sormani”.

Ndërkohë, futbollisti foli për kanalizn zyrtar të klubit duke u shprehur: “Jam mjaft entuziast që jam pjesë e Partizanit. Kam ardhur te skuadra kampione në fuqi e Shqipërisë , besoj se kam bërë zgjedhjen më të mirë të mundshme për karrierën time. Pas disa ofertave që kam patur gjatë kësaj periudhe, zgjodha të firmos përfundimisht me Partizanin, skuadër me të cilën do të kem mundësinë të përmirësohem edhe më shumë profesionalisht dhe shpresoj të realizoj objektivat madhor që klubi synon edhe këtë sezon”, përfundoi lojtari.

Skip to toolbar