Të mërkurën Kukësi ka bërë një njoftim ku
pohon se ka arritur marrëveshjen me futbollistin e përfaqësueses U-21 të Kosovës,
Mirlind Daku. Skuadra verilindore shprehet se Daku vjen në formë huazimi nga
Osijeku i Kroacisë, duke u bashkuar me ekipin verilindor për një sezon, ndërsa
në fund të përfundimit të marrëveshjes, Kukësi ka të drejtë të blejë kartonin e
lojtarit.
“Klubi njofton arritjen e marrëveshjes me
ekipin kroat të Osijek për futbollistin Mirlind Daku. Shtatlarti vjen në formë
huazimi te skuadra jonë, me të drejtë blerjen e kartonit të tij. 21-vjeçari, i
cili mbron ngjyrat e “Dardanëve” U-21, ka luajtur me skuadrën e Hajvalia dhe
Llapit në Kosovë. Gjithashtu, Daku është aktivizuar në shtatë ndeshje me
Kosovën U-21, ku është dhe autor i dy
golave. Futbollisti i datëlindjes 1998, luan si sulmues qendre dhe sezonin e
shkuar u aktivizua 15 herë për Osijekun në Kroaci, duke shënuar dy gola”,
shkruan Kukësi.
Ndërkohë, ekipi nga qyteti verilindor i
vendit, të enjten në mesditë do të bëj dhe prezantimin e trajnerit të ri të
klubit. Ai është Shpëtim Duro, emër i njohur i futbollit shqiptar, që do të
marrë drejtimin e klubit për një sezon. Duro më herët ka drejtuar ekipe të
ndryshme në Superligë, nga Partiani, Skënderbeu, Shkëndija e Tetovës në
Maqedoni apo Kosovë, dhe tashmë rikthehet si trajner në kampionatin tonë.