Kapet pas 15 vitesh mafiozi i Kamorrës, po digjte provat

Policia italiane ka arritur të arrestojë një prej mafiozëve më të rrezikshëm në vend, i arratisur prej 15 vitesh. Antonio Orlando, një anëtar i dyshuar i klanit mafioz “Kamorra” u prangos pas 15 viteve në arrati. Mediat italiane shkruajnë se pavarësisht se ishte në arrati, gjatë kësaj kohe, ai kishte dhënë akoma urdhra për mafiozë të tjerë.

Agjentët e policisë e zbuluan atë, ndërsa jetonte në një apartament në Mugnano në periferi të Napolit. Policia tha se Orlando jetonte në kushte krejtësisht komode e mburrej se po lahej në sauna.

Orlando, i cili ishte duke u përgatitur të transferohej në një strehë tjetër, ishte në proces shkatërrimi të dokumenteve të rreme të identitetit dhe “ngriti duart në shenjë të dorëzimit” kur policia hyri brenda, u tha gazetarëve komandanti rajonal Ubaldo del Monaco.

Në kohën që u arrestua, në banesë u gjetën 6000 euro të gatshme. Antonio Orlando dyshohej si anëtar i një organizate mafioze dhe gjithashtu se ka drejtuar rrjetin e trafikut të kokainës nga Maroku në Spanjë e më pas në Itali. Ai dyshohet për vepra të anëtarësimit në një organizatë mafioze, për pastrim parash, për përfshirje në vrasje dhe grabitje. Zëvendësministri dhe ministri i Brendshëm italian Mateo Salvini përshëndeti aksionin policor, duke thënë se mafiozët, kudo janë, do të goditen.

Lokomotiva e Zagrebit gjen fitoren me 4 “vagonë” shqiptarë

Lokomotiva e Zagrebit zbriti në fushë për përballjen e javës së 4-tërt të kampionatit, ndërsa kishte ndeshjen shtëpiake ndaj Istrës. Ajo që bënte përshtypje në skuadrën kroate ishte prezenca e 4 futbollistëve shqiptarë.

Përveç dy lojtarëve të cilët aktivizohen rregullisht si Myrto Uzuni dhe Lirim Kastrati, këtë herë pjesë e formacionit nga minuta e parë ishin edhe 18-vjeçari Indrit Tuci, e Enis Çokaj, i cili më parë ka qenë pjesë në formën e huazimit edhe te skuadra e Laçit në Kategorinë Superiore. Ndërkaq, Zagrebi arriti të triumfonte ndaj kundërshtarëve me rezultatin 4-1, ndërsa goli i katërt mban firmën e sulmuesit Lirim Kastrati.

Skuadra e Lokomotivës së Zagrebit kishte edhe një tjetër shqiptar në përbërje. Bëhet fjalë për mbrojtësin 20-vjeçar Jon Mersinaj, i cili ka qenë gjithashtu pjesë e Laçit. Mirëpo, në ndeshjen e djeshme nuk pati hapësirë duke e ndjekur të gjithë takimin nga stoli. Me katër shqiptarët në ekip, Lokomotiva ka gjetur fitoren e parë në javën e katërt të kampionatit, ku siç duket ka gjetur edhe “vagonët” e duhur për të shkuar drejt fitores.

Rashford feston golin me shqiponjë, bën kuriozë tifozët

Mançester Junajtid triumfoi me rezultatin 4-0 kundër Çelsit, në ndeshjen e parë në Premier Ligë këtë sezon për të dyja skuadrat.Rashford88

Ishte Markus Rashford, ai i cili hapi sfidën me një gol nga pika e bardhë e 11-metërshit, për të kaluar skuadrën e tij në avantazh. Është pikërisht ky episodi i cili po tërheq vëmendjen e të gjithëve, ndërsa pas shënimit të golit sulmuesi anglez shënoi me shqiponjën. Një festim i veçantë ky nga 21-vjeçari të cilin nuk e kemi parë më parë. Për këtë kanë flasin shumë edhe tifozët, të cilët e lidhin festimin e tij me Shqipërinë.

Në “Twitter”, tifozët shkruajnë: “Pse Rashfordi, festoi me shqiponjën e Shqipërisë?”. Gjithsesi rreth këtij festimi sulmuesi do të flasë më vonë dhe do të sqarojë gjithçka, nëse ka ose jo lidhje me Shqipërinë.

Mançester Junajtid ka shpartalluar Çelsin me rezultatin 4-0 në supersfidën e vlefshme për javën e parë të Premier Ligës. Debutim i hidhur për Frenk Lampard në stolin e “bluve të Londrës”, në një sfidë që u dominua nga “Djajtë e Kuq”. 

Euronews: A mund të minojnë BE vonesat për zgjerimin në Ballkan?

Ëndrrat për të hyrë në Bashkimin Evropian mund të zbehen për Shqipërinë, pasi vendet si Franca dhe Holanda janë të ftohtë në çështjen e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, pavarësisht rekomandimit të Komisionit Evropian që të fillojë procesi i pranimit.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shprehu zhgënjimin për situatën, duke i thënë Euronews javën e kaluar: “Ne duhet të përballemi me atë që gjithnjë e më shumë vendimmarrja e Këshillit nuk bazohet në atë që bëjmë, në ato vende si ne, por në situata e brendshme ose dinamika e brendshme politike në vendet e ndryshme anëtare”.

Si Shqipëria ashtu dhe Maqedonia e Veriut kanë pasur çështje të sundimit të ligjit që kanë ngadalësuar rrugën e tyre drejt anëtarësimit.

Në korrik, komisioneri i BE për zgjerim, Johannes Hahn, tha që Maqedonia e Veriut duhej të reformonte gjyqësorin e saj për të siguruar që mund të trajtonte çështjet e nivelit të lartë të krimit dhe korrupsionit përpara se BE të mund të caktonte një datë për të filluar bisedimet e pranimit. Bisedimet e pranimit për të dy vendet pritet të mbahen në tetor.

Po pse Franca dhe Holanda bllokojnë bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut?

Shkencëtari politik, Florian Bieber tha se në rastin e Francës, ekziston një skepticizëm i përgjithshëm midis elitave për zgjerimin. “Unë mendoj se ka një ndjenjë midis elitave që zgjerimi i mëparshëm ishte një gabim dhe se minon Francën në BE”, tha ai. “Në këtë kuptim, ekziston një skepticizëm i përgjithshëm drejt zgjerimit”. Sa për Holandën, ai beson se ka më shumë shqetësim për të lejuar më shumë vende me probleme të sundimit të ligjit, pasi disa shtete anëtare si Hungaria dhe Polonia, të pranuara më herët, nuk kanë një rekord të mirë me çështje të tilla.

Bieber shtoi se stereotipet që i pëlqejnë shqiptarët me krim të organizuar, nuk e ndihmojnë kauzën e tyre.

Në fund të fundit, “shumë prej tyre kanë të bëjnë me politikën e brendshme të këtyre vendeve dhe jo aq shumë me situatën në terren”, tha Bieber.

A e bën ky ngurrim një tallje politikën e zgjerimit të BE-së?

Bieber tha se ngricat ndaj lejimit të anëtarëve të rinj mund të “minojnë besueshmërinë e BE”. “Vëzhguesit në rajon e shohin politikën e Francës dhe Holandës si jo të drejtë dhe të motivuar nga politika e brendshme dhe stereotipat”, tha Bieber. “Kjo minon BE-në si një lojtar të drejtë që ka kritere të qarta, veçanërisht pasi komisioni ka dhënë dritën e gjelbër për negociata”.

Bieber theksoi se ky lloj qëndrimi ka të ngjarë të dërgojë një sinjal negativ për qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, të cilët mund të mendojnë se nuk ia vlen të bëhen kompromise të vështira me BE-në nëse nuk pranohen në bllok. “Ky qëndrim po dërgon gjithashtu një mesazh për Serbinë dhe Kosovën që kanë çështjen më të madhe të hapur në rajon”, tha Bieber, duke shtuar: “Pse secili vend duhet të bëjë një marrëveshje të vështirë, kur BE nuk është në gjendje të japë asgjë në këmbim?”

A mund të ndryshojnë këto mendime?

Franca është pyetja më e madhe, vuri në dukje Bieber. “Mund të jetë e gatshme të pranojë Maqedoninë e Veriut, por unë mendoj se kjo do të thotë që Shqipëria nuk do të ecë përpara, të paktën për momentin”.

“Mosmarrëveshjet dhe konfrontimet e brendshme të Shqipërisë midis partisë në pushtet dhe opozitës minojnë aftësinë e Shqipërisë për anëtarësimin e tyre”, tha Bieber. Për Bieber, mënyra më e mirë që këto vende mund ta bindin Francën që ata kanë ndryshuar, është të përpiqen ekstremisht në zgjidhjen e sundimit të ligjit dhe çështjeve të korrupsionit, me shpresë të bindin qeverinë franceze për ndryshimet ose të krijojnë një levë në BE, “në mënyrë që të tjerët vendet anëtare t’i bëjnë presion Francës”.

Sa kohë duhet të presë për ndeshjen e radhës?

“Shqiptarët janë ndoshta disa nga më evropianët në Ballkanin Perëndimor”, tha Bieber. “Nuk ka asnjë parti politike që ka refuzuar zgjerimin e BE-së, kështu që në atë kuptim nuk ka një plan B në Shqipëri. Por, sigurisht, sa më shumë që duhet të pritet, aq më gjatë ekziston ndjenja që kjo është e padrejtë dhe do të minojë BE-në në Ballkanin Perëndimor, në Serbi dhe vendet që janë më pak të përkushtuar në procesin e pranimit në BE”.

Bieber shtoi se kjo mungesë angazhimi mund të ngrejë pikëpyetje se BE nuk do të bëjë asgjë. “Ekziston një çështje e besueshmërisë së BE-së në përgjithësi”, tha ai.

Por shkencëtari politik ishte gjithashtu i shqetësuar se kush do të ishte komisioneri tjetër për zgjerim. “Që BE të jetë efektive, kërkon një komisioner të zgjerimit, i cili ka aftësinë të vërë politikën në rendin e ditës dhe të jetë një aktor i besueshëm për të”. Pasiguria për komisarin e ardhshëm të zgjerimit ka ngritur frikën se politika e zgjerimit do të minimizohet më tej në axhendën e BE-së.

Mesazhi i Ramës për bashkitë dhe PS: Zgjidhni njerëz me profil shërbëtori

Kryeministri Edi Rama u ka dërguar një mesazh të qartë dhe të prerë, të zgjedhurve në bashki dhe drejtuesve politikë të Partisë Socialiste, ku thekson se profili i administratoreve duhet të jetë “profil shërbëtori i komunitetit”, jo profile të fortësh, injorantësh, batakçinjsh, feudalesh partiake. Rama gjithashtu ka dhënë porosi për kandidaturat që do të propozohen për stafin politik të PS. Sipas tij, propozimet duhet të jenë me njerëz të ditur, të edukuar, e të respektuar.

“Në mbledhjen e KD në fund të gushtit, duhet të sillni propozimet për stafin politik, dmth nënkryetarët dhe administratorët (minimumi dy propozime). Një nënkryetar duhet të jetë medoemos grua dhe kjo vlen edhe për bashkitë e majta – kush s’e ka do ta gjejë e ta vendosë!”, shprehet Rama në mesazhin e tij që është publikuar nga disa media vizive.

Sipas kryeministrit, profili i administratoreve duhet të jetë “profil shërbëtori i komunitetit”, jo profile të fortësh, injorantësh, batakçinjsh, feudalesh partiake! “Zgjedhja e tyre duhet të mirëpritet jo thjesht nga partia e zonës, po nga komuniteti i zonës dhe më mirë të mërzitet partia se sa komuniteti! Mbajeni parasysh që nuk kam për të pranuar kandidatura nga ato tipiket që dredhin zinxhir se medemek marrin vota! Mos kemi llafe për këtë ju lutem”, shprehet Rama.

Kryeministri ka kërkuar që edhe drejtorët aktualë në bashkitë e djathta mos të cenohen deri në mbledhjen në fund të gushtit, por të përpilohet raport për ta, duke filluar nga formimi profesional, niveli i militantizmit, lidhjet nepotike dhe niveli i punës së tyre konkrete në bashki. “Po ashtu, një listë propozimesh (minimumi dy për një vend) për zëvendësues eventualë, mundësisht të konsultuar paraprakisht me deputetët”, është porosia e Ramës, i cili nuk lë mënjanë që secili nga kryetarët e zgjedhur të bashkive të përgatisë edhe një raportim të përmbledhur të situatës, nevojave dhe problemeve kryesore, ndërsa u kujton se datën dhe një axhendë të plotë të takimit do ta marrin nga Sekretari për koordinimin e Këshillave Drejtues të Rajoneve, Ilir Beqja.

Një ultimatum i tij është që asnjë nga ish kryetarëve e komunave në bashkitë e djathta përpara vitit 2015 të mos propozohet për administrator, me qëllim që mesazhi i 30 qershorit të jetë i qartë për opozitën. “Edhe një merak paraprak që mos i ngrini mendjen kujt: Asnjë nga ata që kanë qenë kryetare komunash përpara 2015 në bashkitë e djathta, mos ma sillni propozim për administrator! Janë të nderuar e të respektuar për kontributet e tyre, po mos harroni mesazhin e 30 qershorit, populli, pavarësisht kush ka votuar e kush jo, nuk e ka mbështetur rrugën që zgjodhëm për të majtën, po për të drejtën!”, shprehet Rama në mesazhin për të majtës.

Madje, ai ka kërkuar që partia të tregohet e hapur dhe të mos fokusohet vetëm tek ata që kanë sjellë vota, pasi sipas tij, shumë të tjerë mund të sjellin dhe më shumë, pasi ata nuk janë të vetmit. “Kjo do të thotë ndër të tjera se jo vetëm s’duhet të japim shenja që lexohen si mbyllje brenda gardhit tonë, po duhet të bëjmë çmos që shenjat që japim me vendimet tona, të kuptohen si vullnet hapjeje e gjithëpërfshirëse me njerëz të ditur, të edukuar, të respektuar, të cilët mund të mos kenë sjellë vota, sepse nuk kanë qenë të angazhuar direkt për shkak të mbylljes së partisë ndër të tjera, por që mund të na sjellin shumë më tepër vota në 2021-shin, se sa të tjerë që duken sikur janë të vetmit, por nuk janë!”, deklaron kreu i PS, i cili përfundon letrën me një kujtesë për të gjithë të zgjedhurit e 30 qershorit; Dhe mos e harroni: PS fitoi për ju në 30 qershor. Ju duhet të bëni gjithçka që PS të fitojë për Shqipërinë në qershor 2021! Kjo është në themel të krijimit të Këshillave Drejtues të Rajoneve”.

Zjarr në nënstacion elektrik, banorët mbeten pa drita

Një defekt në nënstacionin elektrik në lagjen 29 Nëntori në Elbasan ka shkaktuar një zjarr të shpejtë, duke alarmuar edhe banorët përreth nga frika se flakët mund të përhapeshin në shtëpitë e tyre.

Ndërhyrja në kohëbëri që situata të vihej nën kontroll. Dy zjarrfikëse u nisën drejt vendit të ngjarjes. Pas shuarjes së zjarrit disa lagje aty pranë kanë mbetur pa energji elektrike. Policia dhe zjarrfikësit kanë kontrolluar zonën që të shmangin ndonjë vatër tjetër zjarri, ndërsa në nënstacionin elektrik kanë shkuar specialistët e OSHEE-së, të cilët kanë nisur punën për riparimin e defektit me qëllim për të rikthyer energjinë elektrike.

Disa orë më vonë, OSHEE njoftoi se ka kaluar më regjim avarie Nst Kusarth 110/20kV, duke sjellë për pasojë stakimin e  linjës 110kV Nst Elbasan 220- Kusarth dhe mungesën energjisë elektrike për n/st Fiber, Librazhd dhe Prrenjas për afro 12 minuta.

Avaria ndodhi në Nst Kusarth si pasojë e djegies së dy transformatorëve, ku brigada e Drejtorisë së Tensionit të Lartë ndërhyri menjëherë me shuarjen e flakëve dhe vendosjen brenda sigurisë për objektin. OSHEE theksoi se në asnjë rast nuk janë rrezikuar banesat pranë n/st pasi ndërhyrja ka qenë e menjëhershme falë zbatimit të protokollit të sigurisë. OSHEE është duke punuar nëpërmjet konfigurimit te skemave për të furnizuar edhe pjesën e mbetur të abonentëve (afro 10%).

Makina përplas për vdekje këmbësoren në Levan-Tepelenë

Një 35-vjeçare është përplasur për vdekje nga një makine, ndërsa ishte duke ecur në rrugë. Policia e Fierit ka bërë me dije se aksidenti ka ndodhur rreth orës 17:10 të së dielës në aksin rrugor Levan-Tepelenë, në afërsi të fshatit Varibop.

Sipas të dhënave paraprake, automjeti tip “Benz” me drejtues shtetasin E.A, 46 vjeç, banues në Tiranë, ka aksidentuar me pasojë vdekjen 35-vjeçaren E.K., e cila po ecte në këmbë në anë të rrugës.

Menjëherë pas këtij aksidenti, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë, nga të cilat është bërë shoqërimi në Komisariatin e Policisë Fier i shtetasit E.A dhe po kryen veprimet procedurale.

“Zhvatja”, reagon Hahn: Maqedonia e Veriut të hetojë korrupsionin

Brukseli ka reaguar për herë të parë lidhur me rastin “Zhvatja” në Maqedoninë e Veriut, ku është përfshirë edhe pronari i një televizioni, Bojan Jovanovski, i njohur si “Boki 13”. Komisioneri për Zgjerimin, Johanes Hahn, tre ditë pas zbulimit të videove të Skandalit, ka kërkuar nga Shkupi zyrtar që të luftojë korrupsionin. Ndërkohë, autori i publikimit të përgjimeve në median “La verita” ka sulmuar shefen në ikje të Politikës së Jashtme, Federica Mogherini, për heshtje ndaj rastit.

Eurokomisionari për zgjerim të BE-së, Johannes Hahn komentoi ndodhitë në vend, një ditë pasi u thirr nga politikania gjermane, Doric Pack që të ndërmerrte hapa lidhur me rastin që ka tronditur Maqedoninë e Veriut e ku pretendohet edhe implikimi i Prokurores Speciale Katica Janeva dhe Kryeministrit Zaev. Komisioneri Han dha mesazhin se lufta kundër korrupsionit të nivelit të lartë duhet të vazhdojë.

“Lidhur me zbulimet më të reja, me rëndësi është të vërtetohet përgjegjësia juridike për të gjitha veprat penale, duke llogaritur edhe ato që dalin nga përgjimet e jashtëligjshme. Të gjitha veprat penale duhet të shqyrtohen nga organet kompetente, kurse kryerësit të dalin para drejtësisë”, shkruan Hahn në Twitter.

Ndërkohë, gazetari italian me prejardhje sllovene Laris Gajser, i cili për opinionin në Maqedoninë e Veriut u bë i njohur me publikimin e bisedave të xhiruara në rastin “Zhvatja”, ka publikuar një video në edicionin elektronik të gazetës “La Verita”, ku sulmon Bashkimin Evropian dhe Përfaqësuesen e Lartë në largim të BE-së për Politikë të Jashtme Federica Mogherini. Gajser shtron pyetjen përse Brukseli po hesht për këtë rast në Maqedoninë e Veriut, duke potencuar se është e çuditshme mungesa e reagimeve nga Mogerini dhe Presidenti aktual i Komisionit Evropian Junker, të cilët sipas tij, fuqimisht kanë insistuar për Prokurorinë Speciale.

Duke shfaqur bindjen se ende ka mundësi të ketë një demokraci të vërtetë të bazuar në opinion publik të informuar dhe kontroll të politikanëve, Gajser pyet se si ka mundësi që Federica Mogherini të heshtë para realitetit kriminal në Maqedoninë e Veriut.

Hetimet për këtë rast mund të dëmtojnë rëndë Maqedoninë e Veriut, e cila pret vendimin e tetorit për hapjen e negociatave. Në qershor, kur politika shqiptare ishte në krizë, Zaev kërkoi që Maqedonia e Veriut mos të gjykohet me të njëjtin qëndrim si me Shqipërinë. Por duket se tashmë vëmendja është kthyer pikërisht te Maqedonia e Veriut, e cila, jo vetëm ka detyruar prokuroren speciale të tërhiqet nga funksioni, por dyshimet për korrupsion kanë shkuar deri te niveli i kryeministrit, pavarësisht se vetë Zaev i ka mohuar këto akuza.

U kap në Kapshticë, ishte në kërkim për 705 kg marijuanë

Policia greke arrestoi të shtunën në Kapshticë një shqiptar të kërkuar për trafik droge, ndërsa të dielën ka publikuar detajet se për cilin person bëhet fjalë.

Siaps të dhënave nga policia greke, ai është Markelian D., 28 vjeç, i shpallur në kërkim me urdhër-arresti nga Prokuroria e Krimeve të Rënda Tiranë, si bashkëpunëtor në tentativën e trafikimit nga Durrësi në Itali e më pas Holandë të 705 kg marijuanë.

Kjo sasi e madhe droge është kapur në 6 qershor 2017 në Portin e Durrësit në një kamion me kastraveca, të ngarkuar në Lushnjë, ku u arrestua shoferi maqedonas Kiril Filev, 32 vjeç nga Maqedonia e Veriut dhe u shpallën në kërkim 3 persona. Në atë kohë, policia nuk i bëri publikë emrat e tyre për shkak të hetimit, ndërsa dy vite më vonë, duke se një prej tyre ka rënë në rrjetën e policisë.

Tashmë, Prokuroria greke ka nisur procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Fillimisht, prokuroria greke i ka dërguar njoftim palës shqiptare, e cila pritet t’i dërgojë dosjen në ngarkim të 28-vjeçarit që gjykata helene të pranojë ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

Vendi i shenjtë në Jerusalem përplas palestinezët dhe policinë izraelite

Besimtarët myslimanë janë përplasur me forcat e policisë së Izraelit të dielën gjatë lutjeve në Jerusalem për shënimin e festës së Kurban Bajramit.

Shërbimet spitalore palestineze deklaruan që së paku 14 persona janë plagosur, një në gjendje të rëndë, në përleshjen me policinë në vendin e shenjtë, të cilit myslimanët i referohen si xhamia Al-Aksa ndërsa hebrenjtë i referohen si Mali i Tempullit.

Autoritetet kanë deklaruar se katër policë janë plagosur gjatë përplasjes me besimtarët. Dëshmitarët deklaruan që së paku dy persona janë arrestuar.

Sipas raportimeve, mijëra myslimanë janë drejtuar për te vendi i shenjtë në qytetin e vjetër të Jerusalemit në mëngjesin e së dielës për të kryer lutjet për Festën e Kurban Bajramit. E diela është po ashtu ditë e shënuar për hebrenjtë pasi është “Dita e vajtimit” për dy tempuj biblikë që kanë qenë në kohërat antike në këtë vend.

Kompleksi Al-aksa është vendi më i shenjtë dhe i treti për myslimanët pas Mekës dhe Medinës në Arabinë Saudite. Për një periudhë të gjatë, ky vend ka qenë epiqendra e konfliktit në mes të Izraelit dhe Palestinës.

Një numër i madh i palestinezëve janë mbledhur te porta e kompleksit mëngjesin e së dielës, pas thashethemeve që policia do të lejojë hebrenjtë të hynë brenda. Protestuesit janë dëgjuar duke brohoritur “Allahu-Akbar” (Zoti është i madh) dhe kanë gjuajtur me gurë mbi policinë, ndërkaq forcat e sigurisë kanë hedhur granata me tym dhe plumba gome.

Në vitet e fundit, nacionalistët fetarë izraelitë kanë shtuar vizitat në këtë kompleks për të sfiduar marrëveshjen. Ekstremistët hebrenj kanë bërë thirrje për rrënim të xhamisë dhe në vend të saj të bëhet rindërtimi i tempujve të lashtë biblikë.

Palestinezët i shohin këto vizita si provokim dhe për një kohë të gjatë kanë shprehur shqetësimet që Izraeli ka për qëllim të marrë nën kontroll tërë vendin apo një pjesë të tij. Qeveria izraelite vazhdimisht ka deklaruar që nuk ka qëllime për të ndërruar qëndrim.

Skip to toolbar