Vendi i shenjtë në Jerusalem përplas palestinezët dhe policinë izraelite

BOTA


Besimtarët myslimanë janë përplasur me forcat e policisë së Izraelit të dielën gjatë lutjeve në Jerusalem për shënimin e festës së Kurban Bajramit.

Shërbimet spitalore palestineze deklaruan që së paku 14 persona janë plagosur, një në gjendje të rëndë, në përleshjen me policinë në vendin e shenjtë, të cilit myslimanët i referohen si xhamia Al-Aksa ndërsa hebrenjtë i referohen si Mali i Tempullit.


Autoritetet kanë deklaruar se katër policë janë plagosur gjatë përplasjes me besimtarët. Dëshmitarët deklaruan që së paku dy persona janë arrestuar.

Sipas raportimeve, mijëra myslimanë janë drejtuar për te vendi i shenjtë në qytetin e vjetër të Jerusalemit në mëngjesin e së dielës për të kryer lutjet për Festën e Kurban Bajramit. E diela është po ashtu ditë e shënuar për hebrenjtë pasi është “Dita e vajtimit” për dy tempuj biblikë që kanë qenë në kohërat antike në këtë vend.

Kompleksi Al-aksa është vendi më i shenjtë dhe i treti për myslimanët pas Mekës dhe Medinës në Arabinë Saudite. Për një periudhë të gjatë, ky vend ka qenë epiqendra e konfliktit në mes të Izraelit dhe Palestinës.

Një numër i madh i palestinezëve janë mbledhur te porta e kompleksit mëngjesin e së dielës, pas thashethemeve që policia do të lejojë hebrenjtë të hynë brenda. Protestuesit janë dëgjuar duke brohoritur “Allahu-Akbar” (Zoti është i madh) dhe kanë gjuajtur me gurë mbi policinë, ndërkaq forcat e sigurisë kanë hedhur granata me tym dhe plumba gome.

Në vitet e fundit, nacionalistët fetarë izraelitë kanë shtuar vizitat në këtë kompleks për të sfiduar marrëveshjen. Ekstremistët hebrenj kanë bërë thirrje për rrënim të xhamisë dhe në vend të saj të bëhet rindërtimi i tempujve të lashtë biblikë.

Palestinezët i shohin këto vizita si provokim dhe për një kohë të gjatë kanë shprehur shqetësimet që Izraeli ka për qëllim të marrë nën kontroll tërë vendin apo një pjesë të tij. Qeveria izraelite vazhdimisht ka deklaruar që nuk ka qëllime për të ndërruar qëndrim.




Skip to toolbar