Opozita dhe tre hapat para të Ramës

Unë jam tre lëvizje para të tjerëve”, u shpreh Edi Rama në studion e “Real Story” të gazetarit Sokol Balla disa javë më parë. Kjo deklaratë e kryeministrit të vendit, u bë vetëm dy ditë para se Ilir Meta të njoftonte se do të anulonte 30 qershorin, ndërsa opozita përgatitej për protestën e 8 qershorit, e cila ishte paralajmëruar se do të ishte e dhunshme. Po çfarë nënkuptonte Edi Rama me “unë jam tre lëvizje para të tjerëve”?. Le të bëjmë një vështrim të ligjërimit të kryeministrit Edi Rama gjatë fushatës elektorale të këtij muaji, të lidhur me ngjarjet politike që pasuan. Tre janë kolonat kryesore të fjalimit, që Kryeministri Edi Rama ka mbajtur gjatë gjithë fushatës së tij në çdo bashki ku ka prezantuar kandidatët e PS për zgjedhjet e 30 qershorit.

I pari: Edi Rama ka theksuar vazhdimisht, prej shtatë letrave për dialog dërguar Lulzim Bashës, e deri afër këtij fundi fushate, se zgjedhjet elektorale do të mbahen më 30 qershor. “Zgjedhjet do të zhvillohen më 30 qershor për të mos lejuar precedentin e shtyrjes së tyre sa herë që një parti politike mund ta kërkojë më pas atë. Mund të dalim ne në 2021 dhe të themi s`duam zgjedhje”, është shprehur vazhdimisht kreu i qeverisë, duke e argumentuar këtë edhe me të drejtën kushtetuese për të zhvilluar zgjedhje sipas kornizave ligjore. Pra, edhe pas nxjerrjes së dekretit të Ilir Metës për anulimin e zgjedhjeve, e drejta Kushtetuese prevaloi, pasi dekreti mori dy përgjigje, të parën nga KQZ dhe të dytën nga Kolegji Zgjedhor, duke e bërë nul anulimin e 30 qershorit. Po në këtë pikë, Edi Rama ka pasur dhe mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, që është angazhuar për zhvillimin e zgjedhjeve, duke folur prerë për mbajtjen e tyre në datën e përcaktuar sipas kornizave kushtetuese.

Hapi i dytë: “Kush do të guxojë të prek zgjedhjet më 30 qershor, do ti hiqet e drejta për të shkuar përjetësisht në SHBA”, ka thënë Edi Rama pothuajse në çdo takim elektoral. Kjo deklaratë është bërë prej nisjes së fushatës, ndërsa theksin më të madh e ka marrë pas dekretit të Ilir Metës për të anuluar 30 qershorin. Në fakt, deri para pak ditësh, kjo shprehje e kreut të qeverisë dukej si një pjesë e rëndomtë e fjalimit. Në fakt, rastësisht ose jo, kjo shprehje mori kupti vetëm pak ditë më parë, kur pas protestës së fundit të opozitës, mediat publikuan një lajm se: “PD dhe LSI do të futeshin në listën e zezë të organizatave kriminale nga SHBA, nëse do të përdornin dhunë dhjetë ditët e fundit të fushatës”. Pavarësisht se lajmi nuk u konfirmua zyrtarisht, as nuk u mohua. Madje mori fuqi besimi në momentin që Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi ndërhynë vrullshëm në lidhje telefonike në emisione televizive, një ditë para protestës ku shprehën: “Në protestë do të dalim me fëmijët tanë, do të jetë paqësore”. Kështu ndodhi, protesta ishte e përkyre, asnjë kapsolle, gjithçka në paqe. Pra, atë që Rama e kishte lajmëruar kohë më parë “se askush nuk do shkelte në SHBA nëse përdorte dhunë në zgjedhje”, e konfirmoi Basha e Kryemadhi me lëvizjen e tyre për të ndalur dhunën ndaj KZAZ-ve por dhe në protestë. Pra, Rama e dinte se çfarë e priste PD dhe LSI nëse do të guxonin të kryenin apo kryejnë akte dhune për të penguar zgjedhjet.

Hapi i tretë (jo më pak i rëndësishmi): “Ata nuk i duan zgjedhjet, sepse i tremben drejtësisë së re. Bashkimi Europian do të na kërkojë rezultate konkrete nga Reforma në Drejtësi, dhe ne duhet tu tregojmë atyre se ligji është i barabartë për të gjithë”, është shprehur gjithashtu vazhdimisht Kryeministri Edi Rama gjatë fjalimeve në fushatën elektorale. Madje, kjo pjesë e fjalimit të tij, ka dalë në plan të parë ditët e fundit, e sidomos pas vendimit të Këshillit të Europës që la si afat muajin tetor për çeljen e negociatave për integrim të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Kreu i qeverisë e ka pasur më të qartë se askush tjetër, duke e pohuar publikisht se hapja e negociatave do të kërkojë rezultate konkrete nga Reforma në Drejtësi. Praktikisht, ajo çka kreu i qeverisë ka lajmëruar që nga nisja e fushatës, po merr jetë në ditët e fundit të saj. Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri Luigi Soreca zhvilloi një takim të martën me kreun e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku në fokus të bisedës së tyre ishte pikërisht ngritja e Prokurorisë së Posaçme që do të hetojë krimin e organizuar dhe korrupsionin në vendin tonë. Po të martën, RealStory.al publikoi një shkrim ku njoftonte kalimin e Vettingut të dhjetë prokurorëve të parë, të mjaftushëm për të krijuar SPAK-un. Pra, edhe në këtë pikë, Kryeministri Edi Rama ka qenë i qartë, teksa ngjarjet po tregojnë se tre hapat para të tij, kanë qenë pikërisht, vendosmëria për të mbajtur zgjedhjet më 30 qershor, lista e zezë e SHBA-së dhe ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë, që do të dënojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar, si e vetmja rrugë për të çelur negociatat me BE. Pra, Rama paralajmëroi gjithçka!

Tërheqja e vëzhguesve, kush është Kongresi i Këshillit të Europës

Ditë e mërkurë, përmes një emaili, Kongresi i Autoriteteve Lokale të Këshillit të Europës ka njoftuar tërheqjen e vëzhguesve të saj për zgjedhjet e 30 qershorit në Shqipëri. Tërheqja e vëzhguesve në moment të fundit u bë me arsyetimin e pasigurisë së vazhdueshme në lidhje me organizimin e zgjedhjeve lokale në Shqipëri më 30 qershor dhe për shkak të rreziqeve të mundshme për sigurinë në disa zona të caktuara.

Kjo u pa nga kryedemokrati Basha si një sinjal i qartë i ndërkombëtarëve që nuk njohin 30 qershorin dhe se këto zgjedhje janë të paligjshme. Por ndryshe shprehet kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla i cili thotë se kjo strukturë e KiE nuk ka pasur vëzhgues as në zgjedhjet e 2017.

Po kush është në të vërtet Kongresi i Këshillit të Europës që ka tërhequr vëzhguesit e saj duke nxitur sërish retorikat e ashpra mes PS dhe PD?

Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale (CLRA) është asambleja politike gjithëpërfshirëse-europiane që përfaqëson autoritetet lokale dhe rajonale nga 47 shtetet anëtare të Këshillit të Evropës. Roli i tij është promovimi i demokracisë dhe përmirësimi i qeverisjes lokale dhe rajonale.

Kongresi zhvillon vizita të rregullta monitoruese për të gjitha shtetet anëtare për vlerësimin e zbatimit të Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale si dhe vëzhgon  zgjedhjet lokale dhe rajonale në vendet e saj anëtare.

Pra, Kongresi i Autoriteteve Lokale të KE është një strukturë e Këshillit të Evropës, por nuk është Këshilli i Europës. Megjithatë vendimi i këtij kongresi për të tërhequr vëzhguesit e saj nuk do të ndikojë në punën e monitorimit të zgjedhjeve nga OSBE, që një ditë pas zgjedhjeve raportojnë në mënyrë teknike, të paanshme dhe të pa ndikuar, të gjithë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Tërhiqen vëzhguesit e KiE, Rama-Bashës: O njish boll gënjeve!

“Sajo Artist sajo, çdo ditë një sajesë, s’zhgënjen asnjë ditë o Njish. Po si mund t’u thuash shqiptarëve Këshilli i Europës mori vendim politik për t’u tërhequr nga zgjedhjet se janë të paligjshme? Tani mezi pres çfarë do thuash kur të dalë rrena në shesh. Apo rrena tjetër gati?”

Kështu ka reaguar kryeministri Rama pas deklaratës së Bashës i cili tha se “tërheqja e Këshillit të Europës është distancim nga 30 qershori i paligjshëm i Edi Ramës”.

Por mesa duket e vërteta është ndryshe. Këtë e shpjegoi Taulant Balla në një intervistë televizive. Deklarata nuk është bërë nga Këshilli i Evropës, por nga Kongresi i Autoriteteve Vendore të KE-së, e cila është një nga strukturat që aktualisht është mjaft e zënë me buxhetin dhe mesa duket nuk ka kohë të merret me zgjedhjet në Shqipëri.

Madje Balla tha se ky kongres nuk kishte dërguar vëzhgues në Shqipëri edhe në zgjedhjet e vitit 2017 dhe atëherë pas marrëveshjes së famshme të 17 majit Basha nuk bëri zë për mungesën e këtyre vëzhguesve, por u mjaftua vetëm me vëzhguesit e OSBE, të cilët edhe në këto zgjedhje janë në mision të plotë dhe janë duke mbajtur shënim çdo gjë.

Pengim i subjekteve zgjedhore, ndjekje penale Frrokajt dhe Kapllanajt

Policia ka dërguar për ndjekje penale Kryetarin e Bashkisë Lezhë, Fran Frrokaj dhe Kryetarin e Bashkisë Mallakastër, Agron Kapllanaj. Të dy bashkiakët janë dërguar për ndjekje penale për shkak të deklaratave nxitëse që kanë bërë në media për pengimin e procesit zgjedhor.

Policia e Lezhës thotë se Frrokaj ka kryer këtë vepër penale në deklaratat e tij publike në media. ‘Ne i kemi bërë të gjitha shkresat dhe do t’i bëj kallëzim çdo personi të paligjshëm që gjendjet në institucionet e paligjshëm. Do mbroj pronat e mia deri në pikën e fundit. Nëse nuk i mbroj, unë kam shkelur ligjin’, ishin fjalët që ka thënë Fran Frrokaj teksa ishte i ftuar në një emision televiziv. Gjithashtu të proceduar penalisht nga policia e Lezhës për vepra penale kundër procesit zgjedhor janë edhe kryetari i FRPD Gjergji Pergjoni 28 vjeç dhe Anton Kola 34 vjeç, anëtar i kryesisë FRPD të dy banues në Mirditë. Kreu i Bashkisë Lezhë, aktualisht është në një tjetër hetim nga prokuroria për tjetërsimin e pronave në zonat bregdetare të Lezhës. Më herët ai është arrestuar, por më pas gjykata ndryshoi masën e sigurisë ndaj bashkiakut.

Pas procedimit penal të Kryetarit të Bashkisë se Lezhës, Fran Frrokoj, nga policia është njoftuar se është dërguar për ndjekje penale edhe kreu i Bashkisë Mallakastër. “Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër, referuan materialet për vlerësim në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për Kryetarin e Bashkisë Mallakastër për veprën penale ‘Thirrje për veprime të dhunshme’”, deklaroi policia.

Pasi policia vendosi hetim në gjendje të lirë për kreun e Bashkisë Mallakastër, Agron Kapllanaj, ka ardhur edhe reagimi i tij duke e cilësuar procedimin penal si presion politik dhe ka mohuar të ketë bërë thirrje për dhunë apo përplasje fizike. Kapllanaj tha se njeh dekretin e Presidentit dhe se kërkon respektimin e saj edhe nga institucionet.

“Ky veprim i policisë ka ardhur pas emisionit në një media në Tiranë ku unë isha i ftuar. I pyetur në atë emision se si do të veproni për mbrojtjen e ambienteve ku do të vendosen qendrat e votimit, unë si kryebashkiak i jam përgjigjur se do të zbatojë vetëm dekretin e Presidentit të Republikës që anulon zgjedhjet e 30 qershorit. Pra në përmbushje të këtij detyrimi ligjor do të ndërmerren edhe veprimet e mija si kryetar i bashkisë për mos të lejuar shkeljen e dekretit të presidentit për zhvillimin e zgjedhjeve në këtë bashki.

Kurrsesi nuk kam thënë që ne të përplasemi fizikisht me vëllezërit tanë në qendrat e votimit dhe e gjitha kjo është një spekulim. Unë nuk kam deklaruar për përplasje fizike me strukturat e policisë së shtetit por kam thënë se do krijohen përplasje institucionale, pasi jemi në kushtet që kemi një dekret   të presidentit që anulon datën e zgjedhjeve dhe një vendim të parlamentit që rrëzon me një rezolutë këtë dekret. Jam thërritur nga policia e shtetit për të lëshuar një deklaratë që në përmbajtje janë çuditur edhe vetë shefat që ma kanë dhënë. Do ti qëndroj deri në fund zbatimit të dekretit të presidentit se nuk ka zgjedhje në 30 qershor” deklaroi Kapllanaj

Mbjellja e hashashit, pranga kultivuesve dhe kryeplakut

Babë e bir, dy kryepleq dhe një person tjetër janë dërguar për ndjekje penale për kultivim të lëndëve narkotike. Nga katër personat e identifikuar nga policia, katër janë çuar në pranga, ndërsa një nga kryepleqtë po hetohet në gjendje të lirë. Policia tha se aksioni është zhvilluar në Memaliaj dhe në Korçë. Në fshatin Kamçisht të Memaliajt është arrestuar një 60-vjeçar, pasi sipas policisë në afërsi të një përroi është kapur në flagrancë, duke kultivuar disa fidanë kanabis dhe për këtë krim dhe për këtë krim u procedua penalisht edhe kryeplaku i zonës me inicialet K. M. për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Ndërsa në Korcë janë arrestuar babë e bir për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” kryer në bashkëpunim. Gjatë kontrollit që policia kanë ushtruar në tokat në pronësi të tyre, në afërsi të banesave të shtetasit B. Z 55 vjeç dhe djalit të tij 27 vjeçar, janë gjetur të kultivuara në gota plastike një sasi fidanësh të dyshuar si kanabis. Ndërkaq, në banesën e 55-vjeçarit banues në fshatin Skorovot, u gjetën një sasi farash të dyshuara si Cannabis Sativa, 17 copë fishekë luftarak, aksesorë të ndryshëm elektrik që dyshohet se përdoreshin nga të dy këta shtetas për kultivimin e bimëve narkotike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në arrest është edhe kryeplaku i fshatit Skorovot, pasi  dyshohet se ka shpërdoruar detyrën, duke mos kallëzuar këtë veprimtari kriminale pranë organeve të Policisë.

Basha e Balla përplasen për vëzhguesit e KiE. Nuk kanë ardhur as në zgjedhjet e 2017

Tërheqja e vëzhguesve të Kongresit të Autoriteteve Lokale të KE-së nga zgjedhjet e 30 qershorit, shikohet nga kreu i PD-së, si një sinjal i ndërkombëtarëve se këto zgjedhje janë të paligjshme. Por ndryshe shprehet kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla i cili thotë se KiE nuk ka pasur vëzhgues as në zgjedhjet e 2017 dhe mosprania e tyre nuk ndikon aspak në raportin përfundimtar të vëzhguesve të OSBE-së që është edhe institucioni më i lartë i monitorimit ndërkombëtar të zgjedhjeve.

“Sot bota perëndimore dha sinjalin e parë, të qartë dhe të prerë, se 30 Qershori nuk është ditë zgjedhjesh në Shqipëri.

Vendimi i Kongresit të Autoriteteve Rajonale e Lokale të Këshillit të Europës për të anulluar dërgimin e Delegacionit Vëzhgues për farsën elektorale që po tenton të zhvillojë Edi Rama, është fakt kuptimplotë se në 30 Qershor nuk ka zgjedhje në Shqipëri.

Për herë të parë nga rënia e komunizmit, Këshilli i Europës ka vendosur të mos dërgojë Delegacion Vëzhgues për zgjedhjet, pavarësisht ftesës që i ka bërë Qeveria shqiptare. Këtë vendim Këshilli i Europës e ka marrë jo sepse ia ka kërkuar opozita, por sepse 30 Qershori nuk është ligjërisht ditë zgjedhjesh në Shqipëri”, tha Basha në një deklaratë për mediat të mërkurën. Deklaratë kjo që u zhvlerësua menjëherë nga kreu i deputetëve të PS-së, Balla i cili tha se Kongresi i Autoriteteve Lokale të KE është një strukturë e Këshillit të Evropës dhe nuk është i gjithë Këshilli dhe se ata nuk kanë pasur vëzhgues as në zgjedhjet e vitit 2017. “Është një strukturë e KE por jo e gjithë KE. Vendimi nuk prek raportin përfundimtar të OSBE-së. OSBE, zonja Glover ndodhet në Shqipëri në krye të misionit të vëzhguesve. Raporti i OSBE ka rëndësi për monitorimin e zgjedhjeve”, tha Balla.

E në fakt shefja e misionit të vëzhguesve të OSBE në Tiranë, Glover ka vazhduar punën e saj për monitorimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Gjatë të mërkurës ajo ka zhvilluar një takim edhe me kreun e PD-së, Basha, pavarësisht faktit se ai ka bojkotuar zgjedhjet e 30 qershorit. Gjithsesi ajo ka premtuar se do të raportojë në mënyrë teknike, të paanshme dhe pa ndikuar, të gjithë procesin zgjedhor.

Cakaj: Zgjedhjet, kusht për negociatat. Ndërkombëtarët na mbështesin në 30 qershor

Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj thotë se zgjedhjet do të mbahen në 30 qershor dhe kjo mbështetet nga faktori ndërkombëtar. Madje sipas tij, kushti për hapjen e negociatave është sjellja e përgjegjshme e faktorit të brendshëm politik në 30 qershor.

“Kushti i Shqipërisë për negociatat është sjellja e përgjegjshme në zgjedhjet e 30 qershorit. Kjo është koha kur interesi strategjik i shqiptarëve duhet të prevalojë”, tha Cakaj. I pyetur për deklaratën e presidentit Meta se sipas tij zhvillimi i zgjedhjeve në 30 qershor nuk do njihet nga ndërkombëtarët dhe do ndikojë negativisht në hapjen e negociatave, Cakaj tha:  

“Nuk komentoj deklaratat e presidentit. Por theksoj rëndësinë e unitetit të brendshëm politik. Dhe përpjekjet e përbashkëta për hapjen  e negociatave në tetor. Deri tani rezultat i suksesshëm i Shqipërisë është që kemi shmangur reflektimin e situatës në Shqipëri përmes shtimit të kushteve për hapjen e negociatave. Sjellja e përgjegjshme dhe demokratike nuk është çështjes zgjedhjesh personale, por çështje detyrimi kombëtar”, tha Cakaj i cili theksoi se ndërkombëtarët mbështesin zhvillimin e zgjedhjeve në 30 qershor.

Teksa u pyet për vendimin e KiE për tërheqejn e vëzhguesve në zgjedhjet e 30 qershorit, ministri i Jashtëm në detyrë Cakaj tha: “Nuk ka asnjë deklaratë të tillë nga Këshilli i Europës. Nuk më takon mua të komentoj mbi vendimet e organizatave të caktuara pse nuk vijnë në Shqipëri. Mbajtja e zgjedhjeve në 30 qershor ka marrë mbështetjen e të gjithë ndërkombëtarëve”.

Këto deklarata Cakaj i bëri gjatë një konference të përbashkët për shtyp me ministrin e jashtëm të Hungarisë, Péter Szijjártó, i cili nga ana e tij shprehu mbështetjen për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Përfundon me Smart poshtë rrotave të trajlerit. Vdes 26 vjeçarja

Një aksident i rëndë me pasojë vdekje ka ndodhur mesditën e së mërkurës në autostradën Fushë-Krujë-Milot në afërsi të kryqëzimit të Patokut.

Si pasojë e këtij aksidenti ka ndërruar jetë shoferja e Smartit 26 vjeçarja, Sonila Gurra.

Ajo po udhëtonte me një mjet të tipit Smart dhe ka përfunduar nën rrotat e një trajleri.

Policia ndodhet në vendngjarje për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

Ministrja jep garanci: Asnjë ndërprerje energjie gjatë sezonit turistik në Sarandë

Gjatë këtij sezoni turistik në qytetin e Sarandës nuk do të ketë asnjë ndërprerje të energjisë elektrike për shkak se janë realizuar investimet nga OSHEE. Deklarata është bërë nga vetë ministrja e

Energjisë, Belinda Balluku, e cila  inspektoi një prej investimeve të realizuara së fundmi në Sarandë.

Në tre vitet e fundit OSHEE ka investuar në këtë rreth afro 700 milionë lekë duke përfshirë ndërtimin e tre fiderave të rinj me rrjet 20 kV, ndërtimin e disa kabinave si dhe shtrimin e kabullit ABC.

“Është shumë e rëndësishme që gjatë sezonit të mos ketë ndërprerje. Sigurisht ngarkesa është shumë më e madhe pasi vizitorët këtu tejkalojnë dhe numrin e banorëve. Ju jeni të impenjuar për ta bërë këtë megjithatë përmes investimeve të reja ne kemi bërë shumë ndryshime sidomos ato që janë bërë në zonën e Sarandës qytet dhe zonën e Ksamilit dhe gjithçka kemi parashikuar për të ardhmen”, nënvizoi Balluku.

Në qytetin e Sarandës por edhe zonat përreth, janë ulur ndjeshëm humbjet në rrjet. Në vitin 2013 humbjet në rrjet ishin në nivelin e 44 përqind ndërkohë që muajin e muajin e kaluar ishin 11 përqind. Ndërsa në bazë vjetore humbjet në rrjet në Sarandë janë në nivelin e 14.7 përqind.

“Nuk më kap dot se jam i zoti”. Kur Luli bën humoristin

“E para punës ja më kapë. Nuk më kap dot njëherë se jam i zoti”. Kështu thotë Basha në një video që është kthyer virale në rrjet, të cilën e ka publikuar Rama në Instagram me një koment me nota humori.

“Ti s’je i zoti, ti je Njish”- shkruan Rama në komentin e videos.

E ndërsa Basha e ka marrë seriozisht me protesta të dhunshme e sulme ndaj KZAZ-së, Rama vazhdon t’i përgjigjet me batuta e me video humori.

https://www.instagram.com/p/BzK2qoND5iw/

Skip to toolbar