Opozita dhe tre hapat para të Ramës

AKTUALITET


Unë jam tre lëvizje para të tjerëve”, u shpreh Edi Rama në studion e “Real Story” të gazetarit Sokol Balla disa javë më parë. Kjo deklaratë e kryeministrit të vendit, u bë vetëm dy ditë para se Ilir Meta të njoftonte se do të anulonte 30 qershorin, ndërsa opozita përgatitej për protestën e 8 qershorit, e cila ishte paralajmëruar se do të ishte e dhunshme. Po çfarë nënkuptonte Edi Rama me “unë jam tre lëvizje para të tjerëve”?. Le të bëjmë një vështrim të ligjërimit të kryeministrit Edi Rama gjatë fushatës elektorale të këtij muaji, të lidhur me ngjarjet politike që pasuan. Tre janë kolonat kryesore të fjalimit, që Kryeministri Edi Rama ka mbajtur gjatë gjithë fushatës së tij në çdo bashki ku ka prezantuar kandidatët e PS për zgjedhjet e 30 qershorit.

I pari: Edi Rama ka theksuar vazhdimisht, prej shtatë letrave për dialog dërguar Lulzim Bashës, e deri afër këtij fundi fushate, se zgjedhjet elektorale do të mbahen më 30 qershor. “Zgjedhjet do të zhvillohen më 30 qershor për të mos lejuar precedentin e shtyrjes së tyre sa herë që një parti politike mund ta kërkojë më pas atë. Mund të dalim ne në 2021 dhe të themi s`duam zgjedhje”, është shprehur vazhdimisht kreu i qeverisë, duke e argumentuar këtë edhe me të drejtën kushtetuese për të zhvilluar zgjedhje sipas kornizave ligjore. Pra, edhe pas nxjerrjes së dekretit të Ilir Metës për anulimin e zgjedhjeve, e drejta Kushtetuese prevaloi, pasi dekreti mori dy përgjigje, të parën nga KQZ dhe të dytën nga Kolegji Zgjedhor, duke e bërë nul anulimin e 30 qershorit. Po në këtë pikë, Edi Rama ka pasur dhe mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, që është angazhuar për zhvillimin e zgjedhjeve, duke folur prerë për mbajtjen e tyre në datën e përcaktuar sipas kornizave kushtetuese.


Hapi i dytë: “Kush do të guxojë të prek zgjedhjet më 30 qershor, do ti hiqet e drejta për të shkuar përjetësisht në SHBA”, ka thënë Edi Rama pothuajse në çdo takim elektoral. Kjo deklaratë është bërë prej nisjes së fushatës, ndërsa theksin më të madh e ka marrë pas dekretit të Ilir Metës për të anuluar 30 qershorin. Në fakt, deri para pak ditësh, kjo shprehje e kreut të qeverisë dukej si një pjesë e rëndomtë e fjalimit. Në fakt, rastësisht ose jo, kjo shprehje mori kupti vetëm pak ditë më parë, kur pas protestës së fundit të opozitës, mediat publikuan një lajm se: “PD dhe LSI do të futeshin në listën e zezë të organizatave kriminale nga SHBA, nëse do të përdornin dhunë dhjetë ditët e fundit të fushatës”. Pavarësisht se lajmi nuk u konfirmua zyrtarisht, as nuk u mohua. Madje mori fuqi besimi në momentin që Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi ndërhynë vrullshëm në lidhje telefonike në emisione televizive, një ditë para protestës ku shprehën: “Në protestë do të dalim me fëmijët tanë, do të jetë paqësore”. Kështu ndodhi, protesta ishte e përkyre, asnjë kapsolle, gjithçka në paqe. Pra, atë që Rama e kishte lajmëruar kohë më parë “se askush nuk do shkelte në SHBA nëse përdorte dhunë në zgjedhje”, e konfirmoi Basha e Kryemadhi me lëvizjen e tyre për të ndalur dhunën ndaj KZAZ-ve por dhe në protestë. Pra, Rama e dinte se çfarë e priste PD dhe LSI nëse do të guxonin të kryenin apo kryejnë akte dhune për të penguar zgjedhjet.

Hapi i tretë (jo më pak i rëndësishmi): “Ata nuk i duan zgjedhjet, sepse i tremben drejtësisë së re. Bashkimi Europian do të na kërkojë rezultate konkrete nga Reforma në Drejtësi, dhe ne duhet tu tregojmë atyre se ligji është i barabartë për të gjithë”, është shprehur gjithashtu vazhdimisht Kryeministri Edi Rama gjatë fjalimeve në fushatën elektorale. Madje, kjo pjesë e fjalimit të tij, ka dalë në plan të parë ditët e fundit, e sidomos pas vendimit të Këshillit të Europës që la si afat muajin tetor për çeljen e negociatave për integrim të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Kreu i qeverisë e ka pasur më të qartë se askush tjetër, duke e pohuar publikisht se hapja e negociatave do të kërkojë rezultate konkrete nga Reforma në Drejtësi. Praktikisht, ajo çka kreu i qeverisë ka lajmëruar që nga nisja e fushatës, po merr jetë në ditët e fundit të saj. Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri Luigi Soreca zhvilloi një takim të martën me kreun e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku në fokus të bisedës së tyre ishte pikërisht ngritja e Prokurorisë së Posaçme që do të hetojë krimin e organizuar dhe korrupsionin në vendin tonë. Po të martën, RealStory.al publikoi një shkrim ku njoftonte kalimin e Vettingut të dhjetë prokurorëve të parë, të mjaftushëm për të krijuar SPAK-un. Pra, edhe në këtë pikë, Kryeministri Edi Rama ka qenë i qartë, teksa ngjarjet po tregojnë se tre hapat para të tij, kanë qenë pikërisht, vendosmëria për të mbajtur zgjedhjet më 30 qershor, lista e zezë e SHBA-së dhe ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë, që do të dënojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar, si e vetmja rrugë për të çelur negociatat me BE. Pra, Rama paralajmëroi gjithçka!




Skip to toolbar