Deklaratat e Sekretarit të NATO për dialog, Basha fton shqiptarët për protestë

Pas më pak se tre orësh, opozita do të mbajë protestën e shtatë kombëtare, e cila do të mbahet këtë të diel në orën 19:00 përpara Kryeministrisë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka publikuar një tjetër video në rrjetin e tij social Facebook, ku fton për herë të fundit qytetarët që të dalin në protestë.

Në hapje të video-mesazhit të publikuar nga Lulzim Basha, shkruhet se “pushteti i krimit ka rënë”, ndërsa më pas video vijon me të tjera mesazhe, ku sulmohet Kryeministri Edi Rama.

Në fund të videos, Lulzim Basha e mbyll me sloganin “Shqipëria si Europa”, duke ftuar qytetarët të marrin pjesë në protestë.

Ky mesazh i kreut të PD, vjen vetëm pak minuta pas takimit që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg pati me Kryeministrin e vendit Edi Rama.

Gjatë këtij takimi, edhe numri një i NATO-s i bëri thirrje opozitës të dialogojë dhe të marrë pjesë në zgjedhje.

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/2473285596232669/

Patozi: BD, fushatë derë më derë, jo me mitingje në sheshe

Bindja Demokratike ka zgjedhur një mënyrë të re për të rivalizuar mazhorancën në zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Nëpërmjet një video, koordinatori i BD, Astrit Patozi shprehet se partia e tyre nuk do të organizojë fushatën me mitingje në sheshe, por do të shkojnë të përulur tek qytetarët për t’i dëgjuar.

“Ne kemi hyrë në këtë garë për të mundur dhe rivalizuar kandidatët e Partisë Socialiste, kudo ku marrim pjesë. Sepse nuk gjejmë asnjë ndryshim mes qeverisë së korruptuar në Tiranë dhe zgjatimeve të saj në të gjitha bashkitë e vendit”, shprehet Patozi në videon e publikuar.

Sipas tij, edhe pse forcë e re politike, BINDJA vjen si një ofertë serioze për 30 qershorin, në kontrast të fortë me “Rilindjen” e konsumuar, që kemi përballë, por edhe me të vjetrit e tjerë, që kanë ikur nga procesi. “Bindja Demokratike shpall refuzimin për mitingjet acaruese të politikës së lodhur, të cilat janë, sa të sforcuara, aq edhe poshtëruese për zgjedhësit. Le ta theksojmë që në formë diferencën e thellë që kemi me “Rilindjen” dhe modelin e saj të shëmtuar, duke qenë një ofertë e re për Shqipërinë dhe për qytetet tona. Mos iu bind Edi Ramës dhe politikanëve të tjerë, që duan t’ju përdorin sërish për interesat e tyre të mbrapshta”, deklaron Patozi në mesazhin e tij.

https://www.facebook.com/Astrit.Patozi/videos/435274307262675/?__xts__%5B0%5D=68.ARDccb_wAMjjQhu7Nkjumn1Nvd6vXTUZ1EP_7FDGzjoTFE4UFwxFzUK9MpADZ9Hj5_U5aY_3muaY1AHYg2f_ShEsMh_5w5tnP_hSQ62-G-saQy-iCV3vKZM6C8JJrLTz4FHaBnxVHdAbta8Es3J4Wher0nllymZP_kCUwXSlAVWf01iVmWYAyo1ZQBxazKsJrOHpUCoIg9zDhGiR09YupYrLrOsrScHfFOZWsEdqFKFkkzJubP3B2vgNwd9upTSgG9ABNIe_NSTCaBn6oMCDW1H6MK8oY6l0OOsHrnoDUNDFAFGW_nyLkGEK899uHFtATwsZHPudQpehrD7HBPPAeiAQi766Gq6Ss2q8Ug&__tn__=-R

Stoltenberg: Rusia, tentativa për destabilizim e rajonit. Rama: Protestat, ujë për mullirin rus

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, doli në konferencë për shtyp së bashku me Kryeministrin Edi Rama gjatë vizitës që pati në Tiranë. Jens Stoltenberg u shpreh se Aleanca e Atlantikut të Veriut do të vijojë investimin në bazën ushtarake të Kuçovës, duke theksuar se ky investim nuk do të kushtëzohet nga trazirat politike në vend. Ndërsa u shpreh se ky investim është mënyra më e mirë për të parandaluar konfliktet, ndërsa shtoi se ka informacione se Rusia po bën përpjekje për tu përfshirë në institucionet e vendeve anëtare të NATO-s.

Rusia po bën përpjekje për t’u përfshirë në institucionet tona, duke u përfshirë edhe në proceset demokratike të vendeve anëtare. Trazirat politike dhe tensionet që kemi parë nuk do të ndikojnë si mënyrën si do të realizojmë investimet në bazën e Kuçovës. Për mua kjo është një shembull sesa e rëndësishme është NATO për Shqipërinë dhe e kundërta”, tha Jens Stoltenberg.

Gjatë fjalës së tij, Rama i pyetur nga media, ka folur edhe për influencën ruse në Shqipëri dhe Ballkan. Duke folur për opozitën, e cila ka paralajmëruar mos lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve në datën 30 qershor, Rama tha se ky do të ishte një akt që do të njolloste vendin, si pjesë e NATO-s. Ndërsa, sipas Ramës, nëse këto skenare do të ndodhin, ato do të çonin ujë në mullirin e atyre që nuk duan integrimin e Shqipërisë në BE.

Së pari, nuk është sekret, ose mbase është sekreti më i madh publik, që qasja e Rusisë ndaj BE dhe proceseve integruese nuk është një qasje miqësore. Së dyti, unë dua të nënvizoj faktin se në asnjë vend të NATO nuk ka ndodhur, çka po ndodh këtu dhe çka disa forca kryesore jo vetëm të opzitës, paralajmërojnë dhe përpiqen, dhe mesaduket do të përpiqen që të ndodh këtu”.

“Do të ishte një njoll për vendin tonë si një vend anëtar i NATO. Së treti patjetër që diçka e tillë nuk shkon në favor të vendit, nuk përputhet me interesat e NATO dhe BE, dhe si e tillë, me ose padashje çon ujë në mullirin e atyre që nuk e dëshirojnë integrimin e  Ballkanit Perëndimor as në NATO as në Bashkimin e Europian”, tha Rama.

Stoltenberg për opozitën: Dhuna e papranueshme për NATO-n! Mos minoni zgjedhjet

Sekretari i Përgjithshëm i NATO,  i ka bërë thirrje opozitës  vetëm pak orë para protestës së radhës që mos të minojë procesin e zgjedhjeve, pasi sipas tij dhuna është e papranueshme për aleancën euro-atlantike dhe duhet dialog mes palëve. Jens Stoltenberg e dha këtë mesazh gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama.

“Debati politik, mosmarrëveshjet janë pjesë e demokracisë dhe kjo është shenjë force, por dhuna nuk është e pranueshme dhe çdo përpjekje për të minuar institucionet demokratike. Respektoni institucionet demokratike. Zgjedhjet janë një pjesë themelore e demokracisë dhe prandaj u bëj thirrje të gjithë aktorëve që të marrin pjesë dhe kontribuojnë në dialog dhe jo të minojnë institucionet demokratike. Ne duhet të mbështesim institucionet demokratike dhe mosmarrëveshjet të zgjidhen përmes dialogut” deklaroi Stoltenberg. Më tej, ai deklaroi se trazirat politike dhe tensionet në Shqipëri nuk do të ndikojnë në vendimet e NATO-s, teksa iu referua investimin në bazën ajrore në Kuçovë.

Po ashtu, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Stoltenberg falënderoi Shqipërinë për kontributin në NATO dhe shprehu ngushëllimet për dy ushtarakët shqiptarë që humbën jetën gjatë misionit me forcat paqeruajtëse në Letoni.

Negociatat, Kodheli rikonfirmon mbështetjen nga homologia sllovake

Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli, gjatë qëndrimit në Bratislavë u takua me homologen sllovake Csefalvayova, ku kjo e fundit i ka konfirmuar dhe një herë Shqipërisë se Sllovakia është pro zgjerimit të BE. Një konfirmim i tillë për mbështetjen e Shqipërisë u bë edhe nga Ministri i Jashtë i Sllovakisë, Miroslav Lajcak, gjatë takimit që pati me homologun shqiptar, Gent Cakaj.

Kodheli falënderoi Sllovakinë për mbështetjen e dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe njëkohësisht vlerësoi orientimin pro zgjerim. “Mirënjohje për mbështetjen e Sllovakisë në procesin e integrimit të vendit tonë në BE, gjatë Presidencës së BE-së dhe më pas edhe si mbajtës i Presidencës së Vishigradit. Shqipëria luan një rol dinamik dhe stabilizues në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Kodheli. Në vijim ajo prezantoi reformat e ndërmarra nga qeveria duke u ndalur veçanërisht në luftën ndaj korrupsionit, procesin e vetingut si dhe forcimin e shtetit të së drejtës. Kryetarja Kodheli shprehu interesin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve në terma konkretë, duke paraqitur klimën e favorshme për investitorët. Duke u ndaluar tek turizmi si një pikë e fortë e Shqipërisë, Kodheli tha se ftesa vlen për gjithë qytetarët sllovakë, të cilët duan të vizitojnë bregdetin shqiptar apo të provojnë kuzhinën shqiptare duke shprehur bindjen se nuk do të mbeten të zhgënjyer.

Në kuadër të bashkëpunimit, Kodheli tha se diplomacia parlamentare është shumë e rëndësishme, por fatkeqësisht shkëmbimet mes Parlamentit të Shqipërisë dhe Këshillit Kombëtar të Sllovakisë janë ende të zbehta. Në këtë drejtim, Kodheli ftoi homologen sllovake për një vizitë në Tiranë.

Nga ana e saj, Csefalvayova falënderoi Kodhelin për pasqyrimin e plotë të situatës në Shqipëri. “Shqipëria, Ballkani Perëndimor i përkasin gjeografikisht, historikisht dhe kulturalisht Evropës. Pikërisht për gabimet e bëra nga BE sot për përballemi me rrezikun që këto vende të mos integrohen. Kjo nuk është absolutisht e drejtë dhe unë personalisht jam një avokate e zgjerimit të BE-së”, tha Kryetarja e KPJ-së në Këshillin Kombëtar të Sllovakisë.

Ajo vlerësoi reformat e realizuara në Shqipëri dhe ndau të njëjtin mendim me kryetaren Kodheli sa i përket domosdoshmërisë së rritjes së bashkëpunimit mes dy vendeve. Duke pranuar me kënaqësi ftesën për të qenë në Shqipëri në një vizitë miqësore dhe zyrtare, Csefalvayova tha se do ta realizojë në momentin e parë që axhenda do t’ia lejojë.

Në takim morën pjesë edhe deputeti Xhemal Qefalia dhe ambasadorja e Shqipërisë në Sllovaki, znj. Enkeleda Mërkuri.

Trageti nuk ankorohet dot, merr përpara anijet në portin e Venecias

Një aksident që mund të kishte rezultuar me viktima por që fatmirësisht nuk pati, ka ndodhur sot në një port në Venecia. Një kroçera e madhe nuk ka mundur dot të frenojë gjatë kohës që u fut në port duke marrë përpara të gjitha varkat që ndodheshin aty të ankoruara duke u përplasur edhe me pjesën e skelës së portit.

Video të ndryshme tregojnë momentin e frikshëm, që rezultoi vetëm në dëme materiale. Trageti kishte pësuar një dëmtim në motor dhe nuk mund dot të frenonte apo të ulte shpejtësinë. Kjo ngjarje bëri që Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Danilo të reagonte duke thënë se anijet e mëdha nuk duhet të lejohen të hyjnë në kanalet dhe portet e Venecias.

Stoltenberg mbërrin në Tiranë, pritet nga ministrja Xhaçka

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Stoltengerg ka mbërritur në Tiranë për vizitën e tij disa orëshe. Stoltengerg është pritur nga Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhacka, ndërsa kanë zhvilluar edhe një takim të shkurtër. Në takimin mes Stoltenberg dhe Ministres Xhaçka është diskutuar për situatën ne vend.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Stoltengerg do të zhvillojë takime edhe me kryemisnitrin Rama dhe presidentin Meta.

Në orën 15:20 Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Stoltenberg do të mbajë edhe një konferencës së përbashkët për shtyp me Kryeministrin Rama.

Vizita e Stoltenberg zhvillohet pak orë para protestës së opozitës së vetëpërjashtuar nga parlamenti, e cila do të zhvillojë një protestë marshim që nis në orën 19:00.

Maratona e 30 qershorit, Rama e nis me qytetin e Lezhës

Nën sloganin “Bashkia që duam’ kryeministri Rama do të nis sot turin, ose maratonën e 30 qershorit siç e quan ai ndryshe, në qytetin e Lezhës. Ditën e shtunë kryeministri Rama bëri hapjen zyrtare të fushatës elektorale ndërsa më 2 qershor do të vendoset në Lezhë, ku së bashku me kandidatin e PS për bashkinë e qytetit, Pjerin Nderu do të zhvillojnë një takim me qytetarët dhe të prezantojnë programet e tyre.

“Sot 18:00 fushata e 30 qershorit vijon me Lezhën, të cilës bashkë me Pjerinin do t’i japim një hov të ri me rrugën e re turistike Shëngjin/Velipojë e hapjen e një kapitulli të ri zhvillimi turistik e rural për ta vënë atë dhuratë të natyrës në funksion të ekonomisë e punësimit” shkruan Rama në Twitter.

Ndërkohë që Partia Socialiste ka nisu fushatën zgjedhore, opozita e vetëpërjashtuar nga Parlamenti vijon protestat për mosmbajtjen e zgjedhjeve të 30 qershorit. Ajo do të protestojë sërish sot në Tiranë për të kërkuar largimin e kryeministrit Rama.

Rrëshqitjet e dheut i zënë poshtë, vdesin dy vëllezërit shqiptarë

Dy të rinj shqiptarë kanë humbur jetën pasi i ka zënë dheu poshtë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Çair të Maqedonisë së Veriut, ku po punohej për hapjen e një kanali.

Tre persona mbetën të bllokuar nga dheu, dy vëllezërit shqiptar Mensur Mustafa dhe Abdulkerim Mustafa, respektivisht 26 dhe 28 vjeç, humbën jetën. Ndërsa mbeti i plagosur një 54-vjeçar, i cili ndodhet në gjendje të rëndë. Trupat e dy të vëllezërve shqiptarë janë nxjerrë pas disa orë gërmimesh.

Makina i kalon sipër, humb jetën shqiptari në Itali

Një shqiptar ka humbur jetën në qytetin Arenzo në Itali, pas një aksidenti tragjik. Viktima i identifikuar si Shpëtim Halili, 35 vjeç, ka qenë duke i dhënë motorit të tij në anë të rrugës, ndërkohë që një makinë e ka marrë para duke hipur sipër trupit të tij.

Motori i shqiptarit është gjetur buzë rrugës, ndërsa 30 metra më larg është gjetur trupi i tij me plagë të mëdha të shkaktuara nga makina.

Nuk dihet ende nëse shqiptari është rrëzuar fillimisht nga mortori i tij dhe pastaj është shtypur nga makina, apo është marra para nga makina gjatë kohës që po i jepte motorit.

Gruaja që po drejtonte makinën është shprehur për policinë se nuk kishte parë gjë vetëm kishte ndjerë që trupi i shqiptarit ishte futur poshtë rrotave të makinës.

Skip to toolbar